Nga Vita Blloshmi-KOZELI
-Tregim-
Nora kishte mbështetur kokën në xhamin e dritares. Përjashta një shi i rrëmbyer kishte krijuar lumej të mëdhej me ujë. Ndërsa në televizor dukeshin pamje ku shiu kishte shkaktuar përmbytje, shkatërruar toka, rrugë e shtëpi të tëra. Asaj i dukej se çdo pikë shiu, që binte ashtu rrëmbyeshëm, gërryente më shumë tokën dhe toka rënkonte dhimbshëm. A nuk i duhet vallë shiu tokës? Këto shira të dendura po binin pas disa muaj thatësire të gjatë. E toka, lulet, drurët, zogjtë e çdo gjë e gjallë mbi tokë ishin tharë për një pikë uji. Toka e priste shiun, siç pret hekuri i skuqur një pikë ujë që të kalitet. E priste siç pret një vashë e dashuruar prej kohësh takimin e parë me të dashurin në shtratin e dashurisë. Atëherë pse duhet të ndjejë dhimbje toka, kur vërshon shiu aq i shumëpritur? Apo mbase edhe një gjë aq e dëshiruar shkakton dëme kur vjen në sasi e mënyrë të ekzagjeruar?
Këto pyetje i bënte vetes Nora dhe ishte në një gjendje të turbulluar shpirtërore, sa nuk dinte t’u jepte përgjigje atyre. Kjo gjendje e saj kishte justifikimin e vet…Sapo ishte kthyer nga një varrim jo i zakonshëm. Një nuse e re, akoma pa bërë vitin si e martuar, kishte vdekur nga dora e asaj që ajo në fillim e kishte menduar një dashuri të madhe. Ishte vetëm 25 vjeçe dhe ishte aq e bukur sa nuk kishte të dytë në atë zonë. Prindërit e kishin veshur me fustan të bardhë, zakon i atyre anëve, ku nuset që vdisnin pa mbushur akoma vitin dhe pa u bërë nënë, dërgoheshin në banesën e tyre të fundit me fustan nusëror. Në arkivol ajo dukej sikur flinte. Nëna e gjorë e fërkonte dhe qante me zë të ulët, sepse nuk kishte më as zë e as lot: Ngreu e vogla e nënës-o, se të kanë ardhur shoqet-o. Ishte e vështirë të dalloje nëse ishte vaj apo këngë, por aty kishte dhimbje, shumë dhimbje. Mbase nëna e gjorë donte ta përcillte vajzën me këngë, siç e kishte përcjellë atë ditë që ishte bërë nuse. E brenda saj nuk gjente me forca të qante, të qante atë nuse që e vrau dashuria.
Si mund të vrasë dashuria?
Nora e njihte atë vajzë të shkretë. Ishte më e bukura e shoqeve, më e gjalla, më gazmorja, ishte flutura që i bënte fluturat e tjera të mblidheshin rreth saj përpara se të ndalnin fluturimin e tyre në lulet më të bukura të lulishteve e kopshteve përreth. Të gjitha shoqet u habitën kur ajo u dashurua me një djalë, të cilin shumë prej rrethit të tyre shoqëror as që do ta kishin marrë në konsideratë. Por, siç thuhet, dashuria është e verbër. Kur shoqet i flisnin, ajo u mbante qëndrim dhe u thoshte që atë djalë e dashuronte marrëzisht. Deri në atë shkallë sa të humbiste edhe arsyen. Edhe ai tregohej i dashuruar pas saj. Një dashuri, që dalëngadalë filluan ta pranonin të gjithë dhe me vete u uronin lumturi. Deri një ditë…
Pas martesës ajo hyri në punë, në një punë që i pëlqente. I pëlqente edhe ambienti i punës, i pëlqente shoqërimi me kolegët e me koleget e saj të punës. Ishte gjithnjë në qendër të vëmendjes për bukurinë, zgjuarsinë, ndershmërinë e përkushtimin e saj në punë. Por pikërisht kjo gjë sikur nuk po i shkonte më për shtat bashkëshortit të saj të ri. Nuk i pëlqente kur e shihte në kafene me shokë e shoqe. Nuk i pëlqente kur ajo vishej bukur e nisej për në punë. Nuk i pëlqente…Tashmë, pak muaj pas martese, tek ai kishte më shumë gjëra që nuk i pëlqenin nga ato që i pëlqenin tek bashkëshortja. Xhelozia çdo ditë e më tepër po hidhte rrënjë në shpirtin e tij. I tha të mos shkonte më në punë, meqenëse punonte ai shumë e fitonte për ta mbajtur i vetëm familjen. Por ajo kundërshtoi, duke thënë se nuk e imagjinonte veten të mbyllur brenda mureve të shtëpisë.
Kjo gjë e tërboi bashkëshortin e saj. Filloi ta ndiqte fshehurazi, kur ajo shkonte në punë e kur kthehej nga puna, kur dilte lokaleve për ndonjë kafe apo kur shkonte në ndonjë festë të organizuar nga kolektivi i punës. I përgjonte telefonin, që ajo e linte pa të keq nëpër ambientet e shtëpisë, duke mos dyshuar në veprimet e të shoqit. Nuk kishte asgjë për të fshehur, ndaj e linte fare lirisht telefonin në kuzhinë edhe kur ndonjëherë shtrihej për të pushuar pas lodhjes në punë.
Por të gjitha këto veprime të çiltra të saj nuk e qetësonin xhelozinë e të shoqit. Bukuria dhe natyra e saj e hapur e trembnin atë. Një ditë, një shok i tij i kishte thënë si për t’i futur xixat: “Kujdes se gruaja e bukur shpesh herë është gruaja e botës”. E ai nuk bënte gjumë të rehatshëm. Xhelozia, rritej brenda tij, siç rritet një bar i keq që dalëngadalë fillon t’u marrë frymën bimëve të tjera e luleve të bukura të kopshtit.
Kulmi arriti një mbrëmje, kur në ndërmarrjen e së shoqes kishte patur një festë, një mbrëmje vallëzimi. Dhe ajo u vonua deri pas mesnate. Ai rrinte përtej perdes së dritares, duke përgjuar kthimin e saj. E pa kur arriti. Me një makinë të zezë, e shoqëruar nga një koleg i saj i punës, me të cilin e kishte parë edhe në lokale të pinte kafe në shoqëri të kolegëve e kolegeve të tjera.
Iu errësua arsyeja. Kur e shoqja hyri në shtëpi, filloi një grindje, që shqetësoi edhe familjet e tjera të pallatit. I kërkoi përfundimisht që ajo ta linte punën, ndryshe martesa e tyre merrte fund. Por ajo me qetësi i tha që nuk kishte asnjë arsye për ta lënë punës, por ai duhej t’i thërriste arsyes e të jetonte i qetë, se ajo nuk e tradhëtonte me askënd. Po ku hante arsye ai? Ishin në kuzhinë. Në një moment ai hapi një sirtar, mori një thikë nga ato më të mprehtat dhe e goditi në gropën e supit,duke prerë aortën. Në pak çaste gruaja e tij e bukur nuk ishte më gjallë, por prehej në një pellg gjaku…
Tek sillte ndërmend këtë ngjaje tragjike, Nora rrinte me sytë nga dritarja e vështronte shiun e rrëmbyer që vazhdonte të binte. Herë-herë pellgjet me ujë në asfaltin përpara shtëpisë i dukeshin si pellgje gjaku. Dhe një drithërimë i kalonte nëpër trup.
Si mund të vrasë dashuria?
Tek bënte këtë pyetje, ndjeu mbi flokë dorën e bashkëshortit të saj, Kroit. Ai e ktheu nga vetja dhe i tha:
-Eja e dashur, eja të ulesh në divan. Dukesh shumë e zbehtë. Të ka tronditur tepër kjo ngjarje. Ulu. Do të të bëj menjëherë një kafe.
Kishin qenë bashkë në varrim. Edhe ai ishte jo pak i tronditur nga ajo tragjedi. Por ishte burrë e mbahej disi më fort. Kurse asaj nuk po i kalonte tronditja. Kroi i solli kafenë dhe u ul përkrah saj në divan. Nora e pa drejt në sy dhe i tha:
-Do ta bëje ti atë që bëri ai?
Ishte një pyetje e dëshpëruar, pyetje e një njeriu të trembur, që nuk ndihej i sigurtë.
Kroi e mbështolli me krahët e tij dhe, duke ia marrë kokën në gjoksin e tij, filloi t’i përkëdhelte flokët. Pastaj foli me një zë të butë, po ku dukeshin edhe nota zemërimi:
-Jo drenusha ime, kurrën e kurrës. Ti je dashuria ime. Ajo dashuri që jam gati ta mbroj edhe me jetën time. Askush dhe për asnjë arsye nuk ka të drejtë të prekë një femër për ta goditur qoftë edhe me një lule, le pastaj ta vrasë.
Pas këtyre fjalëve ai mori filxhanin e ia vuri në dorë që ajo ta pinte kafenë pa u ftohur akoma…
Nora e kishte njohur rastësisht Kroin. Ajo dilte çdo ditë në parkun e qytetit për të vrapuar. E bënte për të mbajtur trupin në formë, por njëkohësisht për të shkarkuar gjithë stresin e ditës dhe për të marrë energji pozitive. I pëlqente shumë të humbej mes njerëzve, i përshëndeste të gjithë edhe pse nuk i njihte. Rrugicave të parkut kishte dhe shumë artistë të rrugës. Dikush i binte violinës, më tutje një pikturonte, një tjetër bënte tollumbace me figura të ndryshme. Mes tyre ishte një zotëri që këndonte serenata me një zë të mrekullueshëm. Nora shpesh ndalonte aty afër tij për të bërë stretching. Ca pse i pëlqente ai vend dhe ca i pëlqente të bënte ushtrime duke shijuar këngët dhe atë zë të mrekullueshëm.
Një ditë iu afrua një djalë që asaj ia kishte zënë syri por nuk kishin shkëmbyer asnjë fjalë.
-Mirdita!,- e përshëndeti ai ndërsa po afrohej. -Kam vënë re që ndalon shpesh këtu për stretching. Të pëlqen të dëgjosh serenata, apo është thjesht rastësi?
Nora qeshi, duke ju përgjigjur me një “mirdita”.
-Në fakt muzika dhe sporti më pëlqejnë shumë,-i tha. Dhe pa e zgjatur më tej vazhdoi të vraponte. Gjatë ditëve në vazhdim e kishte takuar shpeshherë Kroin. Madje kishin pirë edhe kafe sëbashku në barin afër parkut. Ajo e kishte kuptuar që midis tyre kishte një mirëkuptim e mjaft interesa të përbashkëta.
Një ditë prej ditësh, kur po bënte stretching afër zotërisë që këndonte bukur serenata, Nora dëgjoi që këngëtari ndaloi muzikën dhe tha: Këtë serenatë ia kushtoj vajzës më të bukur në botë, Norës. Dhe filloi të këndonte një këngë të bukur dashurie. Në atë çast Nora pa të vinte Kroi drejt saj me një tufë me trëndafilë të kuq. Kur arriti përpara saj, u ul në gjunjë. Muzikanti ndaloi muzikën dhe në ajër u dëgjua një frazë që oshëtiu: -Nora, më lejon të të dua?
Nora, e skuqur dhe e hutuar, shikoi përreth. Kalimtarët kishin ndaluar dhe pas një çasti ata u përgjigjën në kor:
-Po… Poooo! Dhe duartokisnin.
-Jehona e atij pohimi kolektiv oshëtiu brenda Norës, e cila nuk foli, por zgjati krahët dhe e përqafoi fort. Që nga ajo ditë nuk u ndanë më.
Këto çaste të bukura po kujtonte Nora, që e la filxhanin e kafesë mbi tavolinën e vogël, vuri kokën mbi gjunjët e Kroit dhe e vëzhgoi gjatë e thellë në sy.
Kroi e lexoi mendimin e saj. U ul, e puthi ngadalë dhe shqiptoi duke e shtrënguar pranë vetes:
-E dashur, jo të gjitha dashuritë vrasin.