Nga fjala e Bashës në takimin me zonjat profesioniste lidhur me programin e PD-së “Shqipëria fiton” dhe besimin për ndryshim.
“Unë besoj tek racionalizmi edhe si detyrim ndaj votuesit, – tha Lulzim Basha ndër të tjera. – . Tani vijmë tek pikat kryesore, çfarë do të bëjmë se 25 prilli po vjen? Modeli i atij që ka qeverisur tetë vite, është modeli “Unë mbi gjithçka dhe pas meje kiameti”, ndërsa modeli që ne duam të sjellim, modeli që unë dua të sjell, është modeli i individit të fortë.
Momenti që ne sjellim individin e fortë, momenti që ne shtrijmë sinorët e shtresës së mesme, rrisim pavarësinë e mendimit, duke nisur sigurisht nga popullsia e mesme dhe e pasur urbane, profesionistët pra, tek sipërmarrësit por edhe kudo tjetër, edhe te fermeri.
Në këtë moment, besoj që kemi hedhur hapin e parë real drejt evropianizimit. Pa arritur tek hapat formalë që do të çojnë drejt anëtarësimit të plotë në BE, që është garancia e fundit, për të mos iu kthyer më pastaj në sharlatanizma të tilla sepse me thënë të drejtën, kur u futëm në NATO, kur hoqëm vizat, sigurisht në 2013 humbëm pushtetin, nuk na pëlqeu por thamë nuk është tragjedi, është realitet i demokracisë por të na e merrte mendja që në 2021 të ktheheshim prapë te shqetësimi si në 1990, apo në ‘85, se mund të kthehemi prapë në diktaturë, se nuk kemi të garantuar lirinë e fjalës, se mund të kemi pasoja për ushtrimin e lirisë individuale, kjo është e paimagjinueshme!
Truku më i suksesshëm i këtyre zgjedhjeve do të ishte që t’i bindë shqiptarët që zgjedhjet janë për mua ose për të. Në fakt zgjedhjet janë për ju. Zgjedhjet janë për zgjidhjet që meritoni ju. Domethënë rinisë i duhet thënë fare qartë: në qoftë se nuk voton, kështu siç është dhe më keq do bëhet.” – tha Basha.

Sa i përket politikave që do të ndjek me ardhjen në qeveri, Basha tha së gjëja e parë që do të bëjë, është të ulë taksat dhe t’u kthej shtetin qytetarëve. Sipas tij, qeverisje konservatore me dimension njerëzor, është normaliteti duke garantuar barazinë para ligjit, konkurrencën e drejtë dhe ata që nuk konkurrojnë dot, të mos vdesin për bukë. Ai gjithashtu tha se këto të treja janë plotësisht të mundshme, por 8 vitet e fundit kemi marrë kthesën e gabuar.
“Gjëja e parë do t’ju ulim taksat, gjëja e dytë do ty kthehet shteti qytetarëve dhe duhet bërë më e qartë nga ju. Tani, të ndjekësh një politikë të fuqizimit të ekonomisë që fuqizon pastaj edhe të ardhurat dhe mundësitë e shtetit për të ndërhyrë, të jep mundësinë që t’i mbështesësh dhe t’i marrësh me vete dhe ata që ngelen mbrapa, sepse thënë në mënyrë metaforike, ju mungon një këmbë apo të dyja këmbët.
Qeverisje njerëzore, konservatore por me një dimension njerëzor, është normaliteti për mua. Ky është normaliteti për mua dhe e pasqyrojnë më së miri shoqëritë dhe qeverisjet Europiane. Mos kujtoni se jemi larg për ta arritur. Së pari, jetojmë në një vend të pasur falë Zotit, të vjedhur por të pasur. Do të thotë që kemi potenciale të jashtëzakonshme zhvillimi. Ajo që na mungon në këtë vend është normaliteti dhe normalitet do të thotë të garantosh barazinë para ligjit, konkurrencën e drejtë dhe një dimension njerëzor që ata që nuk konkurrojnë dot të mos vdesin për bukë. Këto të treja janë plotësisht të mundshme.
Avantazhi është se nuk jemi tren. Krahasuar me vendet e tjera, me Italinë, me Gjermaninë ne jemi një biçikletë. Kemi marrë kthesën e gabuar këto 8 vite dhe nuk do të jetë e vështirë ta fusim në rrugën e drejtë në qoftë se kemi udhërrëfimin e drejtë dhe vullnetin për ta futur në këtë rrugë.” –tha Basha.











