Kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Shpëtim Axhami, ka reaguar përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë drejtuar deputetëve, në një ditë kur seanca parlamentare është dominuar nga debatet mbi sigurinë kombëtare dhe zhvillimet rreth SHISH.
Në një publikim me titullin “PËR JU, KUVENDARË!”, Axhami u kërkon deputetëve të vendosin interesin kombëtar mbi bindjet partiake dhe të mos e trajtojnë Kuvendin thjesht si një mekanizëm formal për miratimin e vendimeve të pushtetit.
“Sot tregoni më tepër shqiptarizëm përpara se të jeni militantë partie, lëreni mënjanë servilizmin dhe bindjen e verbër politike”, shkruan Axhami, duke kërkuar që deputetët të fokusohen te interesi kombëtar dhe qytetar.
Mesazhi i tij vjen në një kontekst të fortë politik, pasi seanca e sotme parlamentare është përfshirë nga debate të ashpra lidhur me çështjen e ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni. Opozita kërkoi që Kuvendi të ndalte rendin e zakonshëm dhe të zhvillonte debat të posaçëm mbi situatën, kërkesë e cila u rrëzua nga mazhoranca. (Albanian Post)
Axhami kërkon që seanca parlamentare të marrë një tjetër dimension.
“Kthejeni seancën e sotme parlamentare në një seancë të jashtëzakonshme”, apelon ai, duke theksuar se çështjet që lidhen me sigurinë dhe institucionet shtetërore nuk duhet të kalojnë në plan të dytë.
Në vijim, kreu i PLL ngre edhe një kritikë të fortë ndaj mënyrës se si funksionon parlamenti, duke kërkuar një Kuvend që, sipas tij, të mos kufizohet në rolin e miratimit të vendimeve të pushtetit.
“Na duhet një Kuvend që të mos jetë noter i vendimeve të pushtetit, por zëri dhe mburoja e interesit të shtetit, kombit dhe qytetarëve”, shkruan Axhami.
Ai e mbyll mesazhin me një apel të drejtpërdrejtë për deputetët, duke vendosur interesin kombëtar mbi çdo llogari tjetër politike:
“Kur rrezikohet shteti, nuk ka më vend për heshtje dhe kur rrezikohet siguria, nuk ka më vend për servilizëm. Është shteti dhe kombi mbi çdo interes partik dhe politik!”
Postimi i plotë i Shpëtim Axhamit:
PËR JU, KUVENDARË!
Për ata që e kanë marrë mandatin nga vota e qytetarëve, por edhe për ju që jeni futur në parlament me vota të manipuluar, apo përmes listave të mbyllura, emërimeve politike dhe kryetarokracisë.
Për ju që ngrini kartonin jeshil kur nuk duhet ngritur dhe e ulni këtë karton kur nuk duhet ulur.
Shqipëria sot po përballet me probleme të rënda, dobësim të institucioneve të sigurisë shtetit një dobësim të faktorit kombëtar. Kjo nuk mund të vazhdojë!
Prandaj, sot tregoni më tepër shqiptarizëm përpara se të jeni militantë partie, lereni mënjanë servilizmin dhe bindjen e verbër politike, vendosni interesim kombëtar dhe atë qytetar mbi gjithçka.
Kthejeni sencën e sotme parlamentare në një seancë të jashtëzakonshme jo duke manipuluar atë që ndodhi këto ditë por duke vënë gishtin tamam mbi plagë.
Sot, më shumë se kurrë, na duhet një Kuvend që të mos jetë noter i vendimeve të pushtetit, por zëri dhe mburoja e interesit të shtetit, kombit dhe qytetarëve, sepse kur rrezikohet shteti, nuk ka më vend për heshtje dhe kur rrezikohet siguria, nuk ka më vend për servilizëm është shteti dhe kombi mbi çdo interes partik dhe politik!
ATDHEU MBI TË GJITHA! 🇦🇱











