Nga Elsa SULA
Qyteti padyshim për të gjithë është element shumë i rëndësishëm i jetës së gjithësecilit. Lidhim ngushte të gjithë jetesën në atë vend, të zgjedhur nga ne apo nga familjarët.
E toka amë është kaq e dashur sa edhe familja. Qyteti im pati goditje të mëdha të herëpashershme ,përmbytje,përbaltje, sikur të mos mjaftonin këto i shtohen kalvarit të vuajtjeve tërmeti ,ku fatkeqësisht na la kujtime të hidhura e mes atyre rrënojave të pallateve që shembeshin dita-ditës ,ku grupet e punës ishin në terren për të zgjuar shpresën se qyteti do të ringrihet, do të jetë më i bukur e mbi të gjitha plotësues i disa shërbimeve më shumë. Gjithçka ndodhi në një afat shumë të shkurtër kohor,e mysafir të paftuar patëm Covidin.
Qyteti bosh, rrugët të boshatisura,qepenat e dyqaneve të ulura, grilat e dritareve të mbylluara here – here,zërat e zhurmshëm të qytetit kishin rënë në heshtje brenda mureve të shtëpisë. A thua se gjithçka kishte përfunduar së egzistuari.
Të vetmet shpresa ishin lulet që po çelnin e zogjtë që fluturonin të lirë në një qiell që dukej se më parë ua kishim zënë. Ditët kalojnë e nëpër qytet nuk shihen më vetëm kamionët që punojnë për rindërtim,nuk dëgjohet më vetëm zhurma në kantierët e ndërtimit e nuk janë më të vetmit punëtorët që vrapojnë për punë.
Sheshi i qytetit mori gjallërinë e munguar ,të paktën në kaq vite sa e mbaj mend unë. Kurrë nuk ka qenë më i bukur se aq,as më i ndriçuar,as më shpresëdhënës e dritëplotë. Buzëmbrëmjet nuk kanë qenë aq të mbushura me entuziazëm fëminor e netët terr kurrë nuk kanë patur më shumë dritë. Si pa e kuptuar të gjithë u rrëmbyem nga magjia e zbukurimeve për festat mbase edhe vetë atmosfera është e tillë,por jo.

Qyteti në heshtje po na jepte shpresë se gjërat do të venë mbarë, se viti që do të vijë do të na bëjë të harrojmë kujtimet e këqija ,momentet e vështira. E kush i gëzohet më shumë dritave e topave vezullues ,vec fëmijët. Ato të cilët nesër do të jenë e ardhmja. Laçi veshi shpirtin e fëmijëve e nuk ka qenë kurrë më i bukur se aq.











