Nga Vehap Kola
Në Partinë Demokratike është shfaqur një problem thelbësor, që për shkak të ballafaqimit që është krijuar nga nisma e z. Berisha, është bërë më i qartë sot. Është shfaqja një grupi që mendon dhe beson se nuk është e nevojshme të kesh një botëkuptim për të marrë pjesë në garën politike dhe shoqërore por mjafton ndjekja e liderit karizmatik, i cili në sajë të një inteligjence të dhuruar është në gjendje të marrë vendime e të zgjedhë rrugën që duhet ndjekur rast pas rasti.
Ata besojnë se Sali Berisha e ka gjithmonë mirë. E ka mirë kur gabon, e ka mirë edhe kur kërkon falje për gabimin që ka bërë. E ka mirë kur ai thotë e kam mirë, por e ka mirë edhe kur thotë që e paskam patur keq por tani e kam mirë. E ka mirë kur u thotë të tjerëve që nuk e keni mirë, por e ka mirë edhe kur u thotë më falni që ju thashë se nuk e keni mirë por ju në fakt e kishit mirë.
Në 1996 ai hedh poshtë paralajmërimet e FMN dhe qeverisë së tij se paratë në skemat piramidale ishin të rrezikuara seriozisht dhe garanton shqiptarët se paratë e tyre ishin të sigurta. Pastaj në vitin 1997 thotë se ne nuk denim shumë nga ekonomia e tregut prandaj e kishim gabim. Tjetërgjë se kishte heshtur ekspertët e ekonomisë dhe ekipin e tij 1 vit më parë.
Ndërkohë që kishte përjashtuar nga Partia gjithë kupolën drejtuese gjatë viteve 1992-1997, në vitin 2005 ai kthehet dhe kërkon falje për mënyrën si kishte drejtuar PD-në dhe u thotë demokratëve se menjëherë pas daljes nga regjimi komunist ne kishim kulturë të dobët demokratike.
Në vitin 2005 krijon KOP, merr Lulzim Bashën dhe e vendos në krye të tij, i jep atij detyrat më të rëndësishme në qeveri dhe më në fund i lë atij edhe Partinë, kundër dëshirës së shumicës së bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë. I qëndron nga pas Bashës duke i dhënë legjitimitet sa herë që pozita e tij në krye të PD nuk është e kërcënuar deri në shtator të 2021.
Kur Basha vendos ta pezullojë praninë e tij në grupin parlamentar, ai mbledh të gjithë fondin nga muzeu i akuzave që rivalët i kanë bërë kryetarit të PD dhe e qëllon me to nga mëngjesi deri në darkë. Pas 16 vitesh bashkëpunim dhe partneritet të pashoq, ai del u thotë demokratëve se nuk e kishte njohur Lulzim Bashën, se kishte gabuar që e kishte marrë në PD, që i kishte lënë partinë dhe që e kishte mbrojtur nga rivaliteti brenda saj. Tani ai e kishte kuptuar gabimin dhe është gati të rikthehet në krye të PD për ta ndrequr këtë gabim.
Deri më 9 shtator ai mbronte qëndrimin zyrtar të PD se zgjedhjet ishin vjedhur, se Rama kreu një masakër elektorale që e pengoi PD-në të vijë në pushtet. Madje hidhte poshtë pretendimet e grupit të Nishanit që zgjedhjet vërtet ishin vjedhur por jo aq sa për të humbur PD. Më 9 shtator e pas ai e adopton këtë tezë dhe shpall me të madhe se Rama kishte vjedhur por as PD nuk kishte fituar. Po nëse Basha i kishte humbur zgjedhjet, pse kishte vjedhur vota Rama? Apo për pasion?
Tani Berisha u kërkon falje demokratëve që e mbështeti Bashën edhe në zgjedhjet e fundit për kryetarin e partisë, që mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të korrikut, zgjedhjen e Këshillit Kombëtar e Kryesisë së PD-së. Çuditërisht ai nuk kishte asnjë vërejtje për mënyrën si u zhvilluan ato dhe rezultatet e tyre.
Përfundimisht, ky grupim ka hedhur tej çdo tipar të së djathtës nëse ato tipare nuk të shpien tek besnikëria personale ndaj Berishës. Je i përndjekur nga komunizmi por nuk je me Berishën sot, atëherë nuk je demokrat, je tradhtar, je peng. Je pronar që të ka marrë pronat komunizmi dhe akoma nuk ke marrë pronën mbrapsht edhe pse PD ka qeverisur 13 vite gjatë këtyre 30 viteve? Nëse nuk je me Berishën sot, nuk je demokrat, nuk je i djathtë.
Je konservator që lufton të mbrosh mënyrën tënde të jetesës por nuk shkon në takimin e Berishës në qytetin tënd? Nuk je i djathtë, je sorosist, globalist, i shitur tek Rama. Je libertarian që lufton për liritë individuale dhe treg të lirë, pa oligarkë e monopole? Por ti nuk erdhe tek foltorja, prandaj je i pabesë, je komunist.
Pyetja që ngrihet në këtë moment është se çfarë qeverie do të ndërtonte një grupim i tillë? Ndoshta është më mirë të pyësim, çfarë partie do të ndërtonte një grupim i tillë? Përgjigjen le ta mendojë vetë gjithsekush.











