Gjatë orarit të punës, një patrullë e Policisë së Gjirokastrës duket se ka gjetur një “prioritet” tjetër. Një efektiv policie është parë duke përdorur automjetin zyrtar të policisë për të shkuar në një servis automjetesh, jo për një problem të shërbimit, por për të rregulluar makinën e tij personale, të cilën e kishte lënë më parë aty.
Pamjet tregojnë qartë se mjeti i shtetit përdoret për interes privat, një veprim që bie ndesh hapur me rregullat e shërbimit dhe etikën e Policisë së Shtetit.
Sikur të mos mjaftonte kjo, polici ishte i shoqëruar edhe nga kolegia e tij, dhe të dy kanë gjetur kohë të ndalojnë edhe për një kafe në të njëjtin vend, ndërsa qyteti përballet çdo ditë me ngjarje kriminale dhe shqetësime të qytetarëve.
Ndërkohë që qytetarët presin më shumë siguri dhe prani të policisë në rrugë, duket se disa patrulla janë të zëna me halle personale dhe pushime kafeje, duke përdorur mjetet e shtetit si të ishin pronë private.
Në një kohë kur krimi nuk pret, mbetet pyetja: kush po patrullon për qytetin dhe kush për interesat personale?











