Poezi nga Mimoza Çobo
Për shegën majhoshe të mori malli sot,
kokrrën e kuqe,kur shkiste mbi gjoks,
lëngun kur zbriste mbi lëkurë e kofsh,
shijen majhoshe që ta lidhte gjuhën fort…
Për shegën majhoshe ndjeve mall sot,
huqet shëroje,kur lëngu rridhte poshtë.
Me tre kokrra shegë si mbreti Solomon,
gdhende gjithë shtyllat e tempullit tonë.
Si Persofonin,më gënjeve,me një shegë,
të mos ndahesha prej teje asnjëherë,
perëndeshë Afërditë,më quajte atë vjeshtë,
kur vura kurorë,me luleshege e fletë.
“Frut’ i ndaluar”mund të jetë një shegë,
mendoje si hebre e vështroje në degë,
kërkove kokrrat majhoshe,atje në legjendë,
sillte paqe nga parajsa e bekuara shegë.
Kopsht’i Edenit ka pemë dhe burime të qeta,
zemrës së tij, jemi ne të dy dhe shega,
ti këpute shegën,që flladitej nëpër dega,
me të çertifikove dashurinë,që te ty gjeta.
Për shegën majhoshe të mori malli sot,
kokrrën e kuqe,kur shkiste mbi gjoks,
lëngun,kur zbriste mbi lëkurë e kofsh,
shijen majhoshe që ta lidhte gjuhën fort…