Në pranverën e vitit 2011, Japonia u shkatërrua nga një prej cunamëve dhe tërmeteve më të rëndë në historinë e vendit. Njerëzit e rajonit Tohoku, panë t’u rrënoheshin shtëpitë dhe lagjet e tyre. Më pas nisën të vijnë ndihmat. Një flotë prej më shumë se 70 kamionësh u solli ushqime, ujë, batanije dhe gjithçka tjetër që u duhej për ta rifilluar jetën.
Por kamionët e parë nuk vinin nga qeveria, por nga një grup tjetër, të cilin shumica e njerëzve nuk e lidhin me veprat e mira. Ata ishin anëtarë të bandës më të fuqishme kriminale në Japoni, Yakuza. Por kjo nuk ishte e vetmja herë që ky grupim u kishte ardhur në ndihmë njerëzve.
Ata kishin vepruar njëlloj edhe pas tërmetit të rëndë që goditi Koben në vitin 1995. Ky lajm shkaktoi shumë habi në Perëndim. Për ne, Yakuza përbëhet nga djem të këqij, dhe që me siguri nuk e vrasin mendjen për të ndihmuar të tjerët.
Në fakt, ajo që ne e njohim si “mafia japoneze”, nuk është e ngjashme me grupimet e mafiozëve të njohur italo-amerikanë si Al Kapone apo Xhon Goti. Yakuza është në fakt një grupim i ndërlikuar organizatash, të lidhura ngushtë me historinë japoneze të 400 viteve të fundit.
Dhe ndihma që ato japin në kohëra krizash, përputhet me atë që quhet “Kodi Ninkyo”, pra parimi që çdo anëtar i Yakuza duhet të mos lejojë që të tjerët përreth tyre të vuajnë. Ose të paktën kjo është ajo që beson Manabu Mijazaki, autori i më shumë se 100 librave mbi Yakuza.
Aspekti bamirës i krimit të organizuar, beson ai, është i rrënjosur në historinë e tyre. “Yakuza përbëhen nga njerëz të braktisur nga shoqëria. Ata kanë vuajtur, ndaj përpiqen të ndihmojnë njerëzit e tjerë që kanë probleme”- thekson ai. Sekreti për të kuptuar Yakuza, beson Mijazaki, qëndron në të shkuarën e tyre që në shekullin XVII-të.
Yakuza fillestare përbëhej nga anëtarët e një kaste sociale të quajtur Burakumin. Ata përfaqësonin shtresat më të ulëta të shoqërisë, deri në atë masë sa as që u lejohej të preknin me dorë qeniet e tjera njerëzore. Burakumin, ishin zakonisht njerëz që kishin profesione si xhelatë, kasapë, sipërmarrës dhe përpunues të lëkurëve.
Ata ishin njerëz që në shoqërinë budiste dhe shinto, konsideroheshin si të pisët. Izolimi i detyruar i tyre kishte filluar që në shekullin XI-të, por ai u forcua shumë në vitin 1603. Atë vit, u miratuan ligje zyrtare për t’i përjashtuar Burakumin nga shoqëria. Fëmijëve të tyre iu mohua arsimimi, dhe shumica u dërguan jashtë qyteteve, të detyruar të jetojnë në geto.
Ata u detyruan që gjenin një mënyrë për të mbijetuar. Mund të merreshin me tregti si prindërit e tyre, ose me aktivitete kriminale. Kështu, nisi të lulëzojë krimi pas vitit 1603. Ata ngritën magazina ku sistemonin mallrat e vjedhura. Të tjerët ngritën në tempuj e braktisur, shtëpi të paligjshme të lojërave të fatit.
Shumë shpejt ata nisën të krijojnë edhe bandat e tyre të organizuara. Ato do të ruanin dyqanet e banditëve të tjerë, duke iu ofruar siguri në këmbim të parave. Pikërisht në ato grupe, lindi Yakuza. Për shkak të fuqisë financiare në rritje, ata fituan respektin e të tjerëve.
Drejtuesit e këtyre bandave u njohën zyrtarisht nga sundimtarët e Japonisë, duke u lejuar të mbanin mbiemra dhe shpata. Pra kishin të njëjta privilegje si edhe fisnikëria. Në pak kohë, Yakuza të ishte një grupim i konsoliduar kriminal, i kompletuar me zakonet dhe kodet e veta.
Me këto kode, Yakuza ishte si një familje. Kur anëtarësohej një anëtar i ri, ai e pranonte shefin e tij si babanë e tij të ri. Me një ceremonial të veçantë, ai do të pranonte zyrtarisht Yakuza-n si shtëpinë e tij të re.
Besnikëria ndaj saj duhej të ishte e plotë. Në disa banda, një rekrut i ri pritej të ndërpriste plotësisht lidhjet me familjen e tij biologjike. Besnikëria shfaqej edhe nga mënyra përmes të cilës ai do të ndryshojë pamjen e tij. Një anëtar i ri i Yakuza, mbulohej nga koka te këmbët me tatuazhe të ndërlikuara (në stilin tradicional japonez, të njohura si irezumi).
Ai e kishte të ndaluar t’u tregonte tatuazhet të tjerëve. Por besnikëria kishte edhe një akt disi më makabër. Shumicës së tyre u mungonte njëri gisht në dorën e majtë. Ky është dënimi standard për pabesinë. Çdo anëtar që poshtëronte emrin e bandës, do të detyrohej të priste majën e njërit gishtit, dhe t’ia dorëzonte atë shefit të tij.
Deri vonë, Yakuza është toleruar shumë në Japoni. Anëtarët e saj ishin qartazi kriminelë, por qenë të dobishëm. Ndonjëherë qeveria i ka shfrytëzuar aftësitë e tyre unike. Ajo ka kërkuar ndihmën e tyre në operacione të caktuara ushtarake. Edhe pse detajet mbi këtë çështje mbeten të mjegullta.
Ndërkohë në vitin 1960, kur presidenti amerikan Ajk Ajzenhauer vizitoi Japoninë, qeveria i përdori disa prej tyre si truproja. Historikisht, Yakuza ka kryer kryesisht ato që shumë njerëz do t’i konsideronin si krime relativisht të vogla:trafik droge, prostitucion dhe zhvatje. Sot thuajse çdo drogë e paligjshme në Japoni importohet nga Yakuza.
Ndërkohë, anëtarët e Yakuza shkojnë në Amerikën e Jugut, Evropën Lindore dhe Filipine, ku marrin përmes joshjes vajza të reja dhe i çojnë në Japoni, duke u premtuar atyre punë fitimprurëse dhe karriera të mëdha. Kur mbërrijnë atje, ato e kuptojnë se për to nuk ka asnjë punë të tillë.
Ato mbeten të bllokuara në një vend të huaj, dhe pa para të mjaftueshme për t’u rikthyer në shtëpi, dhe kështu bëhen pjesë e rrjeteve të prostitucionit. Përplasja e parë mes qeverisë dhe bandës, ndodhi kur Yakuza e zhvendosi aktivitetin tek pasuritë e paluajtshme në vitet 1980.
Ajo vendoste gjoba mbi bizneset, deri kur ia dilnte të blinte shumicën e aksioneve në atë kompani. Ligji i parë i ashtuquajtur “anti-Yakuza” u miratua në vitin 1991.
Sipas tij, ishte e paligjshme që një gangster i Yakuza të përfshihet në biznese të ligjshme. Që atëherë, janë miratuar edhe ligje të tjera me të njëjtën frymë. Dhe goditja ka funksionuar.
Thuhet se sot anëtarësia e Yakuza, është më e ulëta e dekadave të fundit, dhe jo vetëm për shkak të arrestimeve. Për herë të parë, bandën kanë filluar ta braktisin anëtarët e saj. Me asetet financiare të ngrira, banda nuk ka mjaftueshëm para për të paguar rrogat e pjesëtarëve të saj./ Përshtatur nga CNA.al