Misioni historik Artemis II i NASA-s ka përfunduar me sukses, pasi kapsula Orion është ulur në Oqeanin Paqësor, duke shënuar rikthimin e sigurt të astronautëve në Tokë pas një udhëtimi rreth Hënës.
Ulja në oqean (splashdown) u realizua me sukses, ndërsa sistemi i parashutave funksionoi normalisht, duke mundësuar një zbritje të kontrolluar të kapsulës. Pas një faze kritike të hyrjes në atmosferë, gjatë së cilës pati edhe ndërprerje të përkohshme të komunikimit, kontakti me kapsulën u rikthye dhe operacioni përfundoi pa probleme.
Ekipet e shpëtimit të NASA-s kanë nisur menjëherë operacionin për rikuperimin e astronautëve, të cilët raportohet se janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Misioni Artemis II konsiderohet një moment historik, pasi është fluturimi i parë me njerëz drejt Hënës pas më shumë se 50 vitesh dhe një hap i rëndësishëm drejt misioneve të ardhshme në Hënë dhe Mars.











