Nga Paulin MARKU
1.Mosfunksionimi i shtetit ligjor. Kuptohet se krimi organizuar nuk do të mund të zhvillohej në një vend ku sundon shteti i së drejtës. Që të krijohen organizatat e kundërligjshme, në vend të parë është e nevojshme që shteti të jetë i dobët dhe jofunksional, kjo do të thotë se shteti dhe institucionet e tij nuk janë në gjendje të ushtrojnë pushtetin apo funksionin themelor të tyre, që të mbrojnë qytetarët dhe kapitalin e tyre nga veprimet e kundërligjshme. Mungesa e kapacitetit ligjor të shtetit që të ushtrojë pushtetin, sjell në skenë paraqitjen e grupeve që do të luajnë rolin e shtetit dhe do të ofrojnë “mbrojte dhe siguri”. Në këto kushte, qytetarët detyrimisht duhet të drejtohet tek “ata” që t’i mbrojnë nga po “ata”, duke dhënë shuma të konsiderueshme të parave. Në këto situata, kur shteti nuk garanton siguri, mbrojtja e personave kthehet në profesionin më të paguar në shoqëri. Këto janë periudhat kur organizata së pari shkakton kriminalitet dhe situata konfliktuale, që pastaj të ofrojë mbrojtje nga krimi.
2.Korrupsioni. Që të paraqitet krimi organizuar, nuk është e mjaftueshme vetëm që shteti të jetë i dobët, por edhe i korruptuar, bile edhe në përmasa shumë të mëdha. Kuptohet se korrupsioni është ajo që shtyn rrotat e shoqërisë të rrotullohen mbrapsht dhe bën që askush të mos ketë besim tek shteti. Korrupsioni është mjet që detyron zyrtarët e shtetit të mos veprojnë në situata të caktuara, duke i dhënë hapësirë krimit të organizuar, ose të veprojnë në interes të organizatës që të sigurojë imunitetin e nevojshëm ,duke arritur të korruptojë një rrjet të gjërë të zyrtarëve të shtetit ,gjykatës dhe policë, të cilët në çdo moment do të keqpërdornin pozitën e tyre dhe do të viheshin në mbrojtje të organizatës. Por imuniteti nuk mund të jetë plotësisht, sepse gjithmonë janë gjetur persona të ndershëm që kanë luftuar dukuritë negative në shoqëri dhe që kurrë nuk janë korruptuar.
3.Shteti demokratik. Vetëm në një shtet demokratik mund të zhvillohen organizatat kriminale. Kjo është kështu, pasi vetëm nëpër këto sisteme qytetarëve u jepet hapësirë e gjërë të veprojnë dhe të krijojnë organizata të ndryshme. Mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut vërtet në një masë të gjërë ka kufizuar shtetet demokratike të veprojnë kundër këtyre organziatave apo duhet një punë e gjatë dhe shumë e lodhshme të luftohet një organizatë të tillë. Kurse në vendet jo demokratike, ku shteti kontrollon çdo gjë, krijimi i këtyre organizatave nuk mund të bëhet pa lejen e shtetit.