Nga Albert Avduli
(Shkrim i botuar para pak vitesh, por po e risjell pa ndryshime)
Në Bënjën e banjave termale, ku nuk ka banjë (WC,tualet)
Duket ironike që të nisesh për Sarandë e të përfundosh në Bënjë të Përmetit. Ja pra që, kështu më ndodhi të dielën e tretë të këtij qershori. Sa kalon Tepelenën, te e shumë njohura Ura e Leklit, një re e vonuar lëshoj ca lot mbi xhamin e parë të autoveturës. Ranë me zhurmë ato pika mbi xham si gogla tespihesh të Zotit.
Nuk di pse, menjëherë mendova , që shiu në Sarandë nuk është i bukur. Pa folur, vrikthi, ktheva majtas për Përmet. Fëmijët kuptuan ndryshimin e drejtimit të udhëtimit vetëm kur ndodheshim mbi urë.
Kakofoni zërash të inatosur. Ku po shkojmë? S’ është rruga e Sarandës. . .Eh, inat i natyrshëm për planet e prishura, por. . . Më mirë ndalim në Përmet – sqaroj- time shoqe. Moti s’do të jetë aq mirë për në det. Dikur, inati dhe zhurma e vajzave u hollua. Morëm kot rrobat e plazhit, foli Anteu, që nuk ishte bashkangjitur në korin e ankesave të motrave. Kjo fjali më solli si shkreptimë në mendje ujërat termale të Bënjës. Do t’i përdorësh, belbëzova. Mërzia u shndërrua në të qeshura mbas pohimit tim. Plazh në mal, thumbuan në kor.
Ura e Dragotit, një konstruksion metalik, artistik, dobiprurës dhe hije rëndë. Ndërtuar në vitet 1935-1936 prej një kompanie italiane, kjo urë, për pak feston 100 vjetorin e saj. Vjosa , poshtë saj , rrjedh vrullshëm me këtë fqinj ajror shekullor. Në të majtë , fshati Dragot me shtëpitë karakteristike dhe zhytur në gjelbërimin e pemëtarisë. Gryka e Këlcyrës të krijon një ndjesi ndroje. Kreshpat e maleve në dy krahët e lumit janë pështjell nga re të dendura ,që më tepër duken si çadër e madhe dhe jo si basen uji i kondesuar. Pa mbërritur te burimet e grykës, në krahun e djathtë të rrugës nacionale është ngritur impianti i ujit natyral “Trebeshina”.
Rrepet shekullor dhe ujëvara e Grykës së Këlcyrës të ftojnë për kafe. Lokalet dhe hotelet e bukura e kanë cënuar simbiozën midis malit dhe lumit. Gjithësesi , natyra është e bukur se i shërben njeriut. Një mëngjes, që më shumë sesa ushqim është kohë për të shkrepur dhjetëra foto. Kanioni i Vjosës ka bukuri të magjishme. Ujërat janë të turbullta, por Vjosa është e nurshme çdo ditërrjedhje të saj. Turbullira më sjell në mend vargjet e këngës së vjetër popullore: “ po vjen lumi turbull-ooo, sjell një bej të mbytyr-ooo”.
Vjosa buron në Pinde të Greqisë, shtohet e merr shtat në midis maleve të Përmetit. Kënga e turbullt, ka buruar pikërisht këtu, në Këlcyrë. Në shpatin e malit përballë, duken konturet e rrënuara të pallatit të bejlerëve Këlcyras. Ai fis vjen nga thellësia e shekujve si mbartës të fisnikërisë dhe gjakut të Muzakajve. Rreth viteve 1500, biri i Teodor Muzakës, Jakobi, për të ruajtur privilegjet e zotëruesit, pranoj vasalitetin dhe islamin. Një mëngjes të turbullt të mesjetës, u gdhi si Jakup Bej dhe agimit të ditës i thirri “ sabah”. Simbas gojëdhënave, në rivalitetet brenda fisit, per zotërimin e pushtetit, një nga pinjollët e familjes ( ndoshta më ambiciozi që s’priste dot radhën ), u gjend i mbytur në ujerat e lumit që edhe pse gurgullon , nuk dëshmoj kurrë për intrigat e oborrit tosk.
Historia e re e kësaj familje, sjell një figurë brilante në shekullin e 20-të. Ali Bej Këlcyra( Klisura) , juristi poliedrik, formuar si antikomunist dhe social demokrat, u detyrua të arratisej mbas vendosjes së diktaturës bolshevike në Tiranë. Bija e vetme e tij, Hana, ndërroj jetë para pak vitesh në Gjermani. Ndaj më duken ogurzeza muret e bardha te sarajeve në faqe te malit. Një derë e madhe shekullore u mbyll. Greku i parë (vitet 1912-1914) kishte vënë zjarrin në atë shtëpi- kala .U ringritën si feniksi nga hiri. Komunizmi u vuri zjarrin dhe drynin e zi atyre portave. Natyra me ligjet e saj, sosi vijimin e gjakut në këtë fis aristokratik. Vajtica e dikurshme me refrenin e mortkëngës së cituar më lart, duket se bënte orakullin e fundit fatal.
Braktis mendimet e trishta për t’u kthyer në gëzimin e asaj cfarë Zoti ka përcaktuar në këtë të dielë murrake. Seti i fotove të shumta, ka vënë paqe në makinë.
Mbas disa minutash mbërrijmë në Përmet. Në hyrje të qytetit slogani epik : “Të gjitha, veç detit”. Gjetje e bukur metaforike. Guri hijerëndë në këmbët e qytetit na uron mirëseardhjen. Ai nuk është guri i Mekës, misticizëm nuk ka, por misteri e përfshin të tërin. Si erdhi deri aty ? Nëse ra nga mali, pse nuk përfundoi në lum. . .? ! ? Ligjet e gravitetit janë cënuar dukshëm në qytetin mbushur me lule. Guri i Qytetit e quajnë vendasit, por edhe vizitorët. Ky gur emblematik është shpallur monument natyre. Një shkallë ndihmon kureshtarët dhe të apasionuarit të ngjiten në kurorën e tij. Dikush bën foto, dikush vë në provë mushkëritë e lodhura nga duhani.
Tjetër ndalesë në kafet e shumta qëndërqytetëse. Epo, ëmbëlsirat me bazë frutat dhe rakia, janë krenari e traditës. Të rinjtë, mbasi shijuan nga një lëng qershie, rendën për t’u vënë para fokusit të aparateve (telefonave) fotografikë. Janë të parët në mikpritje dhe pastërti përmetarët. Konstatim që e sjell në kujtimet e tij Pukëvill, Edit Durham te “ Brenga e Ballkanit”, por edhe Noli në poezinë, ku përshkruan , diku me sarkazëm, diku me realizëm, veset dhe cilësitë e krahinave shqiptare.Tavolina jonë u shtua. Një frashërlli, miku im, Arben Mustafaj u gjend aty me familjen e tij. Bijtë e tij, Xhesi dhe Rexhi ju bashkuan fëmijëve të mi si udhërrëfyes të qytetit. Rexhi është student arkitekture dhe sigurisht që shpjegon edhe arkitekturën e përzier të qytetit te vjetër.
Inxhinieri Mihallallaq Capollari, shoqëruar nga xha Bektashi dhe Elton Shahyseni e ndez tavolinën me alegrinë e përmetarit të kulturuar. Eltoni më tregon për punët e shumta që janë realizuar nga bashkia dhe kryetari Niko Shupuli. Më tregon edhe për varfërinë që ka përfshirë shumë familje. Lutjeve të tyre të sinqerta, për të drekuar së bashku, ju shmanga me gënjeshtrën e bardhë se udhëtoj për Leskovik. Preh e mashtrimit të sojshëm nuk ra Beni.
U nisëm për në Bënjë, kur akrepat e sahatit po vendoseshin mbi njëri- tjetrin te 12-ta. Afro 6 km nga qyteti, në aksin e rrugës Përmet- Çarshovë- Leskovik, kthehemi majtas. Njësia administrative Petran, fshati Bënjë. Vreshta , dardhë, arra, qershi. kullota, korije, kope me dhi, dele, tek-tuk lopë të vogla të rracave të vëndit. Rruga është e ngushtë, e shtruar dhe me bazament, por peisazhi mahnitës të shplodh.
Ne krahun e majtë të rrugës, vetëm një km larg burimeve shërues, midis rrepeve shekullor dhe arrave te hirnosura nga pleqëria është ndërtuar një restorant dhe hotel i vogël. Theodhoriu, pronari , na pret buzagaz në këtë biznes familjar.Vetëm 100 m nga restoranti i rrepeve, tjetër bujtinë. “ Hani i Colit” e ka pagëzuar zotëruesi i tij.
Lumi Langaricës lëngon e shteret. Disa hidrocentrale ndërtuar në faqen e shpatit, si kuçedra e përthithin ujin dhe poshtë rrjedh aq sa lubia hidroteknike nuk e asimilon dot. E bukur lugina e Langaricës. Shtrati i gjerë zhavorisht me të bardhën e tij thyen gjelbërimin e pyjeve në dy brigjet. Rrapi, lofata, ilqet, dushku, dëllinja, gorrica, shkoza, trëndafili egër, janë flora kryesore në këtë lartësi. Era e squfurit na çan hundën sapo zbresim nga makina. Dhjetra autovetura me gjithfarë targash janë parkuar në pllajën e qetë hijezuar nga disa drurë të harlisur. Një mushkë , lidhur te dega e rrapit, pret të zotin.
Retë janë davaritur dhe dielli pjek. Burimet janë mbushur me njerëz të të gjitha moshave. Avujt mineralë udhëtojnë drejt qiellit si një ofshamë toke. Duket se koha ka ndalur disa qindra vite më parë. Në kushte primitive , krejt natyrshëm, mosha, gjini dhe simptoma klinike të ndryshme, pllaqariten në ujërat e ngrohta sulfurore. Një vajzë, si nimfë ,del nga burimet e malit dhe fytyrën e ka mbuluar me argjilë minerale.
Këtu , as mjek nuk ka, as ciceron nuk dëgjon. Nuk ka ambient për t’u ndërruar dhe shoh që mbas shkëmbinjve, mbas gëmushave, vizitorët ndërrohen dhe dega e dushkut shndërrohet në mbajtëse rrobash. Ja, te një degë është lidhur edhe mushka kokëfortë. Që t’i hedh pak kripë plagës : O njerëz, këtu nuk ka një banjë (ËC, tualet). E kuptoni të gjithë çfarë ndodh me ujërat kurative. Burimet natyrore minerale janë atraksion kurativ dhe turistik, por duhen zhvilluar dhe promovuar. Këtu , secili është ne ujin e tij, për sëmundjen, qejfin apo kureshtin e tij. Ky pellgu i madh, më shpjegon Beni, shëron sëmundjet e stomakut. Eshtë mirë që të marësh ujin në shishe dhe mbasi ta ftohësh në frigorifer ta pish esëll. Pellgu tjetër, më i vogël si sipërfaqe, kuron sëmundjet e lëkurës. Burimi me më shumë prurje, në këmbët e urës, ta heq reumatizmën. Temperatura e ujrave shkon nga 26 deri në 32 gradë Celsius. Në dimër, kurat janë më të efektshme veçse duhet kujdes që, sapo del nga ujërat e ngrohta termale të thahesh e vishesh në ambiente të ngrohta. Kushte, që këtu, prej sa Zoti i ka krijuar burimet dhe ende sot, nuk ka. Prurjet e ujit pothuajse janë standard dimër e verë.
Për ta plotësuar këtë fragment arkaik, fuqi plotë duket Ura e Kadiut. Vendasit e zbusin “d” dhe shqiptojnë : Ura e Katiut. Ndërtuar në mesin e viteve 1700, ruan edhe sot funksionin e saj. Ajo është e lartë afro 7 m . Gjatësia e kalldrëmit diku te 30 m linear, ndërsa gjerësia afro 90 cm. Ura ka harkun e madh dhe një dritare jo të vogël. Punuar e gjitha me gur nga mjeshtër vendas ajo tërheq vëmendjen edhe nga ana estetike. Kjo vepër ka statusin e monumentit të kulturës.
Ja, mbi të po ecën një burrë afro 80 vjeçar. Pa shoqërinë e askujt, bij, nipër ose mbesa, por mbështetur mbi shokun e ngushtë, bastunin. Pa dyshim po bënë ritualin e përditshëm,shtëpi- banja-shtëpi. Këmbët e tij janë forcuar mbi atë kalldrëm që nga fëmijëria. Zotnia . duket si lajmëtar nga kohë të lashta, por me veshje alla frënga. Tjeta , na përshëndet si me kursim dhe vazhdon ecjen e paqtë të tij. Mendoj se mushkës së “ parkuar” po i shkon kalorësi i saj.
Fëmijët janë zhytur tashmë dhe ndërrojnë burimet si për të shëruar sëmundjet reumatike të gjyshërve.
Me vështirësi i detyroj të pregatiten për të hipur në makinë. Tek bujtina e rrepeve dhe arrave( po e quaj) ndalemi për drekë. Prodhime të vendit. Bukë fshati e pjekur në saç. Rigjetëm shijen e bukës. Nuk ka vullnet të ruaj dieta apo kujdes në sofër të tillë.
U kënaqëm, shprehen fëmijët. Rrobat e plazhit s’i patëm marrë kot. Shumë bukur te ky fshati me banja, pa banja, që quhet Bënjë.
Ca pika shiu ranë mbi xhamin e veturës sime dhe si për ironi : Për në det u nisa dhe shkova në mal. Ndryshimi i drejtimit , nga Saranda për në Përmet, u kthye në një ditë ndryshe, por me plot kënaqësi.
Në të vërtetë, e vetmja ironi , është fakti, që ne nuk e njohim Shqipërinë. Kur e njohim , na mrekullon natyra. Sa kalojnë emocionet, vjen zhgënjimi. E kemi lënë për turp. . .