E shkëptuar për disa vite nga skena e këngës, Jonida Maliqi u gjend rastësisht në një prej eventeve më të rëndësishme të vitit, në Festivalin e Këngës në RTSH. Natyrisht, si të gjithë kolegët e saj, edhe ajo e kishte menduar, ëndërruar e dëshiruar Eurovizionin por nuk e kishte qëllim që duhej përmbushur, as objektiv të momentit. Rruga drejt studios së autores së këngës “Ktheju tokës” ishte sa për të thënë. Nëse kënga do t’i pëlqente, ajo do ta përdorte për ndonjë klip por nuk donte të shkonte në festival, nuk donte të hynte në garë. Derisa dëgjoi vijën melodike. U dashurua, iu rrëqeth mishi dhe nuk mund të thoshtë më JO.
Ishte një etno-baladë që më shumë se këdo tjetër, prekte të parën Jonidën dhe plagën e saj të hapur-gjysmën e saj. Jonida ndau me publikun emocionet e para pas fitores, urimet e kolegëve dhe të gjithë rrjetit për këngën e saj, si edhe gjithëpërfshirjen, si në asnjë këngë tjetër të saj për tematikën e fortë që mbart kjo baladë e gjallë.
“Është një tematikë shumë e fortë, shumë delikate, shumë aktuale -ktheju tokës, ktheju gjakut tënd. Gjithkush prej nesh, në familjet tona, ka dikë që jeton jashtë. Unë kam gjysmën time, që është ime motër dhe, sa herë më është rasti, e kam thënë që unë nuk ndihem e plotësuar, sepse ajo jeton atje, për një zgjedhje më të mirë, për një mundësi më të mirë. Ka krijuar jetën e saj. Nuk i them me këtë këngë “Ktheju tokës” por unë e di se çfarë është kur një personi i mungon toka e vet, e di që Xhilda nuk ikën për qejf, është një zgjedhje jetësore, një zgjedhje më e mirë. Arsyet janë nga më të ndryshmet, të gjithë e dimë”,-tha Jonida duke shtuar se plaga e emigrimit nuk është vetëm një problematikë shqiptare, është ballkanase, është globale.
Si një zinxhir me të gjitha hallkat e lidhura, një detaj që s’mund t’i mungonte së tërës ishte edhe veshja. Nata e parë, një fustan me printe të shkëlqyeshme. Ngjyrat e tokës, kombinuar me gold binin në sy menjëherë. Me disa detaje të ngjashme, sa u përket ngjyrave të tokës dhe prerjes së jakës ishte edhe fustani i natës së dytë. Jonida i kthehet tokës me zgjedhjen e ngjyrës. Më modern por jo rastësisht edhe veshja e natës së tretë. Besnike për të tretën herë me dekoltenë, e cila jo vetëm i vë në pah Jonidës elegancën dhe sensualitetin por në të njëjtën kohë, mbart edhe një mesazh më shumë: “Tri veshje të ndryshme me një gjë të përbashkët. Varianti si pardesy që tregon deri diku atë udhëtarin që ikën, po largohet”,-e shpjegon Jonida.