I vendosa këta dy personazhe për titull, pasi janë mishërimi i vlerave të etikës, moralit dhe karakterit.
Janë personazhe për fëmijë, por vlerat e lartpërmendura janë spikatur në mënyrën më të mirë të mundshme, nëpërmjet këtyre dy personazheve (secili film për fëmijë) vlerat janë shpalosur thjeshtë, por shfaqen në dimensionin e tyre universal.
Vlerat që mbart secili individ në vetvete, përbëjnë edhe vlerën e një shoqërie. Demokracia në vetvete është një sistem i tërë vlerash, ku individi ndërvepron me mjedisin shoqëror në mënyrë të vazhdueshme për nevojat që ka. Secili njeri ka individualitetin e vet i cili e bën të dallueshëm nga individët e tjerë. Shoqëria është terësia e individëve që përfshihen në marrëdhënje të ndërsjellta dhe të vazhdueshme mbi bazën e nevojave shpirtërore, materiale dhe jetike, e cila mund të jetë e organizuar mbi bazë territori, shteti, kombi apo grupime nga më të ndryshmet (të vogla e të mëdha) social-shoqërore, ekonomike, politike dhe shpirtërore. Kur themi të glorifikojmë individin dhe interesat e tij legjitime, gjithmonë kemi parasysh ruajtjen dhe respektimin e individualitetit të tij.
Qëllimi i shoqërisë nuk është unifikimi i individëve përsa i përket individualitetit të secilit, por është plotësimi i nevojave të secilit individ duke ruajtur individualitetin e tij. Edhe sistemi arsimor në të gjitha nivelet e tij këtë synon. Atëherë shoqëria dhe çdo lloj organizimi brenda saj, njësi përbërëse kanë individin me individualitetin e tij specifik, po ashtu edhe shteti e qeveria (në kuptimin e përfaqësimit).
Gjithçka e mirë fillon nga individi, në qoftë se do progres fillon aty, në qoftë se do shtet shoqëri të lirë, civilizim, të ardhme të begatë fillon dhe mbaron tek individi, brumosja ndërgjegjësimi dhe mirëqenia e tij personale.
Po cili është roli që luajnë etika, morali dhe karakteri i individit në jetën e përditshme të tij, dhe ndikimi që kanë mbi shoqërinë në përgjithësi?
Ne si shoqëri,
që nga koha e Skënderbeut vijmë pa beteja të forta të organizuara në shkallë
kombëtare qoftë për arsye vlerash, patriotizmi apo kombëtare. Pra, na ka
munguar ajo shkolla masive ku nëpërmjet betejave të fuqishme spikatet në mënyrë
kolektive karakteri i secilit.
Mos të harrojmë se para 160 vitesh, Amerika që shohim sot, ka bërë luftën
civile e cila ka hyrë në histori si “lufta qytetare” për të zhdukur skllavërinë
e cila në atë kohë ishte institucion. Llogariteni gjysma e kombit ka hyrë në
luftë me pjesën tjetër për të liruar një herë e përgjithmonë skllevërit dhe kanë
vdekur përgjatë katër viteve luftime mbi 600000 mijë luftëtarë, në fund edhe
“Princi i lirisë” Abraham Linkoln. A ka “shkollë” më të madhe se kjo, për
karakterin të drejtën, lirinë e moralin qytetarë?! Para 60 viteve po në Amerikë,
kanë shpërthyer protestat më të fuqishme për të drejtat e njerëzve me ngjyrë
dhe kulmuan me vrasjen e heronjëve të lëvizjes, Martin Luterking dhe Xhon Kenedi,
“shkolla” e dytë madhore në harkun e një shekulli.
Çdo qytetar amerikan edhe sot ndjehet hero i dy momenteve historike ku në përballjet e dhimbshme brenda kombit, ka triumfuar e drejta dhe morali njerzor.
Pa u zgjatur shumë, pas Skënderbeut ne nuk kemi pasur beteja të fuqishme e të përgjakshme në shkallë kombëtare qoftë për parimet e qytetërimit qoftë për ato patriotike-kombëtare.
Vijmë tek sistemi komunist, ai lirinë, nderin, moralin dhe patriotizmin i shkatërroi përfundimisht nëpërmjet “krijimit të njeriut të ri”, patriotizmin dhe qytetarinë i zëvendësoi me “idealet komuniste”.
“Shkolla” jonë e madhe nëpërmjet momenteve kulmore historike apo qytetare, ku formësohet dhe spikatet karakteri i secilit qytetar, pas kohës së Skënderbeut na ka munguar ose ka qenë tërësisht e mbrapsht, sikurse ishte diktatura komuniste.
Ne, mund të flasim për vendosjen në një rrugë të qartë të vlerave tona kombëtare dhe qytetare, përgjate këtyre viteve të demokracisë, ku lëvizja e lirë përmbi të gjitha i hapi rrugë urbanizimit dhe rritjes së qyteteve tona. Nuk çuam shkollat me ideologji komuniste në fshat por në një pjesë dërrmuese, sollëm fshatin në shkollat me drejtim perendimor nëpër qytetet tona. E kam theksuar edhe një herë tjetër, 30 vitet e fundit janë periudha më e lavdishme e historisë tonë që pas kohës së Skënderbeut.
Lind pyetja: –Përse gjatë tridhjetë viteve nuk kemi ecur aq sa duhet me moralin, etikën dhe karakterin qytetarë? Ka Shumë faktorë, njëri është se ka qenë tranzicioni politik dhe social i cili ka pas të bejë me një mentalitet të ngulitur jo ashtu siç duhet prej shumë kohësh, i dyti rrethanat e vështira ekonomike, i treti familja. Mos të harrojmë se arsyet që folëm më lartë pikë së pari impaktin e kanë pasur në mentalitetin familjar dhe si rrjedhim në shoqëri. Sot familja shqiptare akoma përpiqet t’i orientojë brezat e ri për nga një “konservatorizëm”i kaluar në kohë përsa u përket shumë treguesve që karakterizojnë grupmoshat e reja. Kjo është edhe arsyeja që jo pak të rinjë shqiptarë në rrugën e një koncepti evropian për jetën, janë në një dualizëm i cili iu humb shumë kohë. Pastaj kthehen tek rruga e vjetër, ku karakteri etika dhe morali qytetarë lënë për të dëshiruar. Unë nuk mund të them se një i ri shqiptar është me kohën kur ai indoktrinohet politikisht, apo nga besimi fetar, kur vjedh qytetarët dhe shtetin në punën që bën, ushtron një biznes apo veprimtari të paligjshme, gëzohet kur fiton partia e tij se do iu marre punën e përditshme në shtet bashkëmoshatarëve të tij, apo do i heq nga puna vetë ai. Po kur prindërit e këshillojnë fëmijën e porsa diplomuar të merret me politikë dhe të ndjekë partitë nga mbrapa dhe nuk i sugjeron të hap një biznes apo të kërkoj një vend pune në privat.
Duhet ta
kemi të qartë se, vizioni që kanë për fëmijët një pjesë e madhe e
familjeve shqiptare është i cunguar, ndoshta jo sa duhet i shëndoshë
apo i brumosur fort me moralin dhe karakterin e individit dhe respektimin e
lirisë dhe individualitetit të tjetrit.
Po mos të ishin faktorët e mësipërm, rinia jonë dhe si rrjedhim shoqëria do
ishim në një stad më të pëlqyeshëm nga ç’jemi sot.
Unë personalisht mendoj se, ecja përpara e individit me vlerat e moralit, karakterit dhe lirisë është rruga e vetme për të ndërtuar një shoqëri dhe shtetin demokratik. Pastaj zhvillimi ekonomik vjen njësh me këto vlera pasi resurset, pozicioni gjeografik i vendit tonë e mundëson për një kohë të shkurtër mirëqenien ekonomike të çdo shqiptari.
Si
shpjegohet që prindërit shqiptarë, i sugjerojnë fëmijëve të tyre të lënë Shqipërinë
dhe mos të punojnë në atdheun e tyre, ndërsa prindërit amerikan i japin bekimin
fëmijës së tyre për të luftuar në Kosovë apo në Afganistan për çështjet e lirisë
së qytetarëve atje, sepse kështu thotë atdheu i tyre Amerika. Si mund të flasim
në këtë rast për patriotizëm, vlera, moral apo karakter të njehësuar?! A mund të
quhemi ne më të “zgjuar” në këtë rast?!
Unë mendoj se jo.
Morali, karakteri dhe vlerat në përgjithësi janë përtej interesit të cunguar dhe të ngushtë personal.
Të gjithë ata që s’kanë mundur të bëjnë ndonjë gjë të kënaqshme në jetë, nuk e kanë se ishin të ndershëm dhe të moralshëm, por nuk kishin aftësitë e duhura profesionale ose kurajon e nevojshme, dhe pastaj bëjnë militantin e rëndomtë mbas partive politike, ku karakteri dhe individualiteti i tij merr edhe një goditje tjetër, pasi bëhet “zhele” derisa partia t’i gjej një punë dhe ky të kënaqet që bashkëmoshatari i tij doli në rrugë falë partishmërisë dhe “rrugës” që ky ndoqi.
Shreku dhe Borëbardha, jane dy filma për fëmijë të cilët i kanë parë të gjithë në fëmijëri, por secili nga ne duhet t’i shoh edhe në moshë madhore pasi cilësitë njerëzore (individuale) janë ato që ia vënë vulën kombit dhe jetës tonë. Moralin, karakterin dhe vlerat në përgjithësi i ke të brumosura nga familja. Por nuk të ndalon askush ti fitosh në jetë, sikurse edhe t’i humbasësh përgjatë saj dhe të kthehesh në një njeri me shpirt të trazuar, me mendje jo të qartë, të bëhesh egoist dhe snob, i padobishëm për shoqërinë dhe për me tepër, të jesh një model i keq për fëmijët e t’u për kohën dhe akoma më i keq për të ardhmen e tyre.
Skender Doçi
Datë: 13. 10. 2020











