Gjykata Kushtetuese ka shtyrë sërish seancën për operacionin për ndërtimet pa leje me VKM.
Seanca kësaj here është shtyrë me pretendimin se firmëtarët të cilët kanë firmosur këtë kërkesë duhet të jenë të pranishëm në sallë.
Në një deklaratë për mediat deputeti demokrat, Gazment Bardhi, e cilësoi si absurd këtë kërkesë të Gjykatës Kushtetuese, teksa më tej akuzoi trupën se po përpiqen të zvarrisin çështjen me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
“Zvarritje dhe zvarritje. Ajo që unë konstatoj është se shantazhi i kryeministrit ka mbërritur në Gjykatën Kushtetuese. Një pjesë e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese e kanë marë mesazhin mafioz nga kryeministri”, tha Bardhi.
Operacacionin e qeverisë për konfiskimin e ndërtimeve opozita e quajti shkelje të ligjit ndaj PD e dërgoi në Kushtetuese me kërkesën për shfuqizimin e vendimit pasi sipas demokratëve Rama ka marrë në mbrojtje oligarkët e ndërtimit të Kullave pa leje në mes të Tiranës. PD përmes padisë argumentoi të gjitha shkeljet e ligjit.
“Është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse cënon barazinë e shtetasve përpara ligjit, cënon hierarkinë e akteve normative dhe nuk është autorizuar nga ligji; – Është në kundërshtim me Kodin Penal, sepse i jep amnisti penale një kategorie personash, pa ligj të miratuar me 3/5 e votave në Kuvend; – Është në kundërshtim me ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit; “Vendimi i qeverisë parashikon që kushdo që ndërton kulla pa leje apo kate shtesë pa leje, duhet ta deklarojë, tja shes shtetit për 1 euro, me pas mund ta blejë dhe e gëzon ndërtimin e paligjshëm i pashqetësuar.
Ky akt është legalizim pa ligj i ndërtimeve pa leje, është amnisti penale pa ligj, duke i përjashtuar nga dënimi me burg, është certifikim i pabarazisë mes qytetarëve”, – thuhet në padinë e PD-së. Ligji I qeverisë krijoi pasiguri të shumta juridike për konfisikimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi, që u miratua në fillim-vjeshtë të vitit të kaluar. Mjaft qytetarë, që kanë blerë apartamente në 25 ndërtesat e konfiskuara tashmë, shprehën shqetësimin mbi të ardhmen e investimit të tyre në këto objekte. Juristët shprehen se vendimi i keshillit të ministrave cënon të drejtën e pronës, dhe të sigurisë juridike.
Në shtator të vitit të kaluar Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, përmes së cilit pronarët e pallateve ose duhet ta blejnë ndërtimin pa leje me çmimi tregu dhe i legalizohet, ose ia dhurojnë shtetit, ose ndryshe i sekuestrohet. Vendimi qeverisë për ndërtimet pa leje solli atëherë reagimin e fortë të Partisë Demokratike, e cila nëpërmjet Gazmend Bardhi, e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese me datën 12 tetor 2022. Padia u firmos nga 28 deputetë demokratë me arsytimin se ligji nuk është i barabartë për të gjithë dhe se kryeministri Edi Rama po amniston oligarkët duke qenë selektiv.
PD kërkoi shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën. Sipas padisë ky vendim i qeverisë është marrë ne qëllim favorizimin e oligarkëve, të cilët kanë ndërtuar kate pa leje përmes të cilave kanë pastruar paratë e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Tiranë. PD kërkon shfuqizimin e këtij vendimi me argumentin se është në kundërshtim me Kushtetutën, pasi cenon barazinë e qytetarëve para ligjit.
Ndërtimi pa leje është vepër penale dhe organet hetimore të paktën për 4 raste në Tiranë kanë nisur hetimet. Edhe pse autoritetet janë shprehur se Vendimi i Këshillit të Ministrave për konfiskimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi nuk i shpëton ndërtuesit që kanë tejkaluar lejen e ndërtimit nga ndjekja penale, sërish paqartësitë ligjore janë të shumta. Kontrolli i ndërtimeve pa leje kryhet nga disa institucione si Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, Inspektoriatet e Mbrojtjes së Territorit në njësitë vendore, policia bashkiake dhe ajo e shtetit.











