Nga Elona CASLLI
Çdo të enjte zhvillohet një seancë parlamentare. Nëse do të gjendesh para hyrjes së parlamentit këtë ditë, ose do të vizitosh profilin e fotografit pranë këtij institucioni në facebook, do ta kesh të vështirë të kuptosh nëse ke të bësh me hyrjen e një gjimnazi apo hyrjen e parlamentit.
Deputetet me entuziazmin tipik të vajzave, që sapo kanë hyrë në fazën e adoleshencës do të pozojnë para aparatit fotografik të Agim Ramës dhe secila prej tyre në fund të seancës do të ketë albumin përkatës fotografik.
Këto gra të dalldisura duhet të kuptojnë se po shkojnë në punë dhe jo në dasmë. Duhet të kuptojnë se ka një fjalë që quhet “protokoll” dhe që përmban një bashkësi rregullash që duhen ndjekur brenda një institucioni.
Këto gra të dalldisura duhet të kuptojnë se gjatë kohës që ato dalldisen para thjerrëzës së aparatit, mijëra familje shqiptare gjenden në kufijtë e mbijetesës.
Këto gra të dalldisura duhet të kuptojnë se albumet fotografike nuk parashikohen si punë e një deputeteje.
Këto gra të dalldisura duhet të kuptojnë se na e kanë sjellë në majë të hundës me dalldinë dhe me papërgjegjshmërinë e tyre.
Post Scriptum- Këto gra të dalldisura duhet të mësojnë të mos jenë adoleshente të përjetshme.