Nga Indrit Vokshi
Deputetet e PD e larguan Bashën pas 6 marsit. Ndoshta në plan afatgjatë, bënë mirë.
Basha nuk duhet të thotë: “Më tradhëtuan deputetët”. A i paske bërë deputetë për t’i pasur ushtarë të verbër? Në politikë kur bëhesh barrë dhe shkakton pasiguri me sjelljet e tua, të largojnë. Rregull normal. Përkëdhelja nga Berisha 16 vjet, ia ka pamundësuar bërjen politikan. Thika nga Berisha dhe dorëheqja e detyruar i kanë dhënë mundësinë për tu bërë politikan. Nëse do dhe nëse di.
Tani deputetët, me të njejtën logjikë nuk duhet të nënshtrohen ndaj Sali Berishës. Është barrë. Është kosto sepse do i përdorë deputetët si thasë rëre në luftën qesharake me Amerikën; shkakton pasiguri dhe mbi të gjitha, nuk fiton kurrë asgjë.
Mos harroni, Amerika komplekson Kinën, Rusinë e Iranin së bashku. Këtu i shpall luftë Saliu me 10.000 militantë, prej një lokali dasmash ku mban foltore! A e kuptoni çfarë luhet?
Deputetët duke qenë njerëz politikë duhet ta kuptojnë se kur nuk mundesh të mposhtësh Ramën vetëm, duhet të kërkosh aleatë, jo t’i shtosh vetes kundërshtarët. Kemi Ramën, por duhet të shtojmë edhe Amerikën si kundërshtar? Është si të jesh përballë një boksieri në ring dhe pastaj të të bëhen dy.
Të mos kompleksohen apo sikletosen nga shantazhi me “bazën”. Populli demokrat dhe opozitarët jo me PD, nuk duan të ngujohen në kullë me Saliun. Se skanë objektivat e tij. Janë një pjesë ata që duan të ngujohen. Njerëzit bojkotuan me 6 mars. Të mos e harrojmë ketë.
Berisha prandaj është burim i krizës. Se as me të nuk fitohet, as me të kundër nuk fitohet.
Deputetët të dalin e tu flasin këtyre, bojkotuesve dhe demokratëve të moderuar. Militantizmi i egër edhe po i pranoi për momentin, i pranon vetëm në shërbim të Sali Berishës. Po patën mendim ndryshe, iu sulen kundër.
Mashtrimi se do t’i kandidojë Berisha nëse mban ai partinë, nuk ka gjasa të ndodhë. Pse? Radikalizimi dhe halli ia bëjnë detyrim-përcaktim të kandidojë vetëm ata që janë të verbër pas tij. Ia do nevoja. Për më tepër, me si po vjen loja, duhet llogaritur edhe Meta. Do jenë edhe nën pëlqimin apo mospëlqimin e tij.
Prandaj deputetët nuk duhet të rrinë nën atë shantazh të militantëve dhe premtimit, ata duhet ta çajnë rrethimin dhe të vazhdojnë, duhet të tregojnë lidership dhe forcë karakteri. Do jetë historike.











