Kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare u përcoll sot me nderimet më të larta për në banesën e fundit. Në Teatrin e Operas dhe Baletit u mbajtën homazhet në nder të shkrimtarit, i cili mbylli sytë mëngjesin e 1 korrikut, duke u larguar përgjithmonë nga kjo jetë.
Në homazhet shterërore, në nderim të tij, morën krerët më të lartë të shtetit, politikës, ish-presidentë, personalitete të kulturës e diplomantë nga vendi, Kosova, Maqedonia, si dhe delegacione nga ambasadat e huaja në Tiranë.
Në mesin e shumë personaliteteve, homazhe ka kryer edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, e shumë figura politike nga trojet shqiptare.
I pranishëm në homazhe ishte edhe ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ku në fjalën e dhënë përpara mediave vlerësoi maksimalisht figurën e Kadaresë.
“Kadare është ngjitur në Panteonin e përjetësisë si njeriu që në kohën më të vështirë për kombin shqiptar i kujtoi bashkëkombësve dhe gjithë botës se ne jemi një ndër kombet e identitetit europian dhe i formimit të identitetit europian. Kjo në një kohë që u bë çdo përpjekje për të shkatërruar lidhjet shqiptarëve me habitatin e tyre që është Europa. Kisha një mesazh për të rinjtë, që të përpiqen të lexojnë qoftë edhe një poezi, apo roman të Ismail Kadaresë se do ti shndërrojë dhe do ti ndryshojë, të kuptojë vlerën e tyre si shqiptarë, qoftë edhe si individ”, tha Basha.
Ndërkohë, me kërkesë të Helena Kadare, kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim, duke u shprehur se: “Kadare jetoi si dëshmitar i një fjale, për të cilën mori të tërat lëvdatat dhe nderimet e mundshme të botës.”
Në fund të fjalimit, Rama bëri të ditur se bashkëshortja e shkrimtarit, Helena kishte kërkuar që ceremonia e varrimit në Tufinë të bëhet vetëm me praninë e familjarëve.
Kështu në orën 12:30 nisi kortezhi i përcjelljes së shkrimtarit për në banesën e fundit në varrezat e Tufinës. Në nder të shkrimtarit të madh, Shqipëria dhe Kosova janë në zi, ndërsa në dy vendet flamujt janë ulur në gjysmështizë./ Përgatiti Liberale.al