InfoPressAlbania
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz
No Result
View All Result
InfoPressAlbania
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz
No Result
View All Result
InfoPressAlbania
No Result
View All Result
Home Artikuj

Udhëkryqi i reformës zgjedhore/ Mes mosbesimit dhe presionit për ndryshime të thella

5 Mars, 2026
in Artikuj
A A
Udhëkryqi i reformës zgjedhore/ Mes mosbesimit dhe presionit për ndryshime të thella

Pas një ngërçi dymujor, palët politike u rikthyen në tryezën e reformës zgjedhore në mesin e muajit shkurt, me një kompromis dhe shumë mosbesim.

Produkti i parë i dakordësuar është një ligj i veçantë për Financimin e Partive Politike – i prezantuar njëherazi si domosdoshmëri dhe detyrim i negociatave me Bashkimin Europian.

Damian Gjiknuri, bashkëkryetari socialit i komisionit të reformës zgjedhore, e konsideron ligjin të rëndësishëm për demokratizimin dhe transparencën e partive politike.

“Financimi i partive politike merr një rëndësi të madhe, pasi nëpërmjet transparencës, mirëpërdorimit dhe llogaridhënies së burimeve dhe shpenzimeve, krijohet shtrati për një parti më demokratike dhe që funksionon në bazë të rregullave,” tha ai për BIRN.

Megjithatë, hartimi i ligjit të ri duket i pamjaftueshëm për të shëruar mosbesimin e partive politike në opozitë ndaj reformës dhe procesit zgjedhor.

“Është e vështirë që një ligj për Financimin e Partive Politike të mjaftojë për të krijuar besim te reforma, kur për 13 vite nuk ka pasur reformë konsensuale,” thotë Oerd Bylykbashi, bashkëkryetar i komisionit nga radhët e opozitës.

“Po të konsiderojmë sfodin e zhvillimeve politike dhe institucionale, përfshirë edhe rastin “Balluku” dhe zhvillimet dhe rreth tij, vështirësia bëhet më e qartë,” shtoi ai.

Në luftën e pandalshme politike në Shqipëri, të ashtuquajturat reforma zgjedhore përfaqësojnë momente të shkurtra armëpushimi. Megjithatë, produktet e miratuara gjatë dekadës së fundit janë konsideruar më tepër si arnime ligjore, të cilat nuk kanë arritur të garantojnë standarde zgjedhore.

Përveç ligjit për Financimin e Partive Politike, kalendari i komisionit parashikon të përmbyllë deri në fund të korrikut rishikimin e Kodit Zgjedhor për të adresuar rekomandimet që lidhen me monitorimin e fushatave, procesin e administrimit si dhe shfrytëzimin e burimeve shtetërore në zgjedhje.

Por ekspertët e zgjedhjeve në Shqipëri kërkojnë ndërhyrje më të thella për të parandaluar cënimin e integritetit të zgjedhjeve.

“Në vend të një procesi të thelluar dhe gjithëpërfshirës, klasa politike ka pasur prirjen të orientohet drejt zgjidhjeve minimaliste dhe të momentit të fundit, të cilat paraqiten retorikisht si arritje reformuese,” tha për BIRN Dritan Taulla, zv.kryetar i KRIK Albania.

“… Një pjesë e problematikave që cënojnë integritetin e zgjedhjeve nuk adresohen vetëm përmes amendimeve në Kodin Zgjedhor, por kërkojnë ndërhyrje të ndërthurura edhe në kuadrin ligjor për Partitë Politike, administratën publike apo një ligj të dedikuar për financimin politik, në mënyrë që rregullimi të jetë realisht efektiv dhe i zbatueshëm,” shtoi ai.

Çfarë duhet ndryshuar?

Prej viteve ’90, zgjedhjet në Shqipëri monitorohen nga misionet e OSBE-ODIHR, rekomandimet e të cilëve kthehen në udhërrëfyes për ndërhyrjet në Kodin Zgjedhor. Në raportin e fundit për zgjedhjet e 11 majit 2025, të cilat i dhanë kryeministrit Edi Rama një mandat të katërt të paprecedentë, misioni i OSBE- ODIHR ishte veçanërisht kritik për shfrytëzimin e burimeve shtetërore si avantazh për partinë në pushtet.

“Zgjedhjet u shënuan nga keqpërdorimi masiv i burimeve publike dhe fuqive institucionale të partisë në pushtet ndërsa raportime të shumta mbi presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit e tjerë si dhe rastet e frikësimit [të votuesve] ishin shqetësuese,” thuhet në raport.

Sipas ekspertit Kristaq Kume, detyra kryesore e komisionit të reformës zgjedhore është adresimi i një numri të ndjeshëm rekomandimesh të misioneve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e zhvilluara në vitet 2017-2025, të cilat nuk janë pasqyruar ende në legjislacion.

“Rezultatet e marra nga këto zgjedhje kanë evidentuar nevojën për ndryshime thelbësore në legjislacion, me objektiv zvogëlimin e hapësirave për shfaqjen e efekteve negative të atyre ndryshimeve në funksionimin e demokracisë përfaqësuese,” tha Kume.

Përveç ligjit për Financimin dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, partitë politike bien dakord se ka ardhur koha për një rishikim të ligjit për Partitë Politike – edhe pse klima aktuale politike mund të bëhet pengesë.

Sipas Oerd Bylykbashit, mungesa e garancive në ligjin aktual u përdorën nga kryeministri Edi Rama gjatë viteve 2022-2024, për të mbajtur sipas tij peng logon identitare dhe të drejtën për të konkurruar në zgjedhje.

“Ka nevojë për mekanizma që shtyjnë partitë drejt demokratizimit dhe kolegjialitetit brenda partive, por pa rritur ndërhyrjen e shtetit në jetën politike,” tha Bylykbashi.

Edhe Gjiknuri nga Partia Socialiste është i hapur për këtë diskutim.

“Kjo i përket një diskutimi të ardhshëm, nëse ka vullnet politik nga forcat kryesore politike në vend,” tha ai.

Partitë e reja parlamentare janë mosbesuese ndaj reformave të udhëhequra nga PS-PD, të cilat nuk synojnë sipas tyre zgjidhjen e problemeve, por asgjësimin e mundësive për forcat e reja.

“Financimi i partive politike nga oligarkët dhe krimi i organizuar si dhe kontrolli i mediave kryesore gjatë fushatës zgjedhore, janë arsyeja kryesore pse nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri,” thotë Agron Shehaj i Partisë Mundësia, ndërsa shtoi se asnjë nga partitë e mëdha nuk ka për qëllim t’i zgjidhë këto probleme.

Edhe Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë mendon se qëllimi i komisionit nuk janë zgjedhjet demokratike, por ruajtja e duopolit PS-PD në politikën shqiptare.

“T’ua lësh këtyre partive në dorë çështjen tejet të rëndësishme të rregullimit të financimit të partive politike, është njëlloj si t’u varësh ujqve në qafë mëlçitë dhe të presësh që të mos i hanë,” tha ai.

Për drejtuesin e “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, dy partitë e mëdha i shohin financimet nga buxheti i shtetit si “diçka dytësore”, edhe pse kanë ndikuar që ato të shpërndahen në mënyrë abuzive.

“Shqipërisë i duhet një ligj që siguron financim real për partitë parlamentare dhe pamundëson financimin në të zezë,” tha Lapaj, ndërsa theksoi gjithashtu se ligji për “Partitë Politike” ishte i vjetëruar.

Sistemi “toksik”

Prej fillimit të viteve ’90, Shqipëria ka ndërruar pesë sisteme të ndryshme zgjedhore, pa mundur të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Themelet e sistemit aktual proporcional rajonal u hodhën me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të kryera pas një marrëveshjeje mes Ramës dhe Berishës.

Por sistemi është modifikuar në mënyrë të njëanshme që prej asaj kohe, duke hequr koalicionet dhe mundësuar hapjen e pjesshme të listave të kandidatëve për deputetë.

Sipas Bylykbashit, sistemi aktual është kthyer tashmë në një hibrid toksik.

“Në çdo rast, ky sistem aktual i miratuar nga Rama në vitin 2020 pa konsensusin e opozitës duhet zëvendësuar patjetër, sepse është i njëanshëm, është një hibrid toksik për pluralizmin dhe dëmton konkurrencën,” tha Bylykbashi, duke favorizuar sistemin mazhoritar.

Edhe pse sistemi zgjedhor është i rëndësishëm, ai nuk mund të fajësohet gjithësesi sipas opozitës për sëmundjet e zgjedhjeve në Shqipëri.

“Thembra e Akilit janë pushtimi i zgjedhjeve nga shteti, përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje dhe shitblerja e votës. Këto e mbysin çdo sistem zgjedhor,” theksoi Bylykbashi.

Edhe eksperti Kume është në favor të rishikimit të sistemit zgjedhor, që sipas tij ka prodhuar tashmë deformime në skenën politike shqiptare.

“Mjafton t`i referohemi rezultateve të marra nga sistemi proporcional rajonal që zbatohet tek ne, duke filluar që nga zgjedhjet për Kuvendin në vitin 2009. Edhe pse sistemi është proporcional, thelbi i të cilit është realizimi i një produkti që ka cilësi të mira përfaqësuese, i zbatuar në Shqipëri ky sistem ka prodhuar mazhorancë qeverisëse të një partie të vetme dhe deri në mazhorancë me shumicë gati të cilësuar,” theksoi ai.

Apeli për ndryshimin e sistemit shihet megjithatë me rezervë nga bashkëkryetari socialist, Damian Gjiknuri.

“Sistemet Zgjedhore nuk rekomandohen të ndërrohen shpesh sa herë që mbarojnë zgjedhjet apo bazuar në impulset politike të forcave të reja politike, që vazhdimisht kërkojnë rishikim,” tha Gjiknuri.

“Sistemet zgjedhore janë zgjedhje sovrane kushtetuese të çdo vendi dhe nuk ka rekomandime apo standarde specifike për to,” shtoi ai.

Partitë e reja parlamentare po përgatiten gjithashtu për propozimet e tyre, pavarësisht se nuk besojnë te qëllimet e dy partive të mëdha.

Sipas Agron Shehajt nga Partia Mundësia, PS dhe PD do të bëjnë edhe këtë herë atë që kanë bërë për 35 vjet me radhë.

“Opinioni publik do ta zbulojë kur të dalin propozimet e tyre, si Senati dhe ulja e numrit të deputetëve. Kjo është arsyeja pse Partia ‘Mundësia’ refuzon të bëhet pjesë e pazareve të tyre,” tha Shehaj.

Gati në të njëjtën gjatësi vale është edhe kryetari i Lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qori, që shton përcaktimin “duopoli i krimbur” për tandemin PS dhe PD.

“Legjislacioni zgjedhor ka qenë gjithnjë produkt i ujdive të pandershme midis PS dhe PD. Në këto kushte, unë nuk pres asgjë të mirë nga negociatat midis tyre,” theksoi ai.

Adriatik Lapaj i bën thirrje Partisë Demokratike në opozitë që të distancohet hapur nga ky sistem zgjedhor, ndërsa vetë shprehet në favor të sistemit proporcional kombëtar me lista të hapura.

“Shqiptarëve u duhet demokratizim i vendit dhe rrëzim i pushtetit të korruptuar dhe të tejzgjatur të Edi Ramës. Kjo është prova për PD-në,” tha Lapaj, duke këmbëngulur për hapje të garës. /BIRN

Të Lidhura

Banka Botërore: Shqipëria përballet me kosto të larta dhe cilësi të dobët në investimet e transportit
Artikuj

Banka Botërore: Shqipëria përballet me kosto të larta dhe cilësi të dobët në investimet e transportit

26 Shkurt, 2026
Sjellja e mazhorancës ngre pikëpyetje mbi vullnetin e saj, por edhe mbi kufijtë kushtetues të rolit të Kuvendit
Artikuj

Sjellja e mazhorancës ngre pikëpyetje mbi vullnetin e saj, por edhe mbi kufijtë kushtetues të rolit të Kuvendit

25 Shkurt, 2026
Shkëlqimi dhe rënia e “Air Albania”, dueli i heshtur me “Turkish Airlines”
Artikuj

Shkëlqimi dhe rënia e “Air Albania”, dueli i heshtur me “Turkish Airlines”

22 Shkurt, 2026
Pse gratë mbi të 40-tat po zgjedhin partnerë më të rinj se vetja?
Artikuj

Pse gratë mbi të 40-tat po zgjedhin partnerë më të rinj se vetja?

7 Shkurt, 2026
Nedion Marku: Në epokën digjitale, krimi nuk mban armë — ai shkruan kode
Artikuj

Nedion Marku: Në epokën digjitale, krimi nuk mban armë — ai shkruan kode

1 Shkurt, 2026
Denada Isa: Marrëdhënia mësues–nxënës si përvojë e përditshme profesionale
Artikuj

Denada Isa: Marrëdhënia mësues–nxënës si përvojë e përditshme profesionale

18 Janar, 2026

TË FUNDIT

Udhëkryqi i reformës zgjedhore/ Mes mosbesimit dhe presionit për ndryshime të thella
Artikuj

Udhëkryqi i reformës zgjedhore/ Mes mosbesimit dhe presionit për ndryshime të thella

5 Mars, 2026

“Rama duhet të largohet si kryeministër”, Berisha thirrje qytetarëve: Vetëm ju mund ta bëni!
Aktualitet

“Rama duhet të largohet si kryeministër”, Berisha thirrje qytetarëve: Vetëm ju mund ta bëni!

4 Mars, 2026

‘Kosova është Serbi’! Vandalizohet Ambasada e Kosovës në Berlin
Aktualitet

‘Kosova është Serbi’! Vandalizohet Ambasada e Kosovës në Berlin

4 Mars, 2026

Horoskopi për ditën e sotme, 4 mars 2026
Horoskopi

Horoskopi për ditën e sotme, 4 mars 2026

4 Mars, 2026

"InfoPressAlbania", është një media e re online, e lançuar më 04 Nëntor 2018. Synimi i "InfoPressAlbania" është informimi në kohë reale i ngjarjeve, por edhe zhvillimeve të tjera nga politika, showbiz, sport, kulturë, etj. Moto e "InfopressAlbania" është: Lajmi vjen tek lexuesit përmes këndeve të ndryshme të vëzhgimit. Ne hulumtojmë përtej lajmit për të shpalosur për lexuesit të vërtetën. E veçanta e InfoPressAlbanai qëndron në promovimin e "Modeleve të Suksesit" të bizneseve dhe individëve në fusha të ndryshme, që me shembullin e tyre janë motivues për gjithsecilin. I përkushtuar për të ofruar një mbulim origjinal konstant në të gjithë Shqipërinë mbi fushat e lartpërmendura, InfopressAlbania, synon gjithashtu, të sigurojë akses në lajmin e parë, duke ofruar një staf gazetarësh që do të shërbejnë si sistem rrjetizues për mbulimin e informacionit në të gjithë territorin.

@2024 InfoPressAlbania

No Result
View All Result
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz

© 2024 Infopressalbania.com