Pas Francës, Spanjës dhe Greqisë, edhe Çekia po i bashkohet debatit për kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit.
Kryeministri i Çekisë, Andrej Babiš, deklaroi se është në favor të ndalimit të mediave sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç. Në një video-mesazh publik, ai theksoi se sipas ekspertëve, përdorimi i këtyre platformave është i dëmshëm për zhvillimin e fëmijëve.
“Jam pro, sepse ekspertët që njoh thonë se është tmerrësisht e dëmshme për fëmijët. Ne duhet t’i mbrojmë fëmijët tanë”, u shpreh ai.
Më pas, zëvendëskryeministri i parë bëri të ditur se qeveria po shqyrton seriozisht propozimin dhe se një projektligj mund të paraqitet brenda këtij viti.
Nëse miratohet, Çekia do të bëhej një tjetër vend i Bashkimit Europian që vendos kufizime ligjore për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar mbrojtjen e tyre në hapësirën digjitale.







