Përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar janë mbledhur paraditen e sotme para Bashkisë së Tiranës, ku kërkojnë transparencë në lidhje me projektin e Teatrit.
Aktivizti Ervin Goci tha se Bashkia nuk iu ka kthyer asnjë përgjigje në lidhje me kërkesën për transparencë dhe për këtë arsye ata sot do të dërgojnë dy jurist fizikisht pranë zyrës së Protokollit.
“Bashkia nuk kthen asnjë përgjigje. Ka mungesë transparence. Duhet të fillojë hetim dhe ndërkohë ne sot po ushtrojmë një të drejtë. Meqë nuk na kthyen përgjigje, sot do shkojmë fizikisht të kërkojmë transparencë. Do fusim dy juristë në bashki për të vajtur te zyra e portokollit për të parë se çfarë po ndodh me Teatrin Kombëtar“, tha Ervin Goci.
Ndërkohë njëri nga juristët përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit tha se nëse nga Bashkia nuk bëhet transparencë, do t’i drejtohen gjykatës.
Po ashtu ata thanë se konkursi për tenderin për ndërtimin e Teatrit nuk është publik as nga Bashkia dhe as në Agjencinë e Prokurimeve Publike”.