Në muajin korrik të vitit 2018, Arben Ahmetaj, i cili në atë kohë ishte ministër i Financave, ka shpenzuar 93.500 euro në kazinonë “Dragonara” të Maltës, një parajsë fiskale e frekuentuar shpesh nga “tigri”. Në një kohë kur paga e tij si ministër ishte rreth 2 mijë euro, Ahmetaj për një muaj ka shpenzuar rreth 93 mijë euro në bixhoz.
Ky lajm u publikua pak ditë më parë në media, teksa u faktua përmes burimeve dhe dokumenteve të ndryshme. Por “Shqip Time” ka arritur të sigurojë ekskluzivisht një raport të inteligjencës malteze, e cila ka ndjekur të gjithë veprimtarinë e Arben Ahmetajt në Maltë. Dhe jo vetëm kaq: inteligjenca e Maltës ka informuar shërbimet partnere perëndimore dhe ato të Shqipërisë për aktivitetin e dyshimtë të ministrit shqiptar të kohës.
Nga të dhënat rezulton se shërbimi maltez ka siguruar edhe kartat e identitetit të Ahmetajt dhe Mirel Mërtirit, pasi ata janë regjistruar në kazino dhe kanë qenë të detyruar që në hyrje të dorëzojnë dokumentet e identifikimit.
Ajo që e komprometon të gjithë aktivitetin e Ahmetajt në kazino nuk janë vetëm shumat e harxhuara apo fakti që ministri i Financave i Shqipërisë luante në kazino. Shërbimi inteligjent i Maltës shprehet se brenda kazinosë janë vërejtur veprime tipike që lidhen me pastrimin e parave. Më konkretisht, sipas raportit:
“Më 13 korrik 2018, disa shtetas u regjistruan në kazino në Maltë (Portomaso dhe Dragonara Casino). Dyshimet nisën kur ata u panë duke ndarë çipat mes tyre. Z. Arben Ahmetaj, kur u regjistrua në kazino, deklaroi se ishte menaxher financiar me profesion dhe jo ministër i Shqipërisë. Ai shoqërohej nga Mirel Mërtiri, L.M. dhe I.D. Çipat e z. Ahmetaj iu dhanë këtyre tre personave. Pasi ai nisi lojën, të tjerët ndaluan së luajturi dhe ndoqën lojën e tij. Në disa raste nuk u regjistrua aktivitet real loje, por vetëm transaksione financiare. Totali i parave të shpenzuara atë natë ishte rreth 40 mijë euro”, thuhet në raportin e inteligjencës së Maltës, e cila shton se kjo është sjellje tipike për pastrim parash: hyrje cash, lojë me baste minimale dhe tërheqje cash.
Në shkresën që disponon “Shqip Time”, shërbimi sekret i Maltës, përveç të dhënave në raport për Arben Ahmetajn, kërkon edhe konfirmimin e identitetit të tij nga pala shqiptare. Nuk dihet nëse shërbimet shqiptare, SPAK, SHISH apo ndonjë institucion tjetër, i kanë tradhtuar partnerët e Maltës duke mos konfirmuar identitetin e ministrit të kohës.
Por nga dokumentacioni i përcjellë (3 faqe raport dhe 5 faqe karta identiteti), duket qartë se bëhet fjalë për ish-ministrin Ahmetaj dhe për Mirel Mërtirin, të cilët sot shijojnë lirinë në Zvicër, duke iu shmangur drejtësisë.
Disa nga faqet e raportit të mbërritur në Shqipëri:













