Për një popullsi të vogël si jona, shifrat e vetëvrasjes janë të larta. Edhe pse shifrat janë më të ulta se mjaft nga vendet evropiane, si psh janë të ulëta edhe se vendi fqinj me ne, Italia, kjo dukuri duhet të shqetësojë mbarë shoqërinë. Duke njohur ndikimin e madh që ka një jetë e ndërprerë tek të afërmit, miqtë, kolegët dhe të njohurit, ky fakt shoqëror është shumë më shumë sesa thjesht një statistikë. Në të dhënat e institucioneve tona të rendit apo të prokurorisë është e vështirë të rregjistrohet numri i saktë i qytetarëve që i japin fund jetës për shkak se një veprim i tillë nuk quhet vepër penale, ose përfshihet në kod si “Vepra penale karakteristike të grupit: “shkaktim i vetëvrasjes”.
Nisur nga këto të dhëna për vitin 2006 ishin 208 raste të tilla nga të cilat 88 të ndodhura në zonat urbane dhe 120 në ato rurale. Gjatë vitit 2007 janë rregjistuar 225 raste vetëvrasjesh nga të cilat 102 në zonat urbane dhe 123 në zonat rurale. Në vitin 2008 në vendin tonë janë rregjistruar 219 vetëvrasje nga të cilat 76 në zonat urbane dhe 143 në zonat rurale. Gjatë kësaj periudhe numri i vetëvrasjeve në zonat rurale ishte më i lartë gjë e cila do të duhej të nxiste shërbimet shoqërore në këto zona të hulumtonin mbi një dukuri që njihet si kryesisht urbane, të analizonin panoramën e jetës rurale në vend në mënyrë që të ofroheshin shërbimet e munguara për një cilësi jete të ndryshme. Kjo nuk shqetësoi askënd!
Sipas të dhënave të marra nga Prokuroria e Përgjithshme në vitin 2009 numri i vetëvrasjeve në Shqipëri ishte 202, në vitin 2010 dhe 2011 ky numër ishte 88, në vitin 2012 ishte 65 dhe në vitin 2013 ishte 154 vetëvrasje.
Në grupin e veprave penale “Vepra penale kundër shëndetit të kryera nga pakujdesia”në vitin 2013 , vihet re prirja në rritje prej 136 % e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal “Shkaktimi i vetëvrasjes”, krahasuar me vitin 2012.
Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale është 80 % për vitin 2013, ndërkohë që në vitin 2012 ka qenë 70,6 %. Duke kaluar disa vite më pas, nga të dhënat e INSTAT-it në vitin 2016 në Shqpëri ishin 320 qytetarë të Republikës të ndarë nga jeta sipas kësaj mënyre: 235 vetëvrasje dhe 85 vrasje.
Duke parë të dhënat e këtij vitit sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit në periudhën 1 janar -27 prill të vitit 2020 janë kryer 37 akte të vetëvrasje dhe 41 tentativa. Kjo është shifër është më e ulët se e njëjta periudhë e vitit të kaluar ku gjatë vitit 2019 u realizuan 55 akte vetëflijimi dhe 43 tentativa.
Nuk do t’i kishim sjellë në kujtesë këto të dhëna, nëse sot në mesditë nuk do të kishim mësuar një tentativë vetëvrasjeje nga godina e një institucioni spitalor. Mbase nuk do të ishim marrë fare me këtë temë, nëse kjo tentativë nuk do të ishte e katërta brenda pak muajve që ndodhte në të njëjtën mënyrë. Nga këto tre prej tyre rezultuan fatale. Po kështu rezultoi edhe një tjetër tentativë e një qytetari që po atë ditë që kishte dalë nga spitali ku ishte kuruar për kovidin, kreu të njëjtin akt. Pra nëse nuk do të ndodhte me hedhje nga godina që është kthyer në emblemën e betejës Anti-Covid, mbase nuk do të kishte bërë fare përshtypje. Në këto kushte ndoshta është e udhës t’i kthehemi përkufizimit të vetëvrasjes si:”cdo rast vdekjeje i cili ndodh në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose jo të drejtëpërdrejtë i kryer nga vetë viktima e cila e di se c’rezultat do të prodhojë”. Vetëvrasja është akti i dëshpërimit të dikujt i cili nuk dëshiron më të jetojë.
Edhe pse tek në flitet pak, dukuria e vetëvrasjes është studiuar që në fundin e 1800-ës. Në 1897 Durkhemi, sociologu që e hulumtoi gjerësisht këtë dukuri i ndante në anomike, egoiste, altruiste dhe fataliste. Dyrheimi, themeluesi i sociologjisë si disiplinë shkencore dhe universitare dhe organizatori i shkollës franceze së sociologjisë i ka kushtuar kësaj dukurie një vepër madhore. „Vetëvrasja” është vepra e tretë e rëndësishme e Dyrheimit. Rëndësia e madhe e kësaj vepre qëndron në trajtimin shkencor dhe me shumë rigorozitet të një dukurie shoqërore-rritja e numrit të vetëvrasjeve nga fundi i shekullit XIX. Por përvec këtyre ai fliste në një kapitull të vecantë për format individuale të kësaj dukurie. Në këtë vepër ai ka trajtuar si faktorët jashtë-shoqërorë po ashtu edhe shoqërorë që ndikojnë shkallën e vetëvrasjes. Po ndalemi te kjo dukuri sidomos në këto 7 muajt e fundit kur kryefjala e cdo lajmi apo edhe bisedash informale është frika nga infektimi prej Covid-19-ës.
Opinioni kur i mëson përmes medias ngre menjëherë pyetjet: “Po pse? Cfarë ka parë aty brenda që nuk e ka mbajtur dot? Si po e trajtonin? A po kujdeseshin apo e kishin lënë në heshtje e në vetmi e në izolim të plotë? Pas këtyre pyetjeve qëndrojnë përgjigje që zakonisht i merr vetëm në një formë: “Shkak mendohet të ketë qenë depresioni”. Ose “nuk shfaqte asnjë shenjë” duke lënë të kuptohet se ishte e papritur dhe askush nga shërbimet shëndetësore nuk kishte pasur mundësinë të pikaste ndonjë simptomë depresioni.
Po depresioni përse lindi? Që kur, Si nisi? Sa ka qenë njohur nga të afërmit e nga mjeku, a është shprehur se vuante, si është trajtuar?
Markyze në 1964 në veprën me titull “Njeriu në një dimension” fliste për vetminë e njeriut modern. Duke u përqëndruar tek shoqëritë e industrializuara ai ndalej tek mendimi negativ dhe tek forca e mendimit pozitiv.
Në cdo shoqëri ka disa grupe që ndodhen në situata shoqërore të rriskut, dhe këtu fjalën e kemi për adoleshentët, të rinjtë, të divorcuarit, pakicat apo grupet e margjinalizuara, njerëzit me aftësi të kufizuar, të varfërit etj që janë edhe kategoritë më të ekspozuara ndaj vetmisë. Efektet e vetmisë janë të ndryshme nga njëri tek tjetri dhe dallojnë në varësi të moshës, gjinisë, gjendjes konkrete dhe terapisë që ndjek për patologjinë etj. Ndërkohë vetmia ndryshon edhe lidhur nga burimet e saj e cila i bën të ndryshme situatat.
Konkretisht duhet të njohim se ka vetmi prej izolimit (që vjen nga aksidentet psh), vetmi prej izolimit të dëshiruar, që lidhet me dëshirën që ka vetë individi për të rigjetur veten, për të mbrojtur logjikën e brendshme nga ndikimi i marrëdhënieve të jashtme, për të ruajtur korpusin e vetë nga ata që mund të fragmentarizojnë apo ndikojnë logjikën etj.
Vetmia mund të vijë si rezultat i mbylljes në ndonjë institucion si spital, burg, jetimore etj., vetmia vjen si pasojë e tëhuajësimit nga të afërmit, miqtë, kolegët të cilët edhe pse të pranishëm, prej tyre ndjehesh i huaj. Në kushte të tilla, lodhja psikike, mosbesimi tek institucionet e kujdesit shëndetësor, frika prej të pakthyeshmes, historitë e mëparshme për jetë të humbura dhe izolimi prej cdo kontakti që jep besim, mbështetje apo komunikim të ngrohtë, e cojnë individin drejt humbjes së ekuilibrit mendor. Në kushte të tilla kjo humbje ekuilibri rrit prirjen për akte të tilla.
Po të heshtim pasi “të kenë kaluar tre ditë”, asgjë nuk ka për të ndryshuar! Ose mbase do të mjaftohemi me shpjegimin: është lloji i Kovidit që rrit presionin psikologjik mbi të sëmurin. Të gjitha këto raste dhe shumë të tjera që lidhen me shëndetin tregojnë se tashmë shërbimet psikologjike nuk janë më një luks, por janë nevojë e kohëve tona. Këta mijra psikologë që janë diplomuar në Shqipëri psh mund të angazhoheshin në ndihmën e parë psikologjike për komunitetin që po jeton me ankth që ka kohë që ka nisur, për mjekët të cilët tashmë punojnë pa ndalim prej muajsh dhe për personelin shëndetësor që punon cdo ditë me këta të sëmurë.
Në shërbimet e shëndetit tek ne, shërbimet psikologjike thuajse mungojnë. Edhe pse cdo institucion thotë se ka një shërbim të tillë, komuniteti nuk e ndjen efektin.
Mendoj që ka ardhur koha që këto shërbime të jenë pjesë shërbimeve bazë shëndetësore- nëse vërtetë shëndeti është prioritet kombëtar. Në këtë mënyrë mund të ndihmohet shëndeti shoqëror: si ai somatik, po ashtu edhe mendor.
Për këtë ndoshta:
1. Shërbimet psikololgjike të njihen si shërbime shëndetësore pavarësisht specialitetit.
2. Psikologët të kenë kontrata me Sigurimet Shëndetësore.
3. 10 seanca minimumi të ofrohen në paketën bazë të shërbimeve shëndetësore.
4. Shteti të sigurojë pagesa për shërbimet psikologjike që u ofrohen fëmijëve, të sëmurëve kronikë dhe pensionistëve. /InfoPressAlbania/