Nga Elona Caslli
Besart Kadia nuk është veçse një emër. Ai përfaqëson një fenomen në shoqërinë tonë, me të cilin po përballemi shpesh kohët e fundit.
Mund të mos quhet Besart Kadia, mund të quhej Besprerë Kaleci. Pak rëndësi ka emri apo mbiemri. Rëndësi ka fenomeni që ai përfaqëson.
E dhimbshme në këtë rast, nuk është fakti se dikush largohet nga një parti sa hap e mbyll sytë tek një tjetër, pasi vazhdimësia e një partie nuk varet as nga hyrja dhe as nga dalja e një individi të caktuar.
Në optikën time, ajo çka të vret sytë në këtë rast, është se ky veprim kryhet nga një individ i cili është diplomuar jashtë vendit.
Në parim dikush që ka kryer studimet në Evropë apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të ketë një ndjeshmëri më të lartë kundrejt fjalës “Shtet” për faktin se është formuar në një vend, ku ka prekur në të vërtetë standardet e një Shteti të mirëfilltë.
Të diplomuarit jashtë vendit duhet të ishin edhe përkthyesit e standardeve evropiane në shoqërinë shqiptare.
Të hysh në kabinetin e Rilindjes, do të thotë të pajtohesh me mungesën e plotë të çdo standardi shtetëror.
Ky përfundim nuk është opinion, por është një bashkësi faktesh që kanë mbi 7 vite që shfaqen në sytë e çdo shqiptari.
Në skenën e politikës shqiptare po shfaqen shpesh individë të diplomuar jashtë vendit, por për fat të keq, këta individë nuk përcjellin standardin, por pajtohen me mungesën e plotë të tij.
Për ironi të fatit, revoltën kundrejt mungesës së standardit, po e shohim më shpesh tek të diplomuarit brenda vendit; tek ata individë që kanë thjesht diplomën e Universitetit të Tiranës.
Post Scriptum- Në terminologjinë ekonomike, ky bilanc nuk është pozitiv.











