Partitë LZHK dhe Djathtas 1912, kanë shpallur koalicionin për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
“Djathtas 1912”, në emër të kryetarit Rezart Kthupi ka dorëzuar kërkesën për regjistrim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve sot, duke u bërë partia e radhës që do marrë pjesë në fushatë dhe do kërkojë mandate deputetësh në Kuvendin e Shqipërisë.
Partitë Djathtas 1912, me kryetar Rezart Kthupin, pjesë e të cilës është dhe Enkelejd Alibeaj dhe LZHK, me kryetar Dashamir Shehi njoftuan sot zyrtarisht koalicionin parazgjedhor për zgjedhjet e 11 Majit.

“LZHK dhe Djathtas 1912, në vijim të bashkëpunimit parlamentar dhe përpjekjes së përbashkët në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e listave të mbyllura, shpallin sot bashkimin në një koalicion zgjedhor për zgjedhjet e 11 majit. Ky bashkëpunim është fryt i vullnetit të përbashkët të dy partive tona për të marrë pjesë në zgjedhje, përkundër vullnetit arbitrar të PS dhe PD, me një listë të përbashkët të hapur kandidatësh për deputetë.
Ne i qëndrojmë bindjes sonë të thellë se vetëm bashkëpunimi përmes listës së përbashkët të hapur garanton zgjedhjen e lirë të qytetarëve për të dërguar përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, përsërisim publikisht ftesën tonë të bërë në dhjetor për çdo parti apo lëvizje që të bashkohemi në një listë të vetme të hapur, si mekanizmi më i mirë për të rikthyer kushtetutshmërinë, e cila mund të realizohet vetëm përmes parimit të Votës Parapëlqyese”, thuhet në njoftimin për shtyp.