Sali Berisha bën thirrje për mobilizim masiv të deputetëve të tij për të marrë maksimumin nga votat e Diasporës në zgjedhjet e 11 majit.
Berisha në mbledhjen e grupit demokrat vlerësoi të vetët për punën e bërë gjatë kësaj kohë për regjistrimin e emigrantëve. Por ai kërkoi që këto ditë, të lënë çdo gjë dhe deri më datën 2 t’u përkushtohen regjistrimeve të emigrantëve potencialë për të votuar PD.
“Ky është një zhvillim shumë pozitiv, kjo frymë, ky optimizëm, ky vullnet që pasqyrohet në emigracion dhe diasporë, ka një ndikim të fuqishëm edhe në Shqipëri, ku njerëzit janë në kushte më të vështira, përballojnë të gjitha pasojat e narkoregjimit, po përsëri është mesazh shprese, mesazh besimi se do çlirohemi dhe është gjë shumë pozitive. Programi, përsëri unë theksoj, programi ynë duhet të jetë libri ynë, Kushtetuta jonë në këto zgjedhje, në kuptimin e komunikimit me ta”, tha Berisha.