Pranimi i eks-territoreve të Kishës Ortodokse Serbe ka krijuar një minishtet në mes të shtetit të Kosovës, madje me autonominë e eks- territoreve të tyre kanë krijuar një pushtet dhe minishtet serb shumë të fuqishëm sa janë sovran të ndërhyjnë dhe të veprojnë sipas tekave të tyre kishtare, që asnjëherë nuk kanë qenë humane, por kanë krijuar politika të prapshta kundër kombeve jo serbe e në këso lloj rastesh, kur është në pyetje Kosova dhe shqiptarët, Kisha Ortodokse Serbe apo kishat shqiptaro-ilire të ozurpura dhunshëm dhe të prira nga klerikë serbë dhe ish-oficerë ruso-serbë, që tanimë luajnë rolin e priftërinjve kanë shkaktuar gjithmonë, jo vetëm telashe teknike, por edhe kanë organizuar apo orkestruar gjakderdhje të papara në trojet tona. Hektarët e tokës shqiptare të falura për Kishën Ortodokse Serbe do të mbesin mollë sherri edhe për gjeneratat që do të vijnë pas nesh, sepse problemi shqiptaro-serb nuk është zgjidhur drejt brenda Republikës së Kosovës, ngase dikush ka luajtur sipase interesave klanore apo personale duke keqinterpretuar Pakon e Ahtisarit dhe duke i shitë apo falur Kishës Ortodokse Serbe mijëra hektarë tokë dhe prona tjera. Sot, pothuaj të gjithë në Kosovë e kanë përvetësuar gabimisht këtë ligjërim, duke e inkorporuar etninë serbe në monumente të trashëgimisë ortodokse. Në këtë rast përgjegjësia i mbetet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që në mënyrë të paligjshme ia bëri tapi tokat shqiptare Kishës Serbe. T’ua rikujtojmë lexuesve se Kisha Ortodokse Serbe ka një rol krejtësisht tjetër nga institucionet tjera fetare që veprojnë në Kosovë. Që nga ardhja e Sllobodan Millosheviq në pushtet, roli i Kishës Ortodokse Serbe u fuqizua tej mase, ndërsa udhëheqësit e saj anekënd ish-Jugosllavisë filluan të japin deklarata politike dhe të përdorin gjuhë të urrejtjes ndaj popujve të tjerë. Udhëheqësit më të lartë ushtarakë dhe politikë serbë janë bekuar nga Kisha Ortodokse Serbe para marshimeve të tyre vrastare. Pas përfundimit të luftërave, roli dhe qëndrimet e Kishës Ortodokse Serbe nuk ndryshuan fare. Për më tepër, udhëheqësit e Kishës Ortodokse Serbe vazhduan me të njëjtën gjuhë dhe me qëndrime armiqësore ndaj popujve të tjerë si dhe me mohimin e krimeve të kryera në emër të serbizmit gjatë viteve të 90. Kur i referohen Shqiptarëve, organet e Kishës Ortodokse Serbe ende përdorin terma si “arbanas”, dhe përkrahin qarqet ekstremiste dhe kriminele ne veri të Kosovës. Institucioneve kosovare iu kërkua mbrojtja e mjediseve rrethuese përmes përcaktimit të zonave mbrojtëse të rreth 47 pronave të trashëgimisë kulturore (shumica prej tyre kisha dhe manastire të besimit ortodoks që shfrytëzohen nga Kisha Ortodokse Serbe). Ky detyrim, i paraparë në Planin e Ahtisaarit, gjatë procesit të zbatimit nga ICO, përmes ndryshimeve joparimore dhe një ligji të veçantë, u transformua në vija të kuqe të ndarjes territoriale. Zonat rrethuese rreth pronave të trashëgimisë kulturore u transformuan në Zona të Veçanta të Mbrojtura, duke i ofruar eksterritorialitet Kishës Ortodokse Serbe dhe Serbisë brenda territorit të Kosovës. Në emër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, duke u thirrur në Planin e Ahtisaarit, jashtë dispozitave të parapara me këtë dokument, në kundërshtim me parimet dhe praktikat e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, zonat e veçanta të mbrojtura u shndërruan në instrument të pastër politik që betonizon dimensionin e etnisë brenda trashëgimisë kulturore. Njëri ndër ligjet e para që derivojnë nga Plani i Ahtisaarit, i miratuar menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura. Ky ligj u miratua tri ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në urgjencën dhe panikun legjislativ për të miratuar pa debat parlamentar dhe shoqëror, gjithçka sugjeronte Plani i Ahtisaarit. Ky ligj (si dhe Plani) ia shtronin rrugën edhe dy ligjeve të tjera, ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe atij për fshatin Hoçë e Madhe. Megjithatë, sipas KKTK, Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura është në kundërshti me sistemin e mbrojtjes ligjore dhe të administrimit të pronave të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Për më tepër, në një analizë të këtij këshilli konstatohet se “ Ligji për Qendrën Historike në Prizren, Ligji për fshatin Hoça e Madhe dhe Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura nuk janë kërkesa të parashtruara në Planin e Ahtisaarit”. Këto tri ligje janë produkt i ndryshimeve të parametrave të përcaktuara në Plan, të cilat ndryshime u bënë në mënyrë arbitrare nga bartësit dhe mbështetësit që përgatitën ligjet. Përveç ndryshimeve joparimore nga varianti fillestar i këtyre zonave, një nga pasojat eventuale të krijimit të Zonave të Veçanta të Mbrojtura mund të jetë edhe e drejta e eksterritorialitetit të shtetit të Serbisë mbi territorin e Kosovës. Ky është një nga debatet e vazhdueshme në shoqërinë kosovare, e cila përveç tjerash bazohet në argumentin se shteti i Serbisë për një kohë të gjatë e ka instrumentalizuar Kishën Ortodokse Serbe për qëllime politike dhe pretendime territoriale.