Irini Shehu, drejtoreshë e spitalit rajonal Peshkopi dhe njëkohësisht kryetare e Këshillit Bashkiak Dibër është kallzuar sot pasdite në Komisariatin e Policisë Dibër nga vartësi i saj, shefi i financës së këtij spitali.
Shaban Uklala u tha oficerëve të policisë Dibër se pas një konflikti verbal me Shehun kjo e fundit e ka goditur në fytyrë me mjet prerës, duke e gjakosur dhe rrezikuar shikimin.
Fillimisht u tha se Policia nuk kishte reaguar për ngjarjen e rëndë, ndërkohë në orët e fundit të datës 11 Shkurt 2025, në deklaratën e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër thuhet se ky shtetas ka kallzuar shtetasen Irini Shehu se e ka goditur me send të fortë në fytyrë.
Njoftimi i Policisë Dibër:
Me datë 11.02.2025, rreth orës 12.00, në Komisariatin e Policisë Dibër është paraqitur shtetasi Sh.U., 37 vjeç, banues në Peshkopi, (me detyrë Përgjegjës finance në Spitalin Rajonal Dibër) dhe ka kallzuar se në ambientet e spitalit pas një konflikti verbal, është goditur me një send të fortë në fytyrë nga shtetasja I.Sh., 44 vjeçe, banuese në Peshkopi, (me detyrë Drejtoreshë e Spitalit Rajonal Dibër).
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen I.Sh., e dyshuar se ka kryer veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
![](https://tirananews.al/wp-content/uploads/2025/02/361356514_10034110629940301_5522019652881826225_n.jpg)