Një situatë shqetësuese është regjistruar në juglindje të vendit, ku një grua ka humbur ndjenjat pasi ka qëndruar për disa orë e bllokuar në trafik, në kushte të vështira dhe pa asnjë zgjidhje për qarkullimin.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, dhjetëra automjete kanë mbetur të paralizuara në aks për shkak të trafikut të rënduar dhe pengesave në rrugë. Mes drejtuesve dhe pasagjerëve të bllokuar ndodhej edhe gruaja, e cila në gjendje paniku dhe lodhjeje i është drejtuar efektivëve të policisë me thirrjen: “Më gjeni një rrugë të iki në shtëpi!”
Dëshmitarët bëjnë me dije se pas një pritjeje të gjatë dhe në mungesë të një zgjidhjeje konkrete, ajo ka shfaqur shenja dobësie, marramendjeje dhe më pas ka humbur ndjenjat. Personat që ndodheshin pranë saj kanë ndërhyrë menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë, ndërsa është njoftuar edhe ambulanca për ta transportuar drejt spitalit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta nga qytetarët, të cilët kritikojnë menaxhimin e situatës dhe kërkojnë ndërhyrje më të shpejtë nga autoritetet për të shmangur episode të tilla, që mund të rrezikojnë shëndetin dhe jetën e njerëzve.











