Nga Denada DAPELLARI
E kaluara e gruas shqiptare është përplot me histori sakrificash, të cilat hynë në analet e historisë duke u shndërruar kështu në modele të gruas luftëtare për të drejtat e vendit e popullit dhe në frymëzim të këngëtarëve e artistëve më të njohur të kombit; Mbretëresha Teutë, Tringë Smajli, Shotë Galica, Dora D’Istria, Musine Kokallari janë vetëm disa nga emrat që realiteti i ashpër shqiptar inkuadroi në rrugëtimin historik të kombit, si emblema të përpjekjes për një jetë më të mirë dhe të kapërcimit të stadit të një shoqërie që ishte skajshmëriht paragjykyese për femrën në tërësi.
Sot, fatmirësisht demokratizimi i sistemit ka ndikuar pozitivisht edhe në demokratizimin e familjes e shoqërisë. Edhe pse me mjaft vështirësi, femra shqiptare ia ka dalë të të pozicionohet si e barabartë, përkundrejt gjinisë tjetër, duke ndikuar pozitivisht në mbajtjen në ekulibër të plotë të sitemit të vlerave morale dhe shoqërinë shqiptare në tërësi. Gjatë këtyre 3 dekadave, kohë që lidhet me pluralizmin politik, e vetmja fushë që ende shfaqet skeptike për rolin e femrës, mbetet politika e cila për vetë gravitetin dhe retorikën që mbart, konsiderohet shpeshherë një arenë gladiatorësh dhe servir për publikun një nivel të ulët të ligjërimit publik, që ngjan më shumë me një manual gjuhësor banalitetesh.
Ndërkohë, në fushat e tjera të jetës, femra shqiptare, me mjaft kurajo dhe vetbesim ia ka dalë të ecë e sigurtë dhe të mos ndjejë aspak nevojën e lëmoshës, por përkundrazi, është afirmuar si potencial i fuqishëm.
Sot kemi femra mjeke, mësuese, inxhiniere, ekonomiste, juriste dhe çdo lloj profesioni tjetër. Shoqëria jonë e ka kuptuar vlerën e gruas dhe me sportivitet pranon integrimin e saj në çdo fushë.Tashmë, është realitet që dhe në zonat rurale, femra po i njeh vetes të drejtën e daljes nga zingjiri i trajtimit si shërbëtore apo dhe nga spiralja e botës paragjykuese.
Derisa, në politikë thuhet, pas një burri të suksesshëm qëndron një grua, unë them që pas një familje intelektuale të emancipuar dhe e rregullt, qëndron një grua e hekurt.
Në jetën politike kontribut të madh pa dyshim që jep edhe gruaja. Ne sot kemi femra deputete, ministre, udhëheqëse të shumë segmenteve të rëndësishme institucionale, por hapësira në pozitat menaxhuese është e vogël krahasuar me faktin se gjysma e popullsisë janë femra, si dhe krahasuar me shkollimin, përgatitjen dhe aftësimin e tyre.
Jeta ka sfida dhe sakrificë, por ne nuk duhet të presim shumë nga mëshira e burrave, të na hapin rrugë, por duhet ta përkrahim njëra tjetrën, duhet të jemi me motivuese dhe pretenduese në karrierën tone sepse shoqëria jonë ka nevojë më shumë për ne.
Nëse e menaxhojmë mirë familjen, nëse bëjmë maksimumin në punë edhe në politikë duhet të tregojmë se jemi të zonja të administrojmë pozita udhëheqëse dhe mos të llogaritemi vetëm si makineri votuese.
Barazia dhe liritë e të drejtat tona janë të garantuara me konventa evropiane.
Ne, jemi një produkt pa të cilin nuk funksionon familja, shoqëria as shteti, ta promovojmë veten sa më shumë. Jemi produkt me shije!