Grupimi Rinor Universitar Demokrat përmes një deklarate të bërë publike, ka lëshuar thirrjen e fuqishme drejtuar ministrisë së arsimit, për anullimin e zgjedhjeve për drejtuesit e institucioneve të arsimit të lartë (IAL) dhe senatin akademik, pai janë në kundërshtim flagrant me legjislacionin, si dhe të pakuptimta për situatën në të cilat ministria i ka shpallur, pasi jemi në kushtet e pandemisë së Covid-19, duke bërë që këto zgjedhje të zhvillohen në kushte manipulative dhe për qëllime të pastar me sfond kapjen e këtyre institucioneve nga instrumentet e qeverisë.
Deklaratë e Grupimit Rinor Universitar Demokrat në lidhje me zgjedhjet për drejtuesit e institucioneve të arsimit të lartë dhe senatit akademik.
Grupimi Rinor Universitar Demokrat po ndjek me vëmendje të madhe dhe shqetësim situatën e krijuar në lidhje me zgjedhjet për drejtuesit e institucioneve të arsimit të larte (IAL) dhe senatin akademik në Republikën e Shqipërisë. GRUD, si një organizëm që përfaqëson interesat e drejtpërdrejta të studentëve, dënon me ashpërsinë më të madhe farsën zgjedhore që kërkohet të vihet në jetë më 12 Qershor.
Në kushtet e një situate epidemiologjike të paqartë, mungesës totale të transparencës dhe konfuzionit për të dalë nga kjo situatë, tentakulat e qeverisë po shtrihen drejt universiteteve për të emëruar sejmenët e tyre në krye të institucioneve.
Ne jemi të bindur që këto zgjedhje janë në kundërshtim të plotë me ligjin dhe rregulloren. Më konkretisht, sipas ligjit nr. 80/2015, “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor,” dekanët dhe rektorët zgjidhen nga pedagogët dhe studentët, ndërkohë, në nenin 38 të rregullores, “Për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet drejtuese në senatin akademik,” pika b, i shpall zgjedhjet të pavlefshme në rastin e gjendjes së jashtëzakonshme ku kanë munguar zgjedhësit.
Këto zgjedhje në kundërshtim me ligjin privojnë nga e drejta themelore e votës shumicën e cilësuar të studentëve: 3/5 e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit në senatin akademik për 4 vitet e ardhshëm.Në këtë frymë, ne gjykojmë se është e domosdoshme shtyrja e menjëherëshme e datës së zgjedhjeve për në Nëntor, që përkon me fillimin e vitit të ri akademik, duke iu ofruar të gjithë studentëve të drejtën e votës, ndërsa kandidatëve mundësinë për të shpalosur platformat e tyre përpara zgjedhësve.
Në asnjë rrethanë, studentët nuk duhet të detyrohen të zgjedhin mes zgjedhjeve në universitet dhe shëndetit të tyre. Sot është akoma e paqartë se si do të bëhet i mundur transporti i studentëve nga rrethet, kush do ta mbulojë këtë shërbim dhe çfarë masash janë marrë konkretisht për zhvillimin e një ore leksioni normale duke marrë parasysh distancimin social.
Çfarë protokolli dhe modaliteti do të ndiqet për sezonin e provimeve dhe atë të riprovimeve? Këto dhe shumë pyetje të tjera janë pa pergjigje nga ana e qeverisë dhe ministres së arsimit.
Andaj, para se ministria e arsimit të fillojë të ndërtojë skenare zgjedhjesh farsë për të uzurpuar tempujt e dijes, do të ishte më e udhës të siguronte priorietin kryesor: t’i jepet përparësi absolute përfundimit të vitit aktual akademik duke u kujdesur fillimisht për shëndetin e studentëve dhe trupës pedagogjike.
Koha në dispozicion të shërbejë si një reflektim nga ana e ministrisë dhe të përdoret në të mirë të përmirësimit të jetës universitare dhe arsimit në tërësi.
Prandaj duam t’ju përcjellim shqetësimet e mijëra studentëve që propozojnë:
1- rritjen e përqindjes së votës së studentëve minimalisht 25%, si një kërkesë e drejtë e protestave të Dhjetorit 2018 dhe një premtim i pambajtur i kryeministrit Rama;
2- subvencionim i menjëhershëm i tarifës së konvikteve, paketave të internetit dhe përgjysmim i tarifave shkollore, për nivelin Bachelor dhe Master.
Ju bëjmë thirrje të gjithë studentëve, pavarësisht diferencave tona, të qëndrojnë të unifikuar kundër këtij vendimi arbitrar dhe aspak demokratik. Në universitet qëndron e ardhmja.
#DekadaERinisë