Elona CASLLI
Në një kronikë televizive të shfaqur nga “Vizion Plus” shfaqen dy vajza, të cilat teksa pyeten nga gazetari për titujt e librave që kishin lexuar kohët e fundit pohojnë se “ “Lahuta e Malcisë’ është shkruar nga Migjeni dhe “ Kronikë në gur” është shkruar nga Oscar Wilde. Lind pyetja: A kemi ne përgjegjësi për përgjigjen e këtyre dy vajzave?! Unë mendoj se po, madje guxoj të them se pohimi i dy vajzave është dështimi ynë.
Vajzat kanë kaluar në një sistem arsimor. Kanë patur mësues letërsie për vite me radhë. Janë vlerësuar nga mësuesit e letërsisë me notë kaluese për sa kohë gjenden në auditoret e një universiteti. Në këndvështrimin tim, përgjegjësia bie fillimisht tek cilësia e mësimdhënies në shkollë. Një mësues është përgjegjës për nxënësin e tij, sikundër është një prind dyfish përgjegjës për fëmijën e tij.
Ne i kemi braktisur fëmijët tanë prej kohësh. I lëmë të vërtiten në boshllëk dhe harrojmë se ata botën e njohin përmes nesh dhe jo të ndarë nga ne. Figura e mësuesit është zhvlerësuar me kalimin e viteve edhe për shkak të një kategorie të caktuar prindërish, që fëmijëve u nënvizojnë vetëm të drejtat e tyre dhe asnjëherë detyrimet e tyre. Qytetarët e mirëfilltë të një shoqërie formësohen nga një bashkëpunim sistematik i mësuesit dhe i prindit.
Të dyja palët nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën. Nëse njëra nga palët nuk kryen siç duhet detyrën, atëherë pala tjetër nuk mund ta mbulojë. Rolin e prindit nuk e zëvendëson dot një mësues, sikundër rolin e mësuesit nuk e kryen dot një prind. Cilësia e teksteve është një problem, po aq thelbësor në arsimin shqiptar. Mënyra se si vlerësohen dhe përzgjidhen tekset shkollore në shumicën e rasteve nuk është aspak serioze. Nota është një problem kyç në arsimin shqiptar. Ka raste që kjo note blihet dhe nuk përputhet aspak me dijen që ka nxënë nxënësi në shkollë. Nuk është aspak rastësi që disa universitete në vend, kanë kërkuar rikthimin e konkursit për degët e studimit që ofrojnë.
Gjatë këtyre viteve është vënë re, që nxënësit që vijnë nga gjimnazet me mesatare të lartë, pësojnë një rënie të dukshme deri në katër nota, kur përballen me provimet në fakultet. Kjo vërteton faktin se ata mbartin një sëre boshllëqesh nga gjimnazi, që dalin në pah në fakultet. Pra, nota e lartë e gjimnazit vihet në diskutim. A është kjo notë përkthim i dijeve apo një vlerësim i përftuar në një mënyrë ose në një tjetër? Unë mendoj se para se ta drejtojmë gishtin tek ato vajza, duhet ta drejtojmë fillimisht nga vetja. Post Scriptum- Pohimi i tyre është dështimi ynë, papërgjegjshmëria jonë dhe këmbana e pamohueshme e alarmit, e cila ka kohë që bie, por ne nuk duam ta dëgjojmë.