Nga, Simon ULNDREU
I themeluar si një koloni tregtare britanike në shekullin e 19-të, Singapori është një metropol i gjallë në Azinë Juglindore dhe vendi i portualeve më të ngarkuara në botë.
Singapori fitoi pavarësinë në vitin 1959 dhe në 1963 u bashkua me Federatën e Malajzisë. Në vitin 1965 u largua nga federata dhe u bë e pavarur si Republika e Singaporit.
Sot, ajo operon si një Republikë Parlamentare konservatore, që është e njohur botërisht për ligjet dhe rregullat e saj të rrepta. Ndërsa siguria publike dhe ajo kombëtare shërbejnë si shtylla kryesore e krenarisë së vendit.
Singapori ka ndërtuar dhe ka shfrytëzuar me efikasitet të lartë “Strategjinë e diversitetit të njohurive”, me të cilën ai ka arritur statusin e shoqërive më të zhvilluara dhe më të pasura të planetit.
Por cila është forca e vërtetê magjike e Singaporit?
Singapori dhe Malajzia kanë ndjekur politika strikte shkencore për të vendosur regjime të rrepta “Për qeverisjen nëpërmjet njohurive” dhe “Për një ekonomi të bazuar në dije”. Singapori ka realizuar përvoja më të mira me modelin e formimit të grupimeve bazuar në diversitetin e mendimeve dhe infuzionin e mirë-planifikuar të njohurive me anë të të ashtuquajturve “emigrantë”.
Në bazë të studimeve empirike, në të dy vendet është zbuluar, se si diversiteti etnik dhe fetar ndikon në aftësinë për të zhvilluar një kulturë epistemike dhe të qëndrueshme për një ekonomi inovative, të bazuar tërësisht në njohuri.
Një nga katër luanët ekonomikë të Azisë, Singapori ka parë vetëm rritje mbresëlënëse, pasi praktikat efikase të prodhimit kanë hapur rrugën për inovacionin e tregut të lirë në industrinë elektronike dhe atë farmaceutike në lulëzim.
Prodhimi i brendshëm bruto për frymë është i lartë dhe papunësia është e ulët, duke e bërë Singaporin, këtë vend të vogël me popullsi rreth 6 milion banorë dhe me sipërfaqe vetëm 719 km2, vendin e dytë më të pasur të Azisë dhe një prej vendeve më të pasura në botë.
Singapori po ndërton një ekonomi të bazuar në njohuri për të përballuar sfidat e mijëvjeçarit të ri. Diversifikimi i njohurive, kreativiteti dhe inovacioni do të jenë përcaktuesit kryesorë të konkurrencës afatgjatë.
Për këtë arsye, Qeveria e Singaporit ka parashikuar rritje eksponenciale të popullsisë në dekadat e ardhshme, me “shkencëtarë emigrantë”, që pritet të përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë deri në vitin 2030.
Katër gjuhë zyrtare, mandarin, anglisht, malajzisht dhe tamile e lidhin popullsinë e ndryshme të këtij kombi krenar, me vendin e tyre dhe me botën në tërësi.
Suksesi i Singaporit ka shtruar përpara studiuesve dhe ekspertëve ndërkombëtarë tre pyetje thelbësore:
1. Në çfarë mase këto përvoja mund t’i atribuohen dallimeve në fushën e “Qeverisjes së njohurive”?
2. Deri në çfarë mase proceset e inovacionit dhe krijimit të vlerës së diversitetit në organizatë janë të nxitura ose të bllokuara kulturalisht (p.sh. për shkak të dendësisë së diversitetit të aktorëve të përfshirë)?
3. Cilët janë katalizatorët qendrorë socio-kulturorë dhe organizativë të proceseve të suksesshme të transferimit të njohurive në kontekste multikulturore?
Singapori ka selinë e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor dhe është anëtar i një numri të madh organizatash ndërkombëtare, përfshirë Forumin e Rajonit të Azisë, Kombet e Bashkuara dhe Organizatën Botërore të Tregtisë.











