REPORTAZH/ MREKULLIA E NDALUAR! UJËVARA e SOTIRËS

Nga, Albert AVDULI

(Shkrim, botuar para pak vitesh)

Në fakt, natyra na e ka dhuruar, por si çdo gjë e bukur, të lodh paksa për ta arritur. Si për të vënë në provë durimin dhe dëshirën tonë, këtë mrekulli të sajën e ka krijuar në shpatin verior të malit Tomorr.

Aty, poshtë fronit të perëndive, shpërthen ujvara e Sotirës.Uturima e ujit, që del nga shkëmbinjtë dhe mbas 100 e ca metrave prapë në shkëmb përplaset, dëgjohet e jehonë disa km larg. Menjëherë më kujtohen vargjet e famshme të poetit anglez Alfred Tenison : “ Tomorr o Athos, fron magjie. Vjen hije largët gjer tek ne. E ndjej si të isha vetë atje “.Unë isha atje.

Mjegulla e këtyre ditëve me reshje e pështillte Tomorrin, por nuk e cënonte magjinë dhe madhështinë e këtij mali të shenjtë. Zhurma e ujvarës përshkonte pyjet, arat, shtigjet dhe shndërrohej në simfoni. Qytetërimi e ka bjerrur romantizmin, por në atë mjedis idilik, kushdo ndihet i lehtë, poet, romantik.Çurrega e quajnë vendasit .

Banorët e zonës , dy kataraktet i quajnë Çurrega e Madhe dhe Çurrega e Vogël. Ka një rivalitet lokal për ato burime. Beratasit pretendojnë se ju përket atyre, mbasi shpati malit ndodhet në kufijtë e njësisë administrative të Roshnikut. Gramshiotët nuk lëshojne pe, mbasi ujërat perplasen, derdhen e vijojnë në territorin e fshatit Sotira, njësia administrative Kushovë.

Në gjykimin tim, kjo ujvarë nuk eshtë kufi ndarës , por bashkues midis Beratit dhe Gramshit.Kjo çështje nuk ka pikë rëndësie. Ujvara e Sotirës është shpallur monument natyror.

Ndodhet afro 20 km nga qyteti i Gramshit. Para pak ditësh, Fadil Shahini, një miku jonë, gramshiot që punon e banon në Tiranë, na ftoj së bashku me Kryetarin e Bashkisë Kamëz z.Xhelal Mziu dhe një grup shokësh për të vizituar këtë mrekulli.

Duke ditur veshtirësitë e asaj rruge, po ngurroja, por dëshira dhe zelli i tij për të rrëfyer bukuritë e krahinës nga vjen, më thyen, pranova.Distanca nga Tirana për në Gramsh është 100 km, por rruga e pa mirëmbajtur ta shndërron në dyfish kohën e përshkimit.(pritet të hapet rruga e re buzë liqenit, e cila do jetë lehtësi dhe tjetër bukuri).

Në orën 11 ndalemi në qendër të bashkisë Gramsh për kafe. Është e vërtetë se gjithë trevat shqiptare janë shumë mikpritëse. Mendoj se banorët e kësaj krahine janë më të parët në këtë virtyt, por edhe më të qeshurit.

Ndoshta , me një mori hallesh e siklete të përditshmërisë, por ata janë të qeshur të gjithë dhe duket se gazi në buzë eshte ilaci që ndih për të mundur vështirësite e jetës.

Në qytet, grupit tonë, ju bashkangjit edhe z. Elmaz Haruni, Kryetar i Degës së PD-së Gramsh dhe Dr. Fadil Mzheku. Teksa dalim nga qyteti, kuptohet, që lamtumirë i kemi thënë edhe asfaltit.Fatmirësisht udhëtojmë me makina të larta, por gjithësesi edhe ato sforcohen.

Djemtë në timon tregohen shumë të kujdesshëm sepse terreni jo vetëm që është malor, por lagështia shton rrezikun. Humnerat e thella që presin mbas çdo kthese duken si kuçedra të gatshme të përpijnë çdo send a gjallesë që rrokulliset nga lart.

Disa pllaka përkujtimore ndanë kësaj të ashtuquajture rrugë, na shërbejnë pikërisht si tabela kujdesi.Ajo, çfarë më largon ankthin e kësaj odiseje , është peisazhi i mrekullueshëm që na rrok syri. Lëndinat e lënë djerrë në funksion të blegtorisë shfaqen si mozaik shplodhës.

Një sipërfaqe kuqëlon nga lulekuqet, tjetra si për të thyer njëtrajtshmërinë zverdhon si ar. Kuptohet që e gjelbra është shpallur mbret dhe harmonizohet me gonxhet e shumëllojta të pemëve që janë në lulëzim apo disa po lidhin frytet. Nuk shoh ngastër toke pa punuar. Kudo pemishte dhe e di që janë kultivuar para 6-7 vitesh me programin e subvencioneve që hartoj e zbatoj qeveria Berisha.

Diku, një fermë e vogël me disa lopë. Më tej, ne zabel një tufë delesh dhe bariu, djalosh i lagur nga shiu, na përshëndet sikur t’na kishte miq te vjetër. Me larg, ja atje, te korija, në faqe të kodrës një tufë e madhe me dhi.

Kur afrohemi, vërej se çobani, mbështetur mbi një shkëmb, luante melodi me fyell. Spektatorë të vetëm kishte qenin e tij, një balo i madh dhe dy nga cjepët e tufës.

Aq i përqëndruar ishte në melodinë e tij baritore sa nuk pati aspak kureshtje të hidhte sytë nga automobilat që kalonin fare pranë.Kemi ecur gati 8 km dhe në fshatin Shën Mërizë, njësia administrative Pishaj, Lumi Devoll bashkohet me lumin e Tomorricës. Devolli si më i madh e asimilon të voglin dhe as emër nuk i lë.

Në rrugën e tij të gjatë ai do të vazhdojë udhëtimin si Devoll, derisa edhe atë ta perpijë Osumi e të përfundojë në det si lumi Seman. Ligjet e natyrës krijojnë edhe këto padrejtësi e paradokse. Nga ky çast, terreni dhe rruga bëhen më të vështira.

Në një segment, rruga humbet dhe trishtimi merr formën e një përroi të gjerë. Menduam se tashmë, këmbët ishin shpëtimi, por doktor Fadili gjen mundësinë për të kaluar para dhe na udhëheq nëpër shtratin e këtij lumi lokal që s’di pse e zvogëlova në përrua.

Ai, para, na udhëhiqte nëpër ujë e zhavorishte dhe kur dolëm në bregun tjetër nuk mund të rrija pa e quajtur “ Moisi, në miniaturë, që hap dete ( lum në këtë rast)”.

Mbërritem në fshatin Sotir. Fshat i vogël me afro 35 familje. Oxhakët e shtëpive nxjerrin tym dhe gjurma e tij duket si një kumt në qiell. Dy kafene të vogla në fshat dhe disa banorë që luajnë letra e pinë ndonjë gotë raki.

Ndalim edhe ne. Zonja e kafenes , buzagaz , por me një krenari sa mali që ka fqinj, na përshëndet dhe na ofron nga një gotë dhallë. Këto i keni nga lokali, thotë, duke na hedhur çiltërsisht vështrimin e saj.

Një burrë eshtak, rreth të gjashtëdhjetave, na jep dorën të gjithëve e përqafohet me Elmazin dhe doktorin. Raki dëllinje për miqtë. Më shumë duket sikur urdhëron se sa porosit. Një raki dëllinje në Sotir. E shijshme, aromatike, e thellë, kuarative do të ishte gjetja me e mire.Jehona e ujvarës dëgjohej qartësisht në fshat.

Mendova se toni i zërit që dha porosinë e rakisë, kushtëzohej , pikërisht nga nevoja për të mundur atë uturimë që mali lëshon mbi fshat. Ndahemi me banorët dhe ecim me makinë edhe një km.

Më tej duhet të vazhdojmë në këmbë. Ndjekim shtegun e dhive, në midis shkurreve e nëpër shkëmbinj. E lodhëshme ngjitja në atë rrepirë.Befas , një luadh i gjerë e i bukur ndërpret rrugën tonë. Si amfiteatër në natyrë na vë përballë një bukurie që të lë pa frymë. Emocionet të mbërthejnë.

Nuk mund t’i ndash me të tjerët. Oshëtima e ujvarës vjen me gjithë fuqinë e malit. S’artikulon dot. Sa nga dihatja e ngjitjes në atë shteg të vrazhdë, por edhe nga pamundësia e gjetjes së fjalëve.Ujvara. . . Bukuri epike, unike, e vrazhdë. Pse duhet të them “ Kopsht i Edenit” ? Këtu nuk shoh Adam dhe Evën, mollën dhe gjarprin, por bukuria është po aq biblike.

Kreshtat e Tomorrit hijerënda, mjegulla e dendur seç ka një mister, bardhësia shurdhuese e katarakteve, shkurt nuk gjej dot krahasim. Një sy i madh, i kaltër, aty ku uji qetësohet nga përplasja me shkëmbin. Pastaj lotët e tij bëhen lum që puth e flladit lisa, ahe, lofata e drurë te tjerë.

Ujvara e Sotirës si destinacion për turizmin malor eshtë një rivale e denjë e Thethit, Voskopojës, Razmës, Lurës, Dardhës, Llogarasë. Nje destinacion turistik që nuk e njohim, por edhe nuk e arrijmë dot sepse duhen 18 km rrugë.Gramshi ka potencial turistik , shpella, kanione, lumenj, gastronomi të lavdërueshme dhe ushqime bio.

Theksoj se afro 3 km, pa u futur në qytetin e Gramshit, ndodhet një tjetër xhevahir turistik, Kanioni i Holtës. Së fundmi, me krijimin e liqenit të hidrocentralit te Banjës, shtohet një tjetër resurs, një tjetër mundësi.Ky qytet ka nevojë për vision në qeverisje dhe mbështetje për zhvillimin e infrastrukturës .

Në rast se heshtet nga banorët e asaj bashkie, atëhere, bukuritë që ata zotërojnë do të veniten dhe nuk sjellin asnjë mundësi për biznes, tregëti, turizëm.

Ujvara është atje, ndoshta nga më të bukurat në Ballkan, por ajo mbetet thjesht një bukuri e premtuar. . .