Qeveria ka vendosur rritjen me 2.5 për qind të pensioneve, një masë që hyn në fuqi nga data 1 tetor 2025. Përfitues të këtij vendimi janë 721,398 pensionistë në të gjithë vendin, mes të cilëve 607,567 persona që marrin pension pleqërie, 65,926 me pension invaliditeti dhe 47,905 me pensione familjare.
Në vendimin e botuar në Fletoren Zyrtare përcaktohet se kjo rritje do të shtrihet edhe mbi pensionet që do të caktohen pas datës 1 tetor, me kusht që e drejta për pension të ketë lindur deri më 30 shtator 2025. Indeksimi do të prekë një gamë të gjerë përfituesish, që përfshijnë jo vetëm pensionet e zakonshme të pleqërisë e invaliditetit, por edhe pensionet sociale, shtesat për invalidët e luftës, pensionet e posaçme për ushtarakët, policinë, minatorët, punonjësit e industrisë së naftës e gazit, akademikët, familjet e pilotëve dhe kategori të tjera të trajtuara me ligj të veçantë.
Sipas të dhënave, pas aplikimit të indeksimit, pensionet e plota të pleqërisë dhe invaliditetit nuk do të jenë më pak se 18,335 lekë dhe as më shumë se 36,670 lekë në muaj. Për anëtarët e ish-kooperativave bujqësore, pensionet do të variojnë nga 12,554 lekë minimum deri në 18,335 lekë maksimum. Pensionet e parakohshme që do të caktohen pas 1 tetorit do të kenë gjithashtu një nivel minimal prej 18,335 lekësh. Ndërkohë, pensioni social do të arrijë në 9,953 lekë në muaj.
Vendimi parashikon që përveç indeksimit, pensionistët të vijojnë të marrin edhe kompensimet për të ardhura minimale dhe për rritjen e çmimeve të energjisë, ushqimeve dhe karburanteve, sipas vendimeve të mëhershme të Këshillit të Ministrave. Në të njëjtën kohë, përfituesit e pensioneve familjare do të mbrohen gjithashtu nga skemat e kompensimit për ndryshimet e kostos së jetesës.
Efekti financiar i kësaj rritjeje është përllogaritur në 1.14 miliardë lekë. Prej tyre, 1.106 miliardë lekë do të përdoren për pagesën e pensioneve të indeksuara, ndërsa 34 milionë lekë do të mbulojnë shpenzimet teknike dhe komisionet e shërbimit përmes Postës Shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë.
Ky indeksim vjen si pjesë e politikës së qeverisë për të ruajtur vlerën reale të pensioneve dhe për të mbështetur shtresën e pensionistëve përballë rritjes së çmimeve dhe inflacionit.