Ish-deputeti lezhian Eduart Ndocaj, përmes një video-komunikimi, teksa ka shprehur ngushëllime për të gjithë ata që kanë humbur familjarët e tyre nga covid-19, ka bërë një analizë të situatës së menaxhimit të pandemisë nga qeveria shqiptare, duke u ndalur kryesisht në propagandën e madhe të kryeministrit dhe masave herë-herë deri në absurd të shpallura nga komiteti teknik.
Ndocaj, ndonëse e ndjek situatën në Shqipëri nga Italia, ku jeton prej më shumë se 20 vitesh, ai ka shigjetuar kryeministrin Rama për përdorimin e tejskajshëm politik të menaxhimit të situatës së covid-19 dhe të komitetit teknik, i cili dëshmon paqartësi në protokollin e masave.
Më tej, ish-deputeti ka bërë një skaner të plotë të zhvillimeve politike në vend, teksa është ndalur në instalimin e fuqishëm të oligarkisë, që dita-ditës po shtrin në kthetrat e saj pasuritë e shqiptarëve, si dhe po gllabërojnë pronat publike, duke vrarë shpresën e qytetarëve.
Ndocaj, e sheh zgjidhjen adekuate tek zgjedhjet e 25 prillit 2021, duke ftuar shqiptarët të marrin fatin e tyre në duar dhe të largojnë me votë plebishitare këtë klikë qeverisë.











