Deklarata e djeshme e Sali Berishës për ligjin 7501, duke pranuar se e ka bërë me ndërgjegje dhe për hir të votës, ka shkaktuar një tërmet të vërtetë mes shumë demokratëve në rrjet.
Një nga kundërshtarët më të fortë të tij këto kohë brenda Partisë Demokratike, ish-kryetari i Bashkisë së Mallakastrës dhe kandidati për deputet Agron Kapllanaj, ka reaguar ashpër duke shkruar se demokratët duhet që më në fund ta kuptojnë se Berisha për pushtet, shet edhe vatanin.
“E kuptoni që ky njeri për pushtet shet vatanin, shet shqiptarët, madje i vret ata mes njëri-tjetrit. Lexoni me kujdes çfarë thotë dhe vlerësojeni vetë. E kam fjalën për pronarët jo për ata që e kërcënonin se nuk do i jepnin votë nëse toka shkonte te i zoti, sepse ata kurrë nuk ja dhanë dhe nuk do ia japin votën. Por nga një komunist nuk mund të prisje të vepronte në interes te pronarëve, e për me tepër nga një njeri që nuk trashëgonte asnjë metër katror tokë nga paraardhësit e vet!
Dhe bën sikur mbron pronarët por në fakt i urren ata, duke ua grabitur pronën. Për ta kuptuar lexoni me poshtë çfarë ka pohuar me gojën e vet!”, ka qenë reagimi i ashpër i Agron Kapllanajt.
Kujtojmë se ditën e djeshme gjatë një takimi me fermerët në Belsh Berisha pasi u pyet për ligjin 7501, i cili shkatërroi përfundimisht klasën e ish-pronarëve të cilët ishin votues të betuar të Partisë Demokratike. Ai pohoi live se këtë gjë e kishte bërë, sepse i duheshin votat e “fshatarëve pa tokë”.
“Mund të më pyesni shumë herë për atë ligj, edhe unë ju them ju, është votuar nga ne në kundërshtim me atë çka unë kisha në bindjen time. Bindja ime, veriu është konservator dhe atje toka është ndarë në mënyrë sipas kufijve të mëparshme pa asnjë lloj problemi. Vijmë tek Shqipëria e mesme. Unë kur isha kryetar partie, 3 muaj. Shkoja në Ndroq, kisha dalë me parrullën toka e të zotit. Nuk kisha ide se mund të bëhej ndryshe. Fshatarët më thonë se nëse do vazhdosh me këtë, ti nuk do të votohesh kurrë nga ne. Zotërit e votës ishte fshati. Shkoja në Korçë dhe Lushnje, gjeja të njëjtin qëndrim. Më thoshin harroje, po të jetë se ti mban konceptin toka e të zotit, nuk ka vota”, ishte deklarata e rëndë e Berishës.











