Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thekson se, PD po përpiqet të bashkohet me parti të tjera opozitare.
I pyetur në një intervistë për Euronews Albania për zgjedhjet e 11 majit 2025, Berisha tha se, “në Shqipëri nuk ka zgjedhje. Është një farsë zgjedhore dhe kjo është e pranuar botërisht. Nëse lexoni rezolutat e çdo partie të qendrës së djathtë, ato thonë se zgjedhjet në Shqipëri janë fasadë. Kjo është e vërteta”.
“Edi Rama ka bërë gjenocid ndaj shqiptarëve, duke i spastruar me metoda të përllogaritura. Në 2015, sipas statistikave zyrtare, ai arrestoi 38 mijë shqiptarë, më shumë se kudo tjetër në rajon. Përse? Për çështje civile, për fatura të energjisë elektrike dhe ujit. Ai krijoi një perandori frike. Ai shkatërroi dhjetëra-mijëra biznese të vogla dhe shtëpi, duke i lënë njerëzit në qiell të hapur, pa mënyra të tjera jetese”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se Rama, “ka vijuar politikën e varfërimit të shqiptarëve. Si mund të jetojë një pensionist me 160 euro? Çmimet në Shqipëri janë më të larta se në Itali, për ushqime, më të larta se në Greqi dhe Gjermani. Çdo gjë. Ai nuk iu ka lënë një alternativë njerëzve, përveçse të largohen nga Shqipëria. Një publicist dhe gazetar gjerman ka shkruar që Edi Rama është kryeministri më i mirë i Serbisë pas Paniç”.
Ne, vijoi Berisha, “po hartojmë një program të bazuar në nevojat kryesore ekonomike të njerëzve. Premtojmë minimumin jetik për çdo qytetar. Premtojmë 500 euro rrogë minimale. Premtojmë dhe do të realizojmë 1200 euro rrogë mesatare. Premtojmë ulje drastike të faturave të energjisë dhe ujit për personat me të ardhura të ulëta. Rama e ka siguruar mandatin duke përdorur makinerinë e blerjes së votave dhe përfrikësimit të njerëzve. Këto janë dy shtyllat mbi të cilat ai siguron votat. Ne jemi të angazhuar në mosbindje civile dhe po përgatitemi për zgjedhjet. Jemi optimistë”.
“E kemi gati programin. Do ta diskutojmë, por këto janë disa nga shtyllat kryesore. E quaj paketa e emergjencës, ose programi i 100 ditëve. Pra në 100 ditët e para”, tha Berisha.
I pyetur nëse e sheh opozitën të bashkohet ndonjëherë, Berisha u përgjigj se, “hap pas hapi, po”.
“Ishte traumë e madhe, agresion ndaj opozitës, një puç për zhdukjen e opozitës, që Edi Rama të qëndronte si mbret i këtij vendi. Në këtë kontekst, cila ishte motoja ime që në ditën e parë? Një PD më e hapur, më e fortë, më e bashkuar. E dija se po ndaheshim, se po kalonim një traumë. Thuajse e kemi kaluar. Po përpiqemi të bashkohemi me parti të tjera opozitare. Duhet të krijojmë një front të gjerë për t’u përballur me diktaturën që kontrollon të gjitha pushtetet, që e përdor “SKAP-in” për arrestime politike”, tha Berisha.