Nga, Bardha Sokoli
Nxënësit dhe studentët e Shqipërisë, e ndjejnë dhe e kuptojnë situatën e rëndë të krijuar ndër vite për shkak të fiktivitetit, mashtrimit, korrupsionit 30 vjeçar si dhe mungesës së sigurisë për të jetuar e punuar në Shqipëri.
Nxënësit dhe studentët e Shqipërisë, si dhe mësuesit dhe pedagogët e ndershëm të vendit, e dinë shumë mirë faktin, që politikanët dhe drejtuesit e lartë të shtetit në keto 30 vite, të shkollave, të universiteteve dhe të institucioneve tona të arsimit, kulturës dhe shkencës, ka vite që nuk i shkollojnë më fëmijët e tyre në shkollat tona.
Prandaj janë të pandjeshëm e të pamëshirshëm në abuzivizëm, në korrupsion e në shkatërrimin e infrastrukturës dhe gjithë procesit mësimor. Në Shqipëri është krijuar me kohë një largësi, apo shkëputje e madhe, midis atyre që sundojnë e që abuzojnë me arsimin, ekonominë dhe kulturën nga njëra anë, dhe nxënësve e studentëve të Shqipërisë, që studiojnë në shkollat dhe në universitetet e vjedhura, e pothuajse të paralizuara nga ana tjetër.
E moralshmja, njerëzorja, kombëtarja, e gjithë pranuara, nuk ka asnjë lidhje me ligësinë e as me lojën mashtruese që është luajtur e po luhet në kurrizin e nxënësve, studentëve dhe mësuesve e pedagogëve të Shqipërisë. Në të drejtën hyjnore, në Bibël, në Kuran, në kushtetutat demokratike, e në të gjitha kanunet e kësaj bote, thuhet që “duaje të afërmin porsi vetveten, dhe se bëju të tjerëve atë çfarë dëshiron që ata të të bëjnë ty”.
Kjo kastë burokratike e me mangësi të theksuara në moral, në sjellje administrative e në formim akademik e qytetar, për nxënësit dhe studentët, nuk ka menduar e nuk do të mendojë kurrë, sikur për fëmijët e vet.
Në mungesë të një reagimi të fuqishëm e të prerë të rinisë dhe intelektualëve në mbrojtje të shkollës, të universitetit, të kulturës dhe të trashëgimisë, komitët nepotikë e kriminalë do ta vazhdojnë edhe më tej lojën e tyre, duke ua bërë nxënësve dhe studentëve të Shqipërisë, atë që askush nuk do të donte ta provonte mbi fëmijën, e as mbi familjen e tij.
Në këto kushte, nxënësit dhe studentët e Shqipërisë po ndërgjegjësohen çdo ditë e më tepër, për padrejtësitë shtetërore e politike ndaj tyre dhe për domosdoshmërinë e kundërshtimit dhe të reagimit, në mbrojtje të shkollës dhe të vlerave themelore të lirisë dhe demokracisë.
Thelbi i ligësisë së të ligut dëshmohet edhe përmes shprehjeve ku thuhet: “përdori të afërmit për të mirën tënde dhe bëjua të tjerëve para se të ta bëjnë ty”. Kjo ka ndodhur e po ndodh përditë me nxënësit, me studentët, me shkollën, me institucionet, me historinë dhe me trashëgiminë.
Gjithçka e përbashkët po tjetërsohet e përdorët për interesin e ngushtë të një grushti njerëzish, të cilët mendojnë se janë të përjetshëm, të pagabueshëm e të paprekshëm në sulltanat-institucionet e abuzuara e të degraduara prej tyre.
Përballë kësaj situatë të rendë, thirrja e nxënësve “Rroftë Liria”, është shpresa dhe sinjali më i mirë. Tek thirrja “Rroftë Liria”, duhet të shohim e të kuptojmë faktin që në momentin që rinia shkollore, (e shqiptare në përgjithësi), do të arrijë që të kuptojë dimensionin dhe vlerën e vërtetë të lirisë, në atë moment ka përfunduar edhe sundimi i krimit, injorancës, ligësisë, hajnisë dhe horrllëkut oriental në shkollat dhe në institucionet tona.