InfoPressAlbania
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz
No Result
View All Result
InfoPressAlbania
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz
No Result
View All Result
InfoPressAlbania
No Result
View All Result
Home Të ndryshme

“Vajza me emër luleje”, tregim nga Vita Blloshmi

27 Korrik, 2023
in Të ndryshme
A A
Suplementi letrar/ Tregim nga Vita Blloshmi: Pulovra

-Tregim-

Pasi kishte mbaruar punën, edhe këtë mbrëmje pak vonë, Antonio po çapitej për në shtëpi. I pëlqente të ecte ngadalë, duke vështruar vitrinat e dyqaneve. Zakonisht në atë orë të mbrëmjes shkonte të ndiqte ndonjë koncert apo aktivitet tjetër, meqenëse mbulonte faqen kulturore të gazetës ku punonte. Po në këtë mbrëmje nuk kishte patur ftesë për ndonjë aktivitet, ndaj ecte i shkujdesur trotuarit. Rrugës kishte ende mjaft njerëz që i jepnin gjallëri qytetit.
Pak metra më përpara i zunë sytë një dyqan lulesh dhe u kujtua që njëra nga koleget e tij të nesërmen kishte ditëlindjen. Ishte mirë që të porosiste një tufë lule për ta uruar. Hyri në dyqan dhe pa që në atë orë nuk kishte asnjeri. Diku midis luleve të shumta e të bukura ishte një vajzë e re, me flokë ngjyrë të errët, me trup mesatar por të bukur e me forma lakmuese, e veshur me shije. Ajo nuk e vuri re hyrjen e klientit dhe po merrej me sistemimin e disa luleve në një cep të dyqanit. Antonio pati kohë ta sodiste edhe pak e lëvizjet e saj delikate po e tërhiqnin.
Në një moment vajza u kthye dhe e pa.
-Mirëmbrëma, nuk ju kisha vënë re. Ju bëra të prisnit?
-As unë nuk ju kisha vënë re. Po sodisja lulet,- tha ai me buzë në gaz.
-Aq e vogël jam sa nuk vihem re?-qeshi edhe ajo.
-E ndodhur midis lulesh, m’u duk se në dyqan kishte vetëm lule,-tha ai, duke vazhduar akoma lojën e tij të fjalëve.
-Epo, në një dyqan lulesh vetëm lule mund të gjeni,-iu shmang ajo komplimentit, ndonëse i pëlqeu.- Me çfarë mund t’ju ndihmoj?
-Me lule…,-nuk ia përtoi lojës sërish Antonio.
-Atëherë nuk ju mbetet vetëm të zgjidhni,-tha ajo.
-Dua një tufë lule për një kolege që ka ditëlindjen nesër. Do kaloj ta marr në mëngjes përpara se të shkoj në punë.
-Çfarë do të vemë në qendër të tufës, trëndafila të kuq? Se për ta plotësuar pastaj mendoj unë,-tha shitësja.
-Jo, trëndafila të kuq jo. Thashë, është për një kolege. Vini disa zambakë e për garniturën ia lë shijes dhe fantazisë suaj.
-Në ç’emër ta regjistroj porosinë?-tha ajo me stilolaps e letër në dorë.
-Antonio,-tha ai.-Më falni se nuk u prezantova.
-Kënaqësi,-tha ajo.-Unë quhem Mimoza.
-Epo nuk paskam gabuar kot unë që në dyqan pashë vetëm lule kur hyra. Edhe shitësja ka emër lulesh. E mimoza është ndër lulet e mia të preferuara.
-Nuk ka ardhur akoma stina e tyre,-bëri akoma bisht ajo.
-Mimoza si kjo që shoh unë nuk kanë stinë, lulëzojnë gjithmonë,-guxoi më tej në komplimentet e tij ai.
-Ju falënderoj për fjalët tuaja,-tha ajo dhe u skuq pak.-Atëherë nesër në mëngjes tufën do e keni gati,- foli me nxitim dhe mori në duar disa lule sa për t’i zënë duart me diçka e për të mos e lënë veten të tradhëtohej nga emocioni.
Antonio e përshëndeti duke i buzëqeshur ëmbël dhe doli nga dyqani.

* * *

Mëngjesi i ditës tjetër ishte me diell dhe Antonio ecte i gëzuar trotuarit. Kishte kënaqësi kur zgjohej herët, hiqte mjekrën, hidhte një parfum të lehtë e delikat dhe dilte në rrugë me dosjen e materialeve në dorë. Ishte i njohur si gazetar dhe shumë njerëz e përshëndesnin rrugës. Kjo ia shtonte edhe më shumë kënaqësinë e të vajturit në punë.
Pa e ndjerë kalimin e kohës arriti përpara dyqanit të luleve. Tani në mëngjes e pa më mirë e më me kujdes. Sipër hyrjes ishte tabela ku shkruhej emri i dyqanit: Lule – Mimoza. Qeshi me këtë gjetje sa intriguese aq edhe poetike. Jashtë dhe në vitrinë ishin ekspozuar me shije vazo të ndryshme lulesh të bukura. Ishin të freskëta dhe mbi petalet e tyre kishte ende bulëza vese. Dukej që shitësja e mbante me kujdes dyqanin dhe luleve u shërbente me merak e pasion. Antonio u ndal duke i vëzhguar me nge, pasi në dyqan ishin dy gra kliente që bisedonin me shitësen. U ndal përpara disa orkideve të bukura e të shëndetshme. Kishte në ngjyrë të bardhë, ngjyrë violë dhe bukuria e eleganca e tyre spikasnin më bukur përtej xhamit. Edhe trëndafilat e zambakët ishin të llojeve e ngjyrave të ndryshme. Dyqani dukej i qeshur e i jepte një pamje të gëzueshme e tërheqëse asaj pjese të trotuarit.
Dy gratë dolën, njëra me një tufë e tjetra me një vazo lulesh në dorë dhe ikën. Antonio u fut pa e zgjatur në dyqan.
-Mirëmëngjes!-përshëndeti me buzagazin e tij që ia hijeshonte fytyrën.
-Mirëmëngjes! E pashë që u detyruat të prisnit ca, po ne gratë kur flasim për lulet nuk dimë të mbarojmë,-tha shitësja.
-Lulet na pëlqejnë edhe ne burrave,-tha Antonio.-Veçanërisht kur janë të zgjedhura me kaq shije e të mbajtura me shumë kujdes. Më pëlqeu edhe kompozimi i tabelës së dyqanit.
-Nuk i shpëtoka asgjë syrit tuaj. U dashka patur kujdes,-qeshi shitësja.
-Mbase është dhunti profesionale. Ne gazetarët ndoshta vëzhgojmë hollësira ku syri i të tjerëve nuk ndalet dhe aq.
-Ah, gazetar. Atëherë u dashka patur kujdes dyfish për të mos rënë në kritikat tuaja.
-Tek ky dyqan mund të bëhet ndonjë fotoreportazh i bukur, se nuk ka asgjë për të kritikuar. Aq më tepër që edhe shërbimi është i kulturuar.
-Prisni, se nuk e keni parë akoma porosinë tuaj. Po sikur mos ju pëlqejë? Pas shqiptimit të këtyre fjalëve shitësja hyri në kthinën prapa dhe pas pak doli me një tufë zambakësh të freskët. Tufa ishte kompozuar me një fantazi delikate e dukej sikur zambakët valëviteshin të pakëputur midis disa lulesh të tjera, ku letra e kaltër e ambalazhit linte përshtypjen e ujit dhe qiellit njëherësh.
-Perfekte!,-ishte e vetmja fjalë që i erdhi për momentin Antonios, që e mori në dorë dhe po e vëzhgonte me kujdes tufën e luleve. Isha i bindur që “Lule – Mimoza” do të kryente një shërbim cilësor, por kjo tufë ua kalon të gjitha parashikimeve të mia. Gati po bëhem xheloz që këtë tufë kaq të bukur do e marrë kolegia ime. Do të doja ta mbaja mbi tavolinën time të punës.
– Koleget tuaja janë me fat që kanë një koleg galant e xhentiluomo si ju,-tha shitësja.
-Edhe këto lule janë me fat që bien në duart e një vajze si ju, që nuk i shikoni thjeshtë si objekte për të shitur, por si qenie për t’u mirëtrajtuar,-u përgjigj ai.
-E thënë nga një gazetar, është një vlerësim që i bën nder dyqanit tim të vogël,-tha vajza me një ndjenjë të sinqertë kënaqësie.
Antonio u kujtua që ora për në punë po afrohej, ndaj pagoi me të shpejtë dhe, duke përshëndetur, i tha shitëses:
-Atëherë më regjistroni në klientët tuaj të rregullt e ndër simpatizantët e “Lule – Mimozës”. Mirupafshim, Mimoza.
-Ditë të mbarë, Antonio. Mirësetëvini!

* * *

Kishin kaluar disa ditë. Mimozës në momentet e para i kishte mbetur një shije e këndshme nga vizita e Antonio dhe herë pas here i kujtonte me të qeshur batutat e fjalët e tij aq të lirshme e aq të natyrshme. Pastaj, e zënë me punët e përditshme, me lulet, dalëngadalë i harroi ato. Gazetarët janë llafollogë të lindur tha një ditë me veten e saj, tek e kujtoi. Kishte kaluar goxha kohë nga dita që Antonio kishte blerë tufën e tij të luleve për kolegen.
Natën kishte rënë një shi i dendur e me erë të fortë. Për fat Mimoza i kishte mbyllur lulet brenda, megjithatë në mëngjes u ngrit më herët se ditët e tjera. Kur vajti përpara dyqanit vërejti se trotuarit kishte shumë gjethe pemësh e degë të vogla të rrëzuara nga shiu i ftohtë. Edhe tabela e dyqanit sikur ishte shtrembëruar pak nga forca e erës. Pastroi shpejt e shpejt trotuarin përpara dyqanit, nxori si zakonisht disa vazo që i bënin një reklamë të mirë dhe e zbukuronin ambientin dhe mori një shkallë për të sistemuar tabelën mbi derë. Pikërisht kur ishte atje lart, vërejti që në trotuarin përballë dikush kishte vendosur një këmbalec, mbi të cilin po fiksonte një kamera, nga ato të operatorëve të Televizionit. Mendoi se do të ishte ndonjë ekip televiziv që do të bënte ndonjë kronikë nga ajo rrugë me trafik e lëvizje të madhe njerëzish. Por pastaj vuri re që kronisti po fokusonte pikërisht dyqanin e saj. Pa i dhënë rëndësi, zbriti nga shkalla dhe u fut në dyqan. Hynë klientët e parë dhe nisi të merrej me ta. Pas pak, përmes xhamave të dyqanit pa që tek operatori u afrua pikërisht Antonio. Diçka po bisedonin dhe vështronin gjithnjë në drejtim të dyqanit. Pastaj kameramani filloi të filmojë. Mori një pamje të rrugës, ku tashmë lëvizja e mëngjezit ishte në kulmin e saj dhe me ngadalë e përqëndroi fokusin mbi dyqanin e luleve. Ndaloi filmimin, e la kameran të fiksuar dhe bashkë me Antonion u drejtuan për tek dyqani.
-Na falni,-tha operatori.-Ju vazhdoni punën tuaj normalisht. Ne jemi duke bërë një kronikë nga njësitë tregtare të kësaj rruge dhe menduam ta fillonim pikërisht me lulet e do ta mbyllim po prapë me lulet. Ju vazhdoni me klientët tuaj,-i tha shitëses.
-Po kështu pa lajmëruar fare? Të paktën të isha veshur disi ndryshe, meqë qenka puna për në televizion,-tha shitësja.
-Lulet nuk kanë nevojë të ndryshojnë ngjyra përpara kameras. Dalin bukur me natyrshmërinë e tyre,-ndërhyri Antonio dhe i buzëqeshi. Ajo ia tundi kokën si me qortim, por vazhdoi punën e saj.
-Sa mirë, do dalim në televizor,-thanë nja dy vajza të reja dhe morën në dorë nga një vazo me lule të bukura.
-Jo,jo, nuk duam pozime. Silluni natyrshëm, trajtoni me shitësen për lulet që do të blini,-iu tha atyre operatori.
Filmimet nuk vazhduan gjatë dhe pasi mori përshtypjet e nja dy klientëve, operatori i tha shitëses të thoshte dy fjalë për punën e pasionin e saj për lulet. Ajo u skuq, ia tundi edhe njëherë me qortim kokën Antonios, por e mblodhi veten dhe fjalët i dolën të natyrshme. Ndihej që puna me lulet ishte një kënaqësi e jetës së saj. Kronisti mbeti i kënaqur, pastaj mblodhi kameran e kamalecin e vazhdoi më tutje me njësitë e tjera tregtare. Ndërsa Antonio u ndal në dyqan me një pamje prej fajtori përpara shitëses.
-Po ju, a nuk mund të kalonit mbrëmë të më njoftonit që do të filmoni sot?-i tha ajo.
-Po t’i njoftonim të gjithë shitësit, atëherë do ikte natyrshmëria e filmimit e do dilte diçka e paramenduar. Pastaj ti di të vishesh përherë me shije e je në harmoni të plotë me lulet e tua. Kështu ishe edhe sot. Komplimenti për intervistën. Fole vërtet bukur.
-Vërtet? Mua m’u duk sikur thashë budallallëqe e mendova se teleshikuesit do më tallin kur ta shohin.
-Aspak. Ata do mendojnë se ashtu siç i ke lulet, i ke edhe fjalët, të bukura e të natyrshme.
-Faleminderit. Sidoqoftë, do ma paguani këtë që më bëtë sot pa më lajmëruar.
-E marr me kënaqësi përsipër rrezikun. Sot e kam ditë të lirë, ngaqë punova të dielën mbi një koncert. Do vij t’ju marr për drekë të shkojmë në një lokal të bukur. Kështuqë pushimin e drekës e keni të zënë me mua. Mirupafshim. Pa i lënë kohë të përgjigjej, ai doli nga dyqani dhe shkoi drejt mikut të tij telekronist.
Mimoza mbeti e hutuar nga ai lumë fjalësh e aq më tepër nga ikja e befasishme e Antonios. Si ta merrte atë ftesë të befasishme për drekë? Ishte thënë me aq natyrshmëri e çiltërsi. Nuk pati kohë ta mendonte e analizonte me vete se klientët vërshuan si asnjë ditë tjetër. Sikur ajo kronikë televizive e pashfaqur akoma të kishte bërë publicitet të menjëhershëm. Ora e drekës erdhi pa e kuptuar dhe ajo pati kohë sa të shikonte makinën që u ndal para dyqanit. Brenda saj ishte Antonio. I la gjërat siç i kishte mbi banakun e punës, mori çantën e saj të dorës, mbylli dyqanin dhe u drejtua për tek makina.
-Ju gazetarët kështu e keni zakon, të vini gjithnjë përpara faktit të kryer?
-Kur fakti është i bukur, pse të mos bëhet i kryer?-iu përgjigj ai me pyetje.-Nuk shoh asgjë të keqe në ngrënien e një dreke.
-Gjë të keqe nuk ka, por unë preferoj të kem edhe zërin tim në kapitull, kur bëhet fjalë për gjëra që më përkasin direkt.
-Atëherë, që të keni zë në kapitull, zgjidhni lokalin që iu pëlqen,-i tha ai.
-Prapë me të hedhur. Po sikur të mos ju pëlqejë zgjedhja ime?
-Me sa kam vënë re unë, dyqani “Lule-Mimoza” bën zgjedhje gjithnjë të bukura. Le pastaj pronarja…,-tha ai.
-Më pëlqen ta shikoj qytetin ga lart,-foli e vendosur ajo. Ngjitemi ne piken me te larte.Antonio, pa e zgjatur, nisi makinë.. Rruga, mbasi lije pas ndërtesat e fundit të kryeqytetit, gjarpëronte gjithnjë në ngjitje. Anash saj hotele luksose, lokale e restorante të shumta. Antonio priste nga çasti në çast fjalën e Mimozës që t’i thoshte të ndalonte pranë ndonjë lokali, ndonëse në kokë kishte një ide të tijën. Por ajo llafoste e gëzuar, ose më mirë cicërinte si një kanarinë, e shpenguar. Nuk e kuptonte as vetë përse ndihej kaq mirë në shoqërinë e Antonios. Shprehte entuziazëm përpara pamjeve të bukura, gjelbërimit të dendur, luleve që harliseshin në ajrin e freskët të malit. Antonio ecte gjithnjë përpara dhe, pasi u ngitën në pikën më të larte.
-Po ju, nga e dinit që pikërisht këtë lokal kisha në mendje?-pyeti e befasuar Mimoza.
-Ne gazetarët i lexojmë mendimet,-tha ai duke qeshur. Pastaj vetë sytë e tu janë një panoramë e bukur,-shtoi duke i folur në njëjës.
-Panoramën do ta shijojmë nga taraca e lokalit,-tha ajo,duke zbritur.-Të shpresojmë të ketë ndonjë tavolinë bosh në taracë.
Nga tre tavolinat që ishin të lira, ata zgjodhën atë të qoshes, që të ishin disi më të veçuar nga njerëzit. Prej aty panorama e kryeqytetit ishte vërtet e bukur. Antonio nxori makinën e vet fotografike dhe bëri dy-tri shkrehje. Mimoza ishte përkulur lehtë mbi parmakun e taracës dhe shikonte e kënaqur pejsazhin. Antonio përfitoi nga rasti dhe e fotografoi profilin e saj, që shkrihej sikur ishte në ajër mbi atë pejsazh malor me kryeqytetin në sfond. Ishte një kapje e bukur, nga ato që nuk i shpëtonin syrit të stërvitur të Antonios.
Porositën verë të mirë italiane dhe pjatanca nga më të zgjedhurat e lokalit. Tek po pinin verë, Antonio i tregoi në displey foton që kishte shkrehur.
-Sa i keq që je. Pa më pyetur,-i tha ajo.-Por të fal se më paske kapur bukur,- u shpreh me lirshmëri ajo, pa e kuptuar që kishte kaluar në njëjës.
-Nuk është meritë e fotografit. Ti je fotozhenike dhe në çdo foto del bukur. E pashë edhe gjatë filmimit. Dukeshe një mrekulli aty midis luleve. Me siguri kanë dalë kuadro të bukur. Do i shohim në darkë në emisionin që ka përgatitur miku ynë.
-Më thuaj të drejtën, idea jote ishte ajo e filmimit?
-Jo, ai është miku im dhe më kishte folur për idenë që kishte. Më kishte kërkuar t’i bëja tekstin. Unë në këmbim i kërkova që kronikën ta fillonte e ta mbyllte me lokalin “Lule – Mimoza”.
-Mendova se pas asaj porosisë për koleget nuk do të vije më.
-Patjetër që do të vija. Por kam qenë edhe nëpër rrethe këto ditë. Erdhi puna e emisionit e u bëra i gjallë. Do vi të marr edhe një tufë lule për ta patur në tavolinë. E dua me etiketën “Lule – Mimoza”. Kështu do të të kem më tepër parasysh e do kujtohem të vij më shpesh.
-Për mua do jetë kënaqësi të vish. Pas asaj mbrëmjes i fola një shoqeje dhe ajo më tha që ishit gazetar e emrin e gazetës për të cilën punoni. Aty u kujtova që ju kam lexuar disa herë. Më pëlqejnë shkrimet e tua, se kanë shumë kulturë.
-Më përkëdhelin këto fjalë të thëna nga një vajzë e bukur e me shije të holla.
Tashmë Mimozës komplimentet e tij i dukeshin një gjë e natyrshme dhe nuk skuqej si në fillim. E vështronte gjatë në sy e ai dukej sikur përhumbej në sytë e saj. Trokisnin gotat e verës në heshtje, duke u parë gjatë në sy. Një buzëqeshje çelte në buzët e saj si petale trëndafili dhe ndjente përvëlimin e syve të tij mbi buzët e saj. Një ngrohtësi i përshkonte tërë qenien. Kjo vazhdoi gjatë tërë drekës. Pasi pinë kafetë, dolën një shetitje në lëndinën përpara lokalit. Ajo ishte e mbushur me lule gjithfarësh. Në një moment Antonio këputi një lule të bukur ngjyrë violë dhe ia vuri mbi flokë, ndërsa e vështronte thellë në sytë e saj të shkruar. Ajo qëndroi pa lëvizur. Pastaj ai i bëri një plan të parë fytyrës së saj me lulen mbi flokë dhe ia tregoi. Koka e saj kishte në sfond qiellin e kaltër dhe buzëqeshja e saj e lehtë me lulen delikate mbi flokë shkriheshin aq bukur në atë sfond.
-Këtë ma dërgo se do ta vë në profil në fb,-tha ajo.-Je mjeshtër i fotografisë.
-E ti je muza që më nxit për foto të bukura. Do të të bëj një album të plotë,-tha Antonio.

* * *

Pas asaj dreke Antonio dukej shpesh në dyqanin e saj. Mëngjezeve rruga i kalonte përpara dyqanit dhe e fillonte ditën me përshëndetjen e me buzëqeshjen e saj. Kur nuk kishte klientë në dyqan ai ndalej e shkëmbente dy fjalë, herët e tjera mjaftoheshin me një përshëndetje. Në pushimin e drekës ai e ftonte shpesh për kafe në lokalet aty afër. Mbrëmjeve vonë dëgjoheshin në telefon, ose shkëmbenin mesazhe në messenger. Herë pas here ai i dërgonte foto dhe ajo mbetej gjithnjë e kënaqur nga kapjet e tij. Ishin bërë të afërt për njëri-tjetrin dhe e ndjenin domosdoshmërinë e takimeve, qoftë edhe për një kafe sëbashku.
Një pasdite Mimoza i telefonoi Antonios dhe i kërkoi që ta mbante të lirë mbrëmjen. I tha që të kalonte nga dyqani në orarin e mbylljes. Antonio mbeti i befasuar nga kjo kërkesë e saj. Jo aq nga fakti për të kaluar nga dyqani, pasi ai tani e bënte shpesh këtë dhe e përcillte me kënaqësi deri në shtëpinë e saj, por për faktin që ta kishte mbrëmjen të lirë. U kujtua që gjatë ditës nuk ishte futur fare në fb, për shkak të ngarkesës së madhe të punës në gazetë. Hapi fb dhe u fut direkt tek profili i Mimozës. U befasua kur pa që shumë nga miket e miqtë e saj e uronin për Ditëlindjen. U pezmatua dhe e shau veten për figurën e shëmtuar që kishte bërë përpara saj. Asnjë urim, asnjë telefonatë gjatë ditës. Si ta riparonte këtë situatë?
Ndërsa sillej i hutuar mbi trotuar, vuri re që gati përballë tij në anën tjetër të rrugës ndodhej një dyqan ari. Pa u menduar gjatë shkoi drejt tij. Brenda ishte një zonjë e re dhe e bukur, e cila e priti me buzëqeshje.
-Dëshiroj ndihmën tuaj,-i tha ai shitëses.-Dua të bëj një dhuratë për një miken time që ka ditëlindjen. Do më ndihmonte këshilla dhe shija juaj.
-Një mike intime, apo thjeshtë mike?-pyeti ajo.
-Le të themi një mesatare midis të dyjave.
-Atëherë larg nga prodhimet e arit sepse janë shumë impenjative e mbase është shpejt,-tha shitësja.-Do këshilloja më shumë një varëse me gur, nga ato që shkojnë shumë për të reja.
-Pikërisht mendimi që më duhej,-tha Antonio.
Shitësja u vu në lëvizje dhe solli disa varëse të bukura me gurë të madhësive e ngjyrave të ndryshme. I hapi mbi banak. Antonio po i shikonte me radhë e po mundohej të përfytyronte cila do shkonte më mirë në qafën e Mimozës. Iu ndal syri në dy-tre, por ishte i pavendosur. Shitësja e kuptoi hezitimin e tij dhe vuri gishtin tek një varëse me gur jo shumë të madh në ngjyrë turkeze.-Unë do të zgjidhja këtë,-tha ajo. Antonio nuk hezitoi më dhe i tha t’ia paketonte. E futi dhuratën në çantën e tij ku mbante makinën fotografike dhe doli në rrugë. Ora po shkonte drejt mbylljes së dyqanit dhe ai mori rrugën për tek Mimoza. Ndihej si në faj, por nuk do ta bënte veten. Mimoza ishte krejt vetëm në dyqan dhe po bëhej gati për mbylljen.
-A pranoni klientë në këtë orë të vonë?-pyeti ai duke hyrë në dyqan.
-Ndonjë kolege tjetër ka nesër ditëlindjen?-e pyeti jo pa ironi ajo.
-Sot nuk vij për koleget, por vij për një mike,-tha ai.-Dua të më bësh tufën më të bukur që ke bërë ndonjëherë.
-Edhe këtë radhë me zambakë?
-Jo, këtë radhë do vesh në qendër dhjetë trëndafila të kuq. Pastaj për të tjerat ia lë në dorë fantazisë tënde. Ki kujdes se ajo ka shije të tilla që fare lehtë mund të më lerë në klasë për injorancën time në këtë materie,-tha ai.
-Kush qenka kjo mike me kaq fat e njëkohësisht kaq tekanjoze?- tha ajo.-Pastaj dhjetë trëndafila të kuq? Është një tufë lule apo një bombë surprizë?
-Do ta njohësh shumë shpejt,-i tha ai.-Unë po shkoj deri tek ajo libraria atje përballë të pyes për një libër se mos më mbyllet e pastaj do vij të të marr.
Në fakt, tek libraria vajti për të gjetur ndonjë kartolinë. Për fat gjeti një ku ishte mali i Dajtit me restorantin “Panorama”. E mori shpejt e shpejt dhe u ndal mbi banak për të shkruar një urim. Përnjëherësh i erdhi në mendje motivi i një poezie që i vërtitej prej ditësh në mend dhe shkroi mbi kartolinë:

MIMOZË E VOGËL QË ÇEL NË VJESHTË

Ma ka ënda të shetis këtij parku të bukur,
ku vjeshta ka derdhur gjithë arin e saj,
përmbi lule vërtitet ende ndonjë flutur,
paska ngatërruar tetorin me maj.

Më tërheq vëmendjen një mimozë e vogël,
polenin e verdhë lehtë ia merr era,
ajo ka zgjedhur të lulëzojë pa u ndrojtur
kur tashmë janë zhveshur pemët e tjera.

Me ngadalë këpus një bistak të njomë,
e përkëdhel e me mall i marr erë,
përjashtim i parkut kjo e vogla mimozë
edhe në vjeshtë di të sjellë pranverë.
E futi kartolinën në zarf dhe vrapoi tek dyqani i luleve, ku Mimoza po lidhte fjongot mbi tufën e madhe e të ambalazhuar aq bukur.
-Ja edhe tufa për miken tuaj. Besoj do të mbetet e kënaqur. Deri këtu shkon talenti im,-tha ajo duke ia zgjatur.
-E shikoj që ia ke kaluar vetvetes,-tha ai.-Është tamam tufa që doja.
E mori në dorë, e vështroi me sytë që i shkëlqenin nga lumturia dhe pastaj nxori ngadalë zarfin me kartolinën. Mori një kapëse nga banaku dhe e mbërtheu zarfin tek veshja prej letre e tufës. E mbështolli me të dy duart dhe ia zgjati Mimozës:
-Gëzuar Ditëlindjen!
Ajo mbeti e befasuar dhe e pa me mosbesim.
-Vërtet për mua është?
-Unë nuk njoh ndonjë tjetër këtu që të ketë ditëlindjen, tha ai.
-Uaaaa. Shumë e papritur. Mendoja se nuk e dije ditëlindjen time. Nuk e kishim përmendur ndonjëherë,-tha ajo duke e marrë buqetën.
-Të kam thënë që ne gazetarët kemi burime të shumta informacioni, -tha ai.-Edhe njëqind!. Pas këtyre fjalëve i hodhi krahun rreth qafës dhe e puthi në faqe.
-Unë desha të ta bëja surprizë,-tha ajo.-Ndaj të ftova që të shkojmë ta festojmë bashkë në një lokal.
-Ti çdo ditë je një surprizë për mua,-i tha ai. -Atëherë ku do të shkojmë?
-Kam menduar t nje lokal i qete ne dalje te qytetit .Apo ke ndonjë preferencë tjetër?
-Zgjedhjet e tua janë perfekte. Ndaj mos vonohemi.
Lokali shkëlqente nga dritat nën hijen e rëndë të pemëve të mëdha që mbulonin taracën. Tavolinat ishin të ndara në disa ballkone të vogla si lozha teatri. Kjo krijonte një lloj intimiteti për klientët. Zunë vend në një nga llozhat dhe tani e vështronin malin e Dajtit që nga Sauku. Panorama edhe këtu ishte e mrekullueshme. Ishin të dy të gëzuar e gati nuk i linin radhë njëri-tjetrit për të folur. Mimoza ishte veshur bukur, me një fustan të kuq, që i shkonte shumë edhe me trukun që kishte bërë. Porositën përsëri verë të zgjedhur italiane dhe prodhime të zgarës.
Pasi mbushën gotat me verë, Antonio e ngriti ngadalë e tha:
-Një dolli për vajzën më të bukur që kam njohur ndonjëherë, për lulen time të preferuar me emrin Mimozë.
I ngritën gotat dhe për një çast ndenjën të heshtur, duke u vështruar sy ndër sy. Në sytë e Mimozës shkëlqente një dritë e veçantë, që dukej sikur do i bënte konkurencë hënës që sapo kishte dalë mbi Dajt. Antonio hapi çantën e dorës dhe nxori prej aty një kuti të bukur e të ambalazhuar me delikatesë.
-Kjo është për ty,-i tha.
-Për mua? Po a nuk mjaftonte gjithë ajo tufë me lule?
-Ajo ishte për të të kërkuar falje që nuk të kam uruar që në mëngjes në telefon. Kurse kjo është diçka për qafën tënde prej mjellme.
Mimoza e hapi dhe lëshoi një thirrje admirimi kur pa varësen brenda kutisë. -Wow! Është e mrekullueshme.
Antonio e nxori ngadalë varësen nga kutia. Pastaj u ngrit në këmbë dhe i tha:-Mundem t’jua vë unë në qafë?
-Me kënaqësi,-tha ajo, por jo pa një ndrojtje të vogël, duke përkulur lehtë kokën.
Antonio e vuri me delikatesë mbi qafën e saj e ia drejtoi mirë mbi gjoks. Ishte vërtet i këaqur nga zgjedhja që kishte bërë. Mimoza e shikonte me sytë të mbushur me mirënjohje, por edhe me një dashuri që ajo nuk e kishte ndjerë ndonjë herë. Fytyrat e tyre ishin aq pranë. Antonio i vuri njërën dorë në bel dhe e tërhoqi drejt vetes pa gjetur rezistencë tek ajo. Mbështeti buzët e tij mbi të sajat dhe u puthën gjatë, gjatë. Kamerieri erdhi të sillte pjatancat e iu desh të priste. Pastaj, kur ata u ulën, i vuri pjatat mbi tavolinë, duke shqiptuar:-Urime!

* * *
Kishte tre muaj që Antonio kishte ikur jashte vendit. I kishte ardhur një ftesë nga një i njohuri i tij në një studio publicitare dhe ishte sistemuar menjëherë me punë atje. Ndërsa Mimoza vazhdonte si gjithnjë me dyqanin e saj të luleve. Po afrohej dimri e disi puna fillonte të binte. Asaj i dukej sikur ndjente më shumë ftohtë nga mungesa e Antonios, me të cilin dëgjohej në tel përditë, por nuk e shihte që nga ikja e tij e papritur. I vinte zor ta pyeste se kur kishte ndërmend të vinte ndonjëherë këtej, ndonëse një mall i çmendur e torturonte gjithë ditën e sidomos netëve pasi binte të flinte. I dukej sikur dashurinë e saj të sapoçelur ia kishte rrëmbyer dikush. Kur flisnin në telefon shpesh lotët ia lagnin fjalët e zëri herë-herë sikur i dilte i dobët, por nuk e bënte veten.
Atë mbrëmje ndihej tërësisht e vetmuar. U mbyll në dhomën e saj e lexoi për të disatën herë poezinë që Antonio i kishte shkruar për Ditëlindjen. E donte në mënyrë të veçantë atë poezi, ndonëse ai i dërgonte herë pas here poezi të tjera nëpërmjet postës elektronike. E hapi kompiuterin me shpresën që të gjente tek posta elektronike ndonjë poezi të re. Në fakt dukej që kishte diçka në email. E hapi me padurim dhe, sapo e pa atë çfarë kishte dërguar Antonio, u shkreh në lotë gëzimi.
Ishte një ftesë në emrin e saj dhe bileta e udhëtimit me të cilën pas dy ditësh do të nisej për te Antonio.

Të Lidhura

Reuters: Të dhënat satelitore tregojnë se Toka po bëhet gjithnjë e më e ndritshme natën
Të ndryshme

Reuters: Të dhënat satelitore tregojnë se Toka po bëhet gjithnjë e më e ndritshme natën

10 Prill, 2026
Mos e qëroni më mollën! Pjesa që po hidhni çdo ditë është…
Të ndryshme

Mos e qëroni më mollën! Pjesa që po hidhni çdo ditë është…

8 Prill, 2026
Kush ishte Franko Krroqi, inxhinieri qê mundi Ramiz Alinë në zgjedhjet e 31 marsit 1991. Premtimi që i dha banorëve autoktonë të Njësisë 8…
Histori

Kush ishte Franko Krroqi, inxhinieri qê mundi Ramiz Alinë në zgjedhjet e 31 marsit 1991. Premtimi që i dha banorëve autoktonë të Njësisë 8…

5 Prill, 2026
Trump kërkon 152 milionë dollarë për të rihapur burgun famëkeq të Alcatraz-it
Të ndryshme

Trump kërkon 152 milionë dollarë për të rihapur burgun famëkeq të Alcatraz-it

5 Prill, 2026
“1 Prilli, Dita  e Gënjeshtave”/ Si ka filluar dhe ç’duhet të dini
Të ndryshme

“1 Prilli, Dita e Gënjeshtave”/ Si ka filluar dhe ç’duhet të dini

1 Prill, 2026
Jurgen Gjoni, një zë i ri që sjell emocion dhe shpresë në poezi
Të ndryshme

Jurgen Gjoni, një zë i ri që sjell emocion dhe shpresë në poezi

31 Mars, 2026

TË FUNDIT

Kryetari i PLL-së, Shpëtim Axhami, uron Pashkët për besimtarët ortodoksë
Aktualitet

Kryetari i PLL-së, Shpëtim Axhami, uron Pashkët për besimtarët ortodoksë

12 Prill, 2026

Temperatura deri në 40 gradë, njihuni me parashikimin e motit për sot
Aktualitet

Dita nis me kthjellime, çfarë pritet të sjellin orët e pasdites?

12 Prill, 2026

Dështojnë bisedimet SHBA–Iran në Islamabad, Vance: “Nuk arritëm marrëveshje”
Bota

Dështojnë bisedimet SHBA–Iran në Islamabad, Vance: “Nuk arritëm marrëveshje”

12 Prill, 2026

“Informacioni që morëm një vit më parë” – Netanyahu zbulon ARSYEN pse u sulmua Irani
Bota

“Informacioni që morëm një vit më parë” – Netanyahu zbulon ARSYEN pse u sulmua Irani

12 Prill, 2026

"InfoPressAlbania", është një media e re online, e lançuar më 04 Nëntor 2018. Synimi i "InfoPressAlbania" është informimi në kohë reale i ngjarjeve, por edhe zhvillimeve të tjera nga politika, showbiz, sport, kulturë, etj. Moto e "InfopressAlbania" është: Lajmi vjen tek lexuesit përmes këndeve të ndryshme të vëzhgimit. Ne hulumtojmë përtej lajmit për të shpalosur për lexuesit të vërtetën. E veçanta e InfoPressAlbanai qëndron në promovimin e "Modeleve të Suksesit" të bizneseve dhe individëve në fusha të ndryshme, që me shembullin e tyre janë motivues për gjithsecilin. I përkushtuar për të ofruar një mbulim origjinal konstant në të gjithë Shqipërinë mbi fushat e lartpërmendura, InfopressAlbania, synon gjithashtu, të sigurojë akses në lajmin e parë, duke ofruar një staf gazetarësh që do të shërbejnë si sistem rrjetizues për mbulimin e informacionit në të gjithë territorin.

@2024 InfoPressAlbania

No Result
View All Result
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz

© 2024 Infopressalbania.com