Kandidati i Opozitës për Bashkinë e Tiranës, në seancën parlamentare ku dorëzoi mandatin, u ka bërë thirrje deputetëve socialistë që të përqafojnë edhe ata ndryshimin që po vjen me 14 Maj.
Që në krye të fjalës së tij, ai ka veçuar dhe vlerësuar socialistët e ndershëm, dhe ka përmendur me emër Rexhep Mejdanin dhe Pandeli Majkon.
“Shumë rrallë, pashë këtu një debat, një ngritje të fuqishme zëri, një qëndrim pa kompromis për diçka që ka të bëjë me mirëqënien, me jetën e përditshme të njerëzve. Kacafytje për mirëqënien dhe interesat e rilindjes, të grupit kryesor të saj që qëndron këtu pas meje, sepse këtë më duhet ta them; lakmia e babëzia, errësimi i arsyes e logjikës së shëndoshë para pasurimit, nuk vlen njëlloj për të gjithë kolegët socialistë”, u shpreh Këlliçi.
Më tej ai theksoi:
“Jam i bindur se edhe ju, për veten tuaj e familjet tuaja, e kërkoni ndryshimin. Dhe shumë prej jush që e ka këtë mundësi, që e ka të drejtën e votës në Tiranë, jam i sigurtë se do ta ushtroni në fshehtësi këtë tagër, do ta kapni këtë shans, këtë orë, që po i vjen kryeqytetit. Mos qëndroni prapa qytetarëve, në shije e në zgjedhje. Eshtë rasti të vini në mendjen e tyre, në përmasat, në lëkurën, në këpucën e atyre që ju kanë sjellë këtu. E keni 14 majin mundësi të artë, në mënyrë që të bëjmë atë ndryshim që presin qytetarët tanë prej shumë e shumë kohësh”.