Me rastin e 17 Shkurtit, Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Kryetari i Lëvizjes për Legalitet, Shpëtim Axhami, ka përcjellë një mesazh urimi për mbarë shqiptarët e Kosovës dhe diasporës shqiptare kudo në botë.
Në mesazhin e tij, Axhami e cilëson këtë datë si një moment kulmor historik, që përfaqëson përmbushjen e përpjekjeve shekullore të popullit shqiptar për liri, dinjitet dhe shtet.
“Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është fryt i sakrificave të panumërta, i gjakut të dëshmorëve dhe i qëndresës së brezave të tërë që nuk reshtën së besuari në të drejtën e tyre legjitime për liri dhe vetëvendosje,” shprehet ai.
Kreu i Legalitetit shpreh mirënjohje dhe respekt të thellë për të gjithë ata që kontribuuan në këtë rrugëtim historik, duke veçuar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë dëshmorët që dhanë jetën për çlirimin e vendit.
Ai gjithashtu vlerëson mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë dhe vendeve mike, të cilët, sipas tij, qëndruan në anën e drejtësisë, duke ndihmuar në çlirimin dhe shtetformimin e Kosovës.
Në mesazhin e tij, Axhami thekson rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërshqiptar për të ardhmen, duke nënvizuar se forcimi i sovranitetit, zhvillimi ekonomik dhe integrimi euroatlantik janë objektiva të përbashkëta strategjike.
“Integrimi dhe bashkimi kombëtar janë garanci për stabilitet, siguri dhe paqe të qëndrueshme në rajon. Një komb i bashkuar në vlerat e lirisë dhe demokracisë është një faktor paqeje dhe partner i besueshëm ndërkombëtar,” thekson ndër të tjera ai.
Në përfundim të mesazhit të tij, Kryetari i Lëvizjes për Legalitet, Shpëtim Axhami, përkujton me nderim të rënët për liri dhe uron:
“Lavdi dëshmorëve dhe gëzuar Pavarësinë e Kosovës!”











