Nga Sokol Gjoni
Ajo që po ndodh këto ditë në disa bashki të vendit nuk është reformë. Nuk është as akt reflektimi, as përgjegjshmëri institucionale. “Operacioni i dorëheqjeve” që po orkestrohet nga lart poshtë është një spektakël i mirëorganizuar nga Edi Rama – një taktikë politike për të spostuar vëmendjen publike nga zgjedhjet e manipuluara të 11 majit dhe për të ushqyer narrativën se ai “po pastron vetë shtëpinë”.
Këto dorëheqje, në fakt, janë të urdhëruara. Ato nuk vijnë si pasojë e dështimeve reale në menaxhimin e bashkive apo për të dhënë llogari për performancën. Vijnë si pjesë e një strategjie ku pushteti central kërkon të kontrollojë çdo segment të administratës vendore dhe të simulojë një vetëndëshkim që nuk ekziston. Kjo lëvizje, në dukje politike, është thellësisht propagandistike dhe nuk ofron asnjë përmirësim real për qytetarët.
Aq më keq kur kjo ndodh pas një procesi zgjedhor të mbushur me akuza për shit-blerje votash, përdorim të administratës, presione mbi punonjës publikë dhe mungesë të alternativës politike. Në këtë klimë, largimet masive nuk mund të interpretohen ndryshe veçse si një përpjekje e dëshpëruar për të zbehur efektin e denoncimeve që kanë mbushur opinionin publik prej muajsh.
Nëse ka një nevojë reale për reflektim, ai duhet të vijë nga vetë qeveria qendrore dhe nga mënyra se si kontrollon politikisht gjithçka – nga kryetarët e bashkive e deri te drejtuesit e shkollave. Nëse ka një pastrim për t’u bërë, ai duhet të fillojë me vetë sistemin që prodhon servilizëm dhe jo meritokraci, klientelizëm dhe jo transparencë.
Ky operacion, që në thelb synon të mashtrojë opinionin publik dhe partnerët ndërkombëtarë, është një tjetër dëshmi se shteti në Shqipëri po humb gjithnjë e më shumë ndarjen e pushteteve. Administrata është kthyer në instrument politik, ndërsa qytetari në spektator të një farsë të rrezikshme për demokracinë.
Demokracia nuk shpëtohet me skenarë të fabrikuar. Ajo kërkon ndershmëri, transparencë dhe zgjedhje të lira. Dhe asgjë nga këto nuk ndodhi më 11 maj.