Shqiptarët e kaluan 100- vjeçarin e zi dhe tani është koha, kur duhet të veprojnë si një trup i vetëm drejt Ribashkimit Kombëtar! Njëherë e mirë duhet të vetëdijësohemi që t’i lëmë anash përçarjet dhe teket politike që mund t’i kemi njëri me tjetrin! Ky fillim i 100- vjeçarit të ri s’ka aspak dyshim se është i shqiptarëve. Është koha që të ribashkohemi në një shtet, sepse kështu siç jemi të copëtuar nuk mund t’u mbijetojmë kohërave modrene dhe s’mund t’i përballemi trazimit të kësaj bote të çmendur, e që është disfavor i popujve të vegjë. edhepse në Gadishullin Ilirik shqiptarët nuk janë më kapar i Eurpës. Për Ballkanin shqiptarët nuk mund të mbesin edhe më tej urë lidhëse e Lindjes dhe Perëndimit, përmes së cilës të kaojnë interesat e popujve të mëdhenj mbi kurrizin tonë e kështu me radhë. Është për të ardhur keq, kur edhe pas një shekulli të formimit të shtetit shqiptar, për politikën zyrtare shqiptare, të paktën deri më sot, por edhe për politikën kosovare, çështja kombëtare shqiptare konsiderohet e mbyllur, ashu siç mendon edhe faktori ndërkombëtar! Shqipëria tradicionalisht është treguar “e kujdesshme” për të treguar se nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje, edhe pse nga të gjitha anët kufizohet me tokat e veta, me gjakun shqiptar!!! E deklaratat e tilla të krerëve të shtetit shqiptar, të përsëritura shpesh nga qeveritarët, bien ndesh kryekëput me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të shprehur në parathënien e saj, në të cilën thuhet qartë: “Ne, populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë…me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar… vendosim këtë Kushtetutë”. Pra, zyrtarisht është krejt legjitime thirrja për Ribashkimin tonë Kombëtar, sepse kështu thuhet edhe në aktin më të lartë juridik të Shtetit Shqiptar- në Kushtetutën e Shqipërisë. Por, lidhur me Kosovën, Kushtetuta e Kosovës ka bërë një mbyllje të dhimbshme të çështjes kombëtare në Kosovë, duke e sanksionuar padrejtësisht në Kushtetutë. Themi ështu duke u bazuar në Neni 1, pika 3 të Kushtetutës së Kosovës, ku ndalohet bashkimi i Kosovës me ndonjë shtet tjetër. Kjo dispozitë shkon përtej ligjit ndërkombëtar, i cili nuk ndalon bashkime apo shkëputjen vullnetare dhe paqësore të popujve sovranë. Shqiptarët e Iliridës duhet unanimisht ta shpallin Marrëveshjen e Ohrit të dështuar dhe të propozojnë një projekt-marrëveshje alternative për të mbërritur te shteti i tyre, në truallin e tyre amtar, me pretendim për Ribashkim Kombëtar në një Shqipëri. Në kushtet ku shqiptarët e IRJM-së shikojnë se nuk ka asnjë projekt nga Shqipëria apo Kosova për Ribashkimin Kombëtar, atëherë ata paraprakisht janë të detyruar të kërkojnë një marrëveshje me sllavo-maqedonët, duke u dhënë këtyre të fundit epërsinë për të hartuar dispozitat e saj dhe lirinë për t’i shkelur përsëri ato. Kështu, në tre shtetet ku jetojnë sot pjesa më e madhe e kombit shqiptar, ribashkimi i tij nuk përbën çështjen themelore të politikës zyrtare. E kjo është shumë e dhimbshme! Përse të hezitohet që të kërkohet një e drejtë e madhe, e mohuar me shekuj për ne shqiptarët!? Trysnia për mbylljen e çështjes kombëtare shqiptare ushtrohet së pari nga bashkësia ndërkombëtare. Situata është e ndërlikuar po të kemi parasysh se shqiptarët jetojnë në disa shtete dhe një shtet kombëtar i shqiptarëve do të kërkonte praktikisht rivizatimin e hartës së Ballkanit. Për këtë arsye nuk mund të pritet që bashkësia ndërkombëtare të marrë nismën në këtë drejtim. Bashkësia ndërkombëtare, me gjithë përçarjen e saj, është në një unitet për presionin mbi shqiptarët që ta konsiderojnë çështjen kombëtare të mbyllur. Për këtë përdoret formula e integrimit të rajonit në Bashkimin Europian, ku kufijtë nuk do të kenë rëndësi dhe ku gjuha e nacionalizmit dhe vetëvendosjes konsiderohet si e kapërcyer. Në këtë formulim ka një paradoks, sepse për të mohuar të drejtën e bashkimit të shqiptarëve shenjtërohen kufijtë e vendosur padrejtësisht dhe njëkohësisht atyre u thuhet se në BE kombi dhe kufijtë shtetërorë nuk kanë peshë! Nëse nuk kanë peshë, pse nuk ndryshohen për të vënë në vend një padrejtësi që vetë bashkësia ndërkombëtare e ka pranuar se u është bërë shqiptarëve? Për arsye që dihen, politikanët shqiptarë jashtë Shqipërisë herë pas here e kanë artikuluar kërkesën për bashkim kombëtar, qoftë për efekt elektoral, qoftë për të bërë presion mbi politikanët joshqiptarë apo ata ndërkombëtarë. Megjithatë, sapo janë plotësuar disa kërkesa të pjesshme, ata shumë shpejt e kanë braktisur ligjërimin e bashkimit të kombit për ta zëvendësuar me stabilizimin e shtetit ku ata ndodhen. Kështu në lëvizjen për pavarësi të Kosovës rëndom thuhej nga politikanët se bashkimi me Shqipërinë përjashtohej nga axhenda si lëshim ndaj diplomacisë ndërkombëtare për të siguruar mbështetje për Republikën e Kosovës. Formula e njohur e presidentit Ibrahim Rugova ishte: “Kosova e pavarur, e hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë”. Ajo kishte meritën e kërkesës për pavarësi, por të metën e barazimit të Shqipërisë me Serbinë. Po kështu, deklaratat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bënin fjalë për bashkim kombëtar dhe po kështu ishte formuluar betimi i ushtarëve të UÇK-së. Bashkimi u la mënjanë në shkëmbim të njohjes së UÇK-së si faktor politik nga diplomacia ndërkombëtare. Në IRJM, Ushtria Çlirimtare Kombëtare ra dakord me pikat e Marrëveshjes së Ohrit dhe u shndërrua në partinë e Bashkimit për Demokraci dhe Integrim. Nuk e mohojmë se Shqipëria pas vitit 1990 ka ndihmuar për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës apo ka ndikuar sadopak në përmirësimin e pozitave të shqiptarëve në IRJM, Mal të Zi e Luginë të Preshevës. Mirëpo, Shqipëria nuk ka pasur një qëndrim të qartë e parimor pro vetëvendosjes, nuk ka miratuar e artikuluar ndonjë strategji kombëtare, e aq më pak të bashkërendonte përpjekjet kombëtare e paqësore të shqiptarëve. Përkundrazi, pozicioni i Shqipërisë ka qenë në mënyrë konstante më i tërhequr se sa kërkesat politike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Republika e vetëshpallur e Kosovës u njoh nga Kuvendi i Shqipërisë, por nuk ka pasur asnjë vendim të ekzekutivit që ta bënte të efektshme njohjen nga ana diplomatike. Në këtë mënyrë, Shqipëria e linte të hapur pranimin prej saj të çfarëdo zgjidhjeje politike për Kosovën që do të realizohej nga bashkësia ndërkombëtare. Pasi çështja e Kosovës u la jashtë bisedimeve të Dejtonit, Presidenti Sali Berisha në vitin 1995 deklaronte se, përkrahte “hapësirë demokratike për shqiptarët”, një formulë që realisht mund të pajtohej edhe me autonominë e vitit 1974. Një vit më vonë ai bënte thirrje që partitë shqiptare të bashkoheshin me opozitën serbe të udhëhequr nga Drashkoviçi, d.m.th., me “serbët e mirë” kundër Millosheviçit, duke e reduktuar çështjen kombëtare shqiptare në një problem të demokracisë brenda Serbisë. Në nëntor të vitit 1997, Kryeministri Nano takohet në Kretë me Millosheviçin, ku përflitet se ka folur për shqiptarët e Kosovës si një pakicë etnike. Kur pyetet nga një gazetë gjermane për Kosovën, ai përgjigjet: “E ç’kuptim ka pavarësia në Europën pa kufij nëse je një qytetar europian?” (‘Der Spiegel’, 08.09.1997). Në fund të shkurtit 1998 ai kërkon që shqiptarët jashtë Shqipërisë të marrin pjesë në institucionet shtetërore, gjë që praktikisht nuk shkonte përtej kërkesës për demokraci: “institucionet paralele nuk japin zgjidhje, por përkundrazi polarizojnë dhe radikalizojnë shoqëritë që i krijojnë ato” (‘Zëri i Popullit’, 07.02.1998). Në fund të marsit të atij viti, kur kishte nisur lufta e UÇK-së, Nano përmend formulën “republikë minus”, d.m.th., statusin e republikës brenda Jugosllavisë së mbetur, por pa të drejtë shkëputjeje (‘Zëri i Popullit’, 31.03.1998), sërish më pak se sa kërkonin shqiptarët e Kosovës në atë kohë. Pas vitit 1999, me përfshirjen e drejtpërdrejt të SHBA-së, NATO-s e OKB-së në Kosovë, Shqipëria mund të justifikohej se duhej të ishte e kujdesshme që qëndrimet e saj t’i bashkërendonte me aleatët e miqtë ndërkombëtarë të shqiptarëve. Kjo duket në formulën “Shqipëria faktor, por jo aktor” për zgjidhjen e statusit të Kosovës të shqiptuar nga Presidenti Moisiu dhe diplomatët shqiptarë më 2006-n, apo në formulën e ish-ministrit të Jashtëm se, Shqipëria nuk do të jetë as e para dhe as e fundit që do ta njohë Kosovën e pavarur, shqiptuar në prag të shpalljes së pavarësisë. Edhe me krijimin e shtetit të Kosovës, qëndrimet e Shqipërisë shkojnë përtej kujdesit me respektimin e statuskuosë. Nuk bëhet fjalë thjesht për shprehje pamundësisë për të avancuar në realitet bashkimin kombëtar, por për mohimin e vetë idesë së bashkimit. Në mars të këtij viti, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, z. Edmond Haxhinasto, tha gjatë një vizite në Kosovë se, teza e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë është e dëmshme për shqiptarët (prej nga del se ndarja e shqiptarëve në disa shtete qenka shumë e mirë për ta) dhe se i vetmi bashkim i shqiptarëve do të mund të realizohet në BE. Kryediplomati i Shqipërisë u angazhua që të ndihmojë në njohjet e mëtejshme ndërkombëtare të shtetit kosovar dhe për bashkëpunim më të ngushtë për integrimet europiane. Pra, të njëjtat angazhime dhe asgjë më shumë se ç’do të merrte përsipër çdo shtet tjetër i Europës që e ka njohur Republikën e Kosovës. Sigurisht që arsyetimet për të mos u angazhuar për Ribashkimin janë të shumëllojta: një pjesë e dëshiron, por e quan të pamundur, një pjesë e mendon të panevojshëm në kohën e integrimeve europiane, një pjesë mendon se bashkimi do të vijë natyrshëm nga ekonomia dhe “rrugët e kombit”, një pjesë do të ishte dakord që ta realizonin fuqitë e mëdha ndërkombëtare, një pjesë e shikon si një shkak për luftëra të reja në Ballkan, një pjesë në Shqipëri nuk e dëshiron sepse mendojnë se do të prishte drejtpeshimin gegë-toskë, një pjesë e mendojnë si rrezik bashkimin politik të një kombi me shumicë myslimane, një pjesë në Shqipëri mendon që të mbajmë fort këtë shtet që kemi dhe të mos synojmë për më shumë se nuk kemi takat etj. Të gjitha këto janë pjesë e gjykimit të përgjithshëm të shumë shqiptarëve. Çështja kombëtare u duket diçka e largët që nuk prek jetët e tyre të përditshme, ndoshta një ide e mirë dikur apo në të ardhmen, por që nuk ka të bëjë me ata vetë në të tashmen. Nëse nuk e pranojmë Ribashkimin kombëtar si një projekt që na përket neve sot, atëherë le të mos quhemi një komb. Kombi nënkupton një projekt politik për të qenë bashkë dhe për të vetëvendosur, sepse vetëvendosja është shprehje e lirisë së tij. Një ndër klasikët e shkencave shoqërore, Maks Veber shkruan se: “Kombi është një bashkësi e ndjenjave që në mënyrë të përshtatshme e shfaq vetveten në shtetin e vet; pra kombi është një bashkësi që ka tendencë të krijojë shtetin e vet”. Kurse në librin ‘Kombet dhe nacionalizmi’, të Ernest Gellnerit shkruhet se, në epokën e nacionalizmit, kombet përkufizohen si nga vullneti, po ashtu edhe kultura, por kanë si parim rregullues përputhjen e të dyjave në njësinë politike. Studiuesi bashkëkohor i nacionalizmit, Anthony D. Smith argumenton se edhe në një epokë globale në Europë mbizotëron dëshira për të njësuar shtetin me kombin. Emëruesi i përbashkët i përkufizimeve të kombit është lidhja e tij me një shtet, ose, në mungesë të shtetit, me kërkesën për të themeluar shtetin kombëtar. Prandaj, pohimi se kombi shqiptar ekziston, automatikisht sjell me vete edhe kërkesën për një shtet kombëtar të shqiptarëve. Kjo do të thotë që logjika e artikulimit të kombit nuk të lejon që të thuash se jemi një komb, e megjithatë pranojmë të jetojmë të ndarë, apo se Ribashkimi është i dëmshëm për kombin. Duke mos e marrë në konsideratë çështjen kombëtare, duke mos e bërë çështje qendrore të politikës, shqiptarët na dalin një komb që nuk e duan bashkimin kombëtar! Mirëpo, pa artikulimin e bashkimit të shqiptarëve në sferën publike, “kombi shqiptar” vihet në pikëpyetje si i tillë. Nëse mbyllet çështja kombëtare, atëherë kombi kthehet në një çështje. Është e natyrshme që boshllëkun që krijohet nga tërheqja e çështjes kombëtare prej ligjërimit publik ta zënë ose ligjërime fetare e krahinoriste, ose ligjërime për lindjen e kombeve të reja, sipas shteteve ku jetojnë sot shqiptarët. Nëse i qëndrojmë përkufizimeve të mësipërme të kombit, të cilat theksojnë vullnetin për të themeluar një shtet për bashkësinë e përfytyruar kombëtare, atëherë nuk mund të fshihemi pas parullave komode se, ne shqiptarët “jemi një komb, por nuk e duam bashkimin”, “jemi një komb, por bashkimin e shtyjmë për më vonë”, “jemi një komb, por do të bashkohemi në BE”, apo “jemi një komb me dy (tre) shtete”. E përsërisim se po e mbyllëm çështjen kombëtare shqiptare, ne kemi hapur çështjen e kombit shqiptar, të paktën në trevat shqiptare jashtë Republikës së Shqipërisë. Kombi duhet parë si kërkesë a pretendim kolektiv në politikë. Ai nuk është thjesht një term për përshkrimin e botës që ekziston jashtë gjuhës, por një fjalë që përdoret për të ndryshuar botën apo mënyrat se si njerëzit shohin veten dhe të tjerët dhe për t’u mobilizuar kolektivisht në emër të kombit. Kjo i përshtatet gjendjes së kombit shqiptar, i cili duhet të artikulohet si një komb i ndarë dhunshëm që kërkon të bashkohet. Për ta rihapur çështjen kombëtare nevojitet një lëvizje shumëplanëshe politiko-kulturore në mbarë trojet shqiptare, e cila të ketë në qendër “kombin”. Qenia së bashku e shqiptarëve nga shtete të ndryshëm e bashkëndarja e interesave dhe adresimi së bashku i problematikave të njëjta që i shqetësojnë në ekonomi e sipërmarrje, shoqëri, kulturë, media e arte, arsim e shkencë, argëtim e sport, do të bëjë që kufijtë që ndajnë shqiptarët të shuhen pikësëpari në psikologjinë e tyre. Në këtë mënyrë, ata do të bëhen gati për kundërshtimin e kufijve politikë. Përpjekja për hegjemoninë kombëtare duhet të luftojë idenë përçarëse dhe demoralizuese se shqiptarët nuk arrijnë të bëhen bashkë dhe se ata nuk arrijnë të bëjnë shtet. Përkundër logjikës së diferencimit të politikës së sotme, që kërkon që çështjen kombëtare ta copëtojë në disa çështje të veçuara që gjoja zgjidhen në kuadër të integrimit të shteteve ballkanike në BE, nevojitet të zhvillohet logjika e barazimit të këtyre çështjeve dhe artikulimit të tyre së bashku si pjesë të së tërës. Te “kombi” duhen brendashkruar kërkesat e ndryshme shoqërore që kanë shqiptarët. Në këtë mënyrë, edhe kërkesa për bashkim paraqitet dhe kuptohet si një kërkesë emancipuese. Kombi shqiptar përmban një sërë grupesh e shtresash shoqërore dhe hegjemonia kombëtare kërkon që ata të shohin te zgjidhja e çështjes edhe adresimin e problematikave specifike të tyre. Suksesi i çdo lëvizjeve kombëtare kërkon që vetëdija kombëtare të jetë e pashkëputur nga vetëdija politike dhe shoqërore.. Çështja kombëtare nuk duhet ta humbasë specifikën e saj edhe kur përfshin projekte dhe problematika të gjera shoqërore. Për shqiptarët, bashkimi kombëtar duhet të jetë si një lloj besimi i patundur se një ditë ai do të realizohet. Parulla e Vaso Pashës: “Feja e shqiptarit është shqiptaria!”, është përdorur rëndom për t’u treguar shqiptarëve se, përkushtimi ndaj çështjes kombëtare duhet të jetë më i lartë se ai për fetë. Mirëpo, përderisa çështja kombëtare konsiderohet si “fe e përmbi fe” (Mitrush Kuteli), kjo do të thotë se hegjemonia kombëtare është baras me konvertimin e shqiptarëve te besimi i bashkimit. Të qenët anëtar i kombit shqiptar, do të thotë të besosh se je thirrur për të punuar për realizimin e bashkimit të tij. Në kujtimet e tij, kleriku rilindës Ibrahim Dalliu tregon se, në Tiranën e fillimshekullit XX, shumica e popullit që ishin indiferentë quante “shqiptarë” vetëm veprimtarët e lëvizjes kombëtare. Është e nevojshme që sërish të aktualizohet ky kuptim i fjalës “shqiptar”, por kësaj radhe nga lëvizja kombëtare. Hegjemonia kombëtare synon që vetëdija shqiptare të “rizgjohet” dhe bashkimi të pranohet si zgjidhja e drejtë e çështjes kombëtare. Në fund, integrimi i shteteve ballkanike në BE mund të kthehet në një proces plotësues të bashkimit. Së pari, logjika e integrimeve europiane favorizon logjikën e integrimit shqiptar. Për ata që Abdi Baleta i quan “integralistë europianë”, po bëhet gjithnjë e më e vështirë kundërvënia ndaj integrimit shqiptar: ky i fundit shihet si më i natyrshëm dhe më i nevojshëm në kohën që shqiptarëve u kërkohet njohja dhe miqësimi me kombe të tjerë të kontinentit. Lehtësimi i lëvizjeve ndërkufitare si pasojë e procesit të integrimit europian duhet parë si një mundësi për afrimin e shqiptarëve nga shtete të ndryshëm. Së dyti, duhet punuar që standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë e mirëqenies që BE-ja kërkon të arrihen dhe respektohen nga shtetet ballkanike, të shkojnë në favor të forcimit dhe bashkimit të shqiptarëve. Vendosja e një rendi demokratik të mirëfilltë i intereson lëvizjes kombëtare, sepse i jep më shumë fuqi popullit dhe vetëvendosja popullore është zembereku i demokracisë. Gjithashtu, gjatë tranzicionit në Shqipëri e së fundi edhe në Kosovë, shqiptarët kanë parë se faktorët ndërkombëtarë, për hir të stabilitetit dhe mbylljes së çështjes kombëtare, kanë përkrahur qeveritarë me sjellje autoritare dhe kanë minuar demokracinë.