Mbrëmjen e sotme, mediat raportuan gjerësisht për një operacion të gjerë të zhvilluar nga SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), nën drejtimin e oficerëve të antimafias italiane, në një nga kullat më luksoze të kryeqytetit “Green Tower Forever”.
Sipaa burimeve, peracioni është rezultat i një investigimi disamujor të programit investigativ italian “Le Iene”, i fokusuar në një rrjet të mirëorganizuar mashtrimesh përmes call center-ave. Për rreth tre muaj, rreth 15 persona të infiltruar nga “Le Iene” arritën të zbërthejnë të gjithë skemën, duke ia referuar më pas çështjen autoriteteve italiane të antimafias.
Pas verifikimeve dhe hetimeve të thelluara, antimafia italiane ka koordinuar dhe drejtuar operacionin e sotëm në territorin shqiptar, me në krye prokurorin Vladimir Mara.
Rëndësia e këtij aksioni lidhet me faktin se biznesi i vënë nën kontroll rezulton të ketë si aksionere Alba Ballën, motrën e kreut të grupit parlamentar të PS Taulant Ballën, së bashku me dy persona të tjerë.
Gjatë kontrollit në zyrat e kompanisë janë sekuestruar miliona euro cash, si edhe dhjetëra kuleta kriptomonedhash, të cilat dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal të hetuar.
Operacioni është ndjekur nga afër edhe nga drejtuesi i BKH-së, Joni Keta, i cili, sipas burimeve, ka qenë i pranishëm në terren gjatë veprimeve hetimore.
Operacioni vijon dhe priten detaje të reja në orët në vijim./joq







