Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos pranojë kërkesën e qeverisë për plotësimin e vendimit të mëparshëm të kësaj gjykate që shfuqizoi taksimin 15% të profesioneve të lira, vendim i cili duket se i mbyll dyert kompensimit të subjekteve që kishin parapaguar këstin e parë.
Një pjesë e bizneseve kanë parapaguar këstin e detyrimit të llogaritur sipas deklarimit të ardhurave dhe shpenzimeve për vitin 2023.
Gjykata Kushtuese ka nënvizuar se nuk ka kompensim për 6,541 subjekte të profesioneve të lira, të cilët kishin parapaguar rreth 500 milionë lekë tatim mbi të ardhurat.
Vendimi:
Në analizë të përmbajtjes së argumenteve të kërkuesit, Mbledhja e Gjyqtarëve vëren se për sa u takon efekteve që vendimi i Gjykatës sjell ndaj pasojave të dispozitave ligjore dhe nënligjore të shfuqizuara, neni 132, pika 2, i Kushtetutës parashikon se vendimet e Gjykatës hyjnë në fuqi ditën e publikimit në Fletoren Zyrtare dhe se Gjykata mund të urdhërojë që vendimi i saj, me të cilin ka shqyrtuar aktin, të fillojë efektet në një datë tjetër. Kurse sipas nenit 26, pikat 2 dhe 3, të ligjit nr. 8577/2000, vendimet, si rregull, hyjnë në fuqi ditën e publikimit, përveçse kur është parashikuar ndryshe në këtë ligj dhe Gjykata mund të urdhërojë që vendimi i saj, me të cilin ka shqyrtuar aktin, të fillojë efektet në një datë tjetër.
Mbledhja e Gjyqtarëve vëren se Gjykata në vendimin nr. 52/2024, ndërsa ka vendosur shfuqizimin e një pjese të dispozitave ligjore dhe nënligjore të kundërshtuara, duke dhënë edhe argumentet përkatëse për antikushtetutshmërinë e tyre, është shprehur edhe për efektet e vendimit në dispozitivin e tij përmes rregullit të përgjithshëm, sipas të cilit vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi në ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Në këto kushte, Gjykata vlerëson se kërkuesi nuk gjendet në asnjë prej rasteve të parashikuara nga neni 80, pika 1, i ligjit nr. 8577/2000, për rrjedhojë kërkesa nuk mund të kalojë për shqyrtim në seancë plenare.
Mbledhja e Gjyqtareve, ne baze te nenit 80 te ligjit nr. 8577, date 10.02.2000 “Per organizimin dhe funksionimin e Gjykates Kushtetuese te Republikes se Shqiperise”, te ndryshuar, njezeri, V E N D O S I: Moskalimin e ceshtjes per shqyrtim ne seance plenare.