Një fytyrë e tepërt
Fjalët i ndante sipas nevojës:
në vesh, premtime që avulloheshin,
në sy, gjuhë që ftohte si akulli.
Për secilin një fytyrë,
për secilën fytyrë një zë.
I mjaftonte të dëgjohej,
jo të besohej.
Hapte rrugë me fjalë shatra-patra,
nën buzë mik,
në tribunë asnjanës,
në heshtje i askujt.
Kur u kthye nga unë,
s’e kishte më asnjërën fytyrë,
veç hijes që rrinte pezull.
Unë mbeta me fytyrën time.
Dhe s’e di më:
a është nder,
apo mallkim
ta kesh vetëm një!
Në një botë me maska,
ndoshta e vetmja punë që ia vlen,
është të kujdesesh për kopshtin tënd.
Xhemi Hajredini
Strugë, 22 maj 2025