Nga Alfred Ibrahimi
Gjatë këtyre ditëve opinioni në Shqipëri u informua përmes medias në lidhje me propozimin e Ministrisë së Brendshme për “Mënyrën e përdorimit të gjuhës të pakicave kombëtare në marrëdhëniet ndërmjet personave që i përkasin pakicave kombëtare dhe organeve të vetëqeverisjes vendore”. Arumunët, si pakicë kombëtare dhe në mënyrë të përsëritur shprehën shqetësimin për mospërfshirjen e tyre në procesin e konsultimit ose vendimmarrjes. Përmes një deklarate Shoqata “Liga e Arumunëve të Shqipërisë” u shpreh se Ligji ka disa aspekte të kontestueshme sa i takon vendosjes së kushteve numerikë. Sipas deklaratës “Përdorimi i kritereve numerikë, mbështetur në dy procese fuqimisht të kundërshtuara nga ana e pakicave në Shqipëri: Censusi i vitit 2011 dhe Reforma Teritorial-Administrative, e bën të pamundur shtrirjen e fuqisë së tij vepruese në zonat tradicionalisht të banuara nga komuniteti arumun (DESCRIPT.AL 23 qershor 2020).
Ky propozim përbën vënien në zbatim të Ligjit Nr. 96/2017 për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë. Sipas këtij Ligji miratuar më 13 tetor 2017 arumunëve u është dhënë statusi zyrtar si “pakicë kombëtare”.
Sa i takon numrit të pjestarëve të këtij komuniteti në Shqipëri sipas të dhënave të Censusit në Republikën e Shqipërisë, të publikuara në datën 13 dhjetor 2012, në Shqipëri janë 8.266 arumunë ose 0.3% e totalit të popullsisë. Në faqen e internetit të ambasadës rumune në Tiranë (tirana.mae.ro) referuar faqes së internetit të Komitetit Shtetëror për Minoritetet shkruhet për një numër prej disa dhjetra mijë arumunësh.
Për deklarimin e identitetit kombëtar dhe gjuhësor të një individi dhe të një komuniteti të caktuar duhen respektuar kriteret shkencore, mbështetur edhe në aktet ndërkombëtare.
Neni 3, paragrafi 1 i Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare (KKMMK) e adoptuar nga Këshilli i Evropës në Strasburg në 1 shkurt 1995, hyrë në fuqi në 1 shkurt 1998 parasheh të drejtën e gjithëkujt për t’i përkitur një pakice kombëtare, për të zgjedhur në mënyrë të lirë të trajtohet si i tillë ose jo.
Në paragrafin 35 në Raportin Shpjegues të (KKMMK) (ETS No. 157) veçohet se” nga paragrafi i parë të nenit në fjalë nuk duhet kuptuar se një njeri ka të drejtën të zgjedhë në mënyrë arbitrare përkatësinë në një minoritet kombëtar, por se kjo zgjedhje individuale është në mënyrë të pandarë e lidhur me kritere objektive, domethënëse për identitetin e personit në fjalë”.
Lidhur me vendin e arumunëve në shoqërinë shqiptare janë shprehur edhe figura të rëndësishme të kulturës apo dhe studiues të ndryshëm.
At Gjergj Fishta një personalitet i kulturës shqiptare në Revistën “Agimi” në vitin 1920 (vol. 1 maj 1920) shprehej: “Në mes të kombit shqiptar jeton edhe një popull tjetër që nuk është i një fisi me ne, e ku popull janë Gogët, a se ( si i thërrasin të huajt Kuçovllahët). …Veç atyre që jetojnë në Erdelj e në Rumani ka në Ballkan ma se një million Rumen të cilët në i quajmë Gogë … Gogët e Rument janë të gjithë të një fisi. Të shohim në filologji e në histori”.
Duke ecur në kohë dhe ardhur gati 100 vjet pas Pavarësisë së shtetit shqiptar në studimin e autores Sonila Boçi të vitit 2012 me titull “Minoritetet në Shqipëri midis identitetit dhe integrimit: 1939-1949, (botim i Qendrës së Studimeve Albanologjike – Instituti i Historisë, Tiranë 2012, p.64) citohet se në Shqipëri: “jetojnë pakicat greke, malazeze dhe vllahe të cilat në përputhje me dispozitat e Deklaratës së 2 tetorit 1921, kanë shkolla në gjuhën amtare dhe institucione fetare të pavarura (në studim të kryer nga autoritetet shqiptare për pakicat në vitin 1922).
Në “Fjalorin enciklopedik” të Akademisë së Shqipërisë vllehët përcaktohen si: popullsi që kanë gjuhë amëtare arumanishten. Vllehtë (popullsi me gjuhën amtare arumanishte – një dialekt i rumanishtes “ e përhapur sidomos në pjesën qendrore dhe jugore të Gadishullit Ballkanik duke përfshirë edhe Shqipërinë e mesme dhe të Jugut. (Fjalori Encikploedik, Akademia e Shkencave e Shqipërisë 2009/2010. Revista “Vëllazëria nr. 7-8 korrik – gusht 2010, pp.3-4.]
Por përtej këtyre përcaktimeve të rëndësishme nga bashkëjetesa midis shqiptarëve dhe arumunëve kanë rezultuar mjaft figura të shquara. Komuniteti arumun zë një vend me rëndësi edhe në marrëdhëniet shumëvjeçare midis Shqipërisë dhe Rumanisë. Për shkak edhe të martesave të përziera, këto figura mund të konsiderohen sa rumunë po aq edhe shqiptarë. Në librin me titull “Miqësi nëpër kohëra” – përbashkësi rumuno-shqiptare autorët Mirçea Perpela dhe Marçel Popesku botuar në mars të vitit 2020 në Tiranë, shkruhet se personalitetet e para të shfaqura në Rumani në kuptimin e të qenët active, kjo i takon shekullit XVI. Në shekujt që pasuan ata ishin edhe më të shumtë.
Këtu është fjala kryesisht për shqiptarë të vendosur në Rumani nga Shqipëria e Jugut në shekujt XVIII dhe XIX, të cilët ishin tregtarë, zejtarë, ushtarë garde (Vatashesku Katalina apud Maksutovi, Kristia, (2000), Comunitatea albaneza din Romania, Istoria Comunitatii din Romania).
Ndërkohë edhe Akademia Rumune është shprehur lidhur me identitetin dhe unitetin historik të rumunëve ne veri dhe në jug të Danubit. Në komunikatën e botuar në faqen zyrtare të Akademisë (www. acad.ro ) më 25 korrik 2018 thuhet: “… Sipas të vërtetës historike, populli rumun ka katër degë historike: dako-rumunët, arumunët, megleno-rumunët, istro-rumunët – folës të dialekteve të gjuhës rumune: dako-rumune, arumune, megleno-rumune dhe istro-rumune. Të gjithë këta rumunë formojnë një unitet etnik dhe flasin të njëjtën gjuhë”.
Akademia e Rumune shpjegon edhe hapësirën gjeografike ku shtrihen dialektet rumune.
Sipas saj: “Dialektet rumune: dako-rumun, arumun, megleno-rumun dhe istro-rumun- takohen në një hapësirë të gjerë, nga Maramureshi dhe Karpatet veriorë në veri deri në Epir dhe Thesali në jug, nga Istria, Deti Adriatik në perëndim deri në Detin e Zi dhe përtej Nistrës në lindje. Folësit e tyre janë pasuesit e popullsisë autoktone të romanizuar nga Perandoria Romake e Lindjes”. Sërish Akademia Rumune ka dhënë edhe një shpjegim për dialektet, ku sqarohet edhe ai arumun.
“Dako-rumunët janë pasuesit e rumunëve të veriut të Danubit, ndërkohë që arumunët, megleno-rumunët dhe istro-rumunët janë pasues të rumunëve në jug të Danubit. Uniteti i dialekteve rumune u mbështet gjatë kohërave nga gjuhëtarët më të rëndësishëm rumunë (Ovid Densușianu, Alexandru Philippide, Sextil Pușcariu, Theodor Capidan, Alexandru Rosetti, Tache Papahagi, Eugeniu Coșeriu) dhe të huaj (Wilhelm Meyer-Lübke, Gustav Weigand, Matteo Bartoli, Giuliano Bonfante, Alf Lombard, Carlo Tagliavini, Gerhard Rohlfs). Rumanishtja është paraqitur si një gjuhë e njehsuar, (unitare) me të katër dialektet (dako-rumune, arumune, megleno-rumune, istro-rumune) në enciklopeditë e huaja: The Encyclopaedia Americana, vol. 23, 1919; Encyclopaedia Britannica, vol 19, 1911; The New Encyclopaedia Britannica, Macropaedia, vol. 15, 1981); Grand Larousse Encyclopédique, vol. 1, 1964; Brockhaus Enzyklopädie, vol. 17, 1981; Dizionario Enciclopedico Italiano, vol. 10, 1961”, mbyll Akademia deklaratën.
Edhe aftësia e njerëzve të rëndësishëm në histori me origjinë arumune është e madhe. Secili meriton vëmendje por edhe dokumentet për t’i faktuar, nuk kanë qenë të shumta. Duke nisur nga fundshekulli XVIII e në vazhdim arumunët i dhanë Rumanisë shumë profesorë universiteti, diplomatë dhe politikanë me peshë.
Lidhur me këto personalitete mund të përmendim disa:
1. Emanoil Gozhdu lindi në Oradea në vitin 1802 në Perandorinë Habsburge në një familje voskopojare. Ky personalitet u dallua si një luftëtar për të drejtat e rumunëve të Transilvanisë dhe të Hungarisë. Ka qenë avokat i shquar por edhe politikan. Zotërues i një pasurie të madhe ai themeloi një fondacion që i mban emrin dhe që u kushtohet “asaj pjese të kombit rumun të Hungarisë dhe të Transilvanisë që ka besimin ortodoks”. Ai e la me testament funksionimin e Fondacionit për 200 vitet që do të pasonin. Fondacioni i tij u rregjistrua në Budapest nga miku i tij metropoliti Andrei Shaguna. Emanoil Gozhdu vdiq me 1870 ndërsa Fondacioni funksionoi deri në 1917. Më 1945 komunistët hungarezë e shtetëzuan dhe sot statusi i saj është ende në diskutim.
2. Aleksandër Stavre Drenova i njohur si Asdreni lindi në vititn 1872 në Shqipëri në Perandorinë Otomane. Poeti shqiptar është i njohur sidomos për “Himnin e Flamurit” me muzikë të Çiprian Porumbeskut (Në flamurin tonë është shkruar BASHKIM). Më 1904 Asdreni botoi “Rreze dielli” që ishte edhe antologjia e parë me 99 poezi kushtuar Skënderbeut, heroit tonë kombëtar.
Pas një kthimi të shkurtër në Shqipëri më 1914 Asdreni u kthye në Rumani ku vazhdoi të mbështesë lëvizjen kombëtare shqiptare. Më 1937 bëri një udhëtim të shkurtër në Shqipëri por u rikthye brenda një kohe të shkurtër në Rumani. Vdiq në Bukuresht më 1947.
3. Jorgu Steriu ka qenë një biznesmen i madh arumun (fërshërot). Lindi në vitin 1873 në fshatin Palasë të Perandorisë Otomane (sot në Shqipëri). I emigruar që në vogëli e nisi punën e biznesmenit si tregtar artikujsh kozmetikë. Por pasuria e tij e madhe u bë në lëmin e ushqimit publik duke qenë pronar i shumë restoranetve në qendër të Bukureshtit nga të cilët më i njohur është “Luzana”. Ka qenë bamirës i madh dhe përkrhaës i çështjes së rumunëve jugdanubianë. Ndërroi jetë më 1947.
4. Toma Karaxhiu lindi në vitin 1925 në Jug të Shqipërisë në një familje arumunësh nga Epiri. Prindërit e tij në Rumani u vendosën në Plojesht. Mbaroi gjimnazin më 1945 dhe u rregjistrua në Fakultetin e Drejtësisë të cilin pas pak e braktisi për të ndjekur Konservatorin e Muzikës e të “Artit Dramatik”.
5. Neagu Xhuvara, diplomat, filozof, historian, gazetar dhe romancier u lind në vitin 1916 në Rumani. Vdiq në janar të vitit 2018 në moshën 102 vjeç.
Xhuvara u diplomua në Sorbonë për histori dhe doktoraturën për drejtësi, po në Paris. U rreshtua në ushtrinë rumune si kadet oficer dhe mori pjesë në fushatën e Basarabisë e Përtej-Dnjestrit duke u plagosur në afërsi të Odesës. Pas marrjes së pushtet nga komunistet mërgoi dhe zhvilloi një veprimtari të pasur antikomuniste. Më 1961 shkoi në Niger ku 23 vjet me radhë ishte këshilltar diplomatik dhe juridik i ministrit të Punëve të Jashtme të Nigerit.
Pas rikthimit në Rumani pas vitit 1990 u bë profesor në Universitetin e Bukureshtit dhe anëtar nderi i Institutit të Historisë “A.D.Ksenopol” të Jashit, i Institutit të Historisë “Nikolae Jorga” të Bukureshtit.