Nga Maksim Rushi
Kryetar Kombëtar i Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë
Telegraf.al/ Ishte mesdita e 21 tetorit 2024, kur në zonën e quajtur “Kthesa e Kamzës”, në Laprakë, u ndalua automjeti ku udhëtonte, ish presidenti i Republikës, z.Ilir Meta, i cili po kthehej nga një vizitë pune në Kosovë. Një arrestim aspak normal, aspak dinjitoz sipas akteve ligjore në fuqi, por një rrëmbim me forcë, sikur po arrestohej një kriminel i shumëkërkuar nga drejtësia, dhe jo një figurë politike nga më me peshë në politikën shqiptare të pas viteve 90’.
Si president i Partisë së Lirisë, z.Meta kishte thirrur një konferencë për mediat vetëm disa minuta pas ndodhisë së arrestimit! Arrestimi i tij i ngjante më shumë një rregjistrimi të një skene filmi policor për nga mënyra dhe nga zbatimi i aktit, ku zbatuesit e verbër të rendit policor ishin me kapucë në kokë, dhe vepruan shpejt pa asnjë prezantim dhe pa identifikim të tyre dhe të asaj çfarë po ndodhte.
Sytë e gjithë shqiptarëve dhe të gjithë botës u kthyen nga mediat për të parë me detaje si, dhe për cfarë u arrestua në të tillë mënyrë.
Kjo ishte një ngjarje që na ulte kokën përballë vendeve të tjera demokratike ku njeriu i thjeshtë, dhe aq më pak një ish-president i Republikës, trajtohet me dinjitet, me respekt, dhe nuk ushtrohet në asnjë moment dhunë verbale, fizike apo psikologjike sado e rëndë të jetë vepra e ndalimit.
Është paradoksale, sesi një nga ikonat, mbështetësit më të fuqishëm, të demokracisë, të kushtetutës dhe të të drejtave të njeriut, arrestohet në të tillë mënyrë banditeske.
Kjo përbën një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, kryer nga Policia e Shtetit, që është krijuar për të qenë institucioni i mbrojtjes së individit, jo i shkeljes, dhunimit dhe denigrimit të figurës dhe personalitetit njerëzor.
Akt të turpshëm në vetvete, përbënte edhe filmimi i arrestimit të tij dhe mënyra sesi është formalizuar arresti. Ky filmim, që iu paraqit botës mbarë, është tregues i hipokrizisë, fallsitetit, aktrimit të dobët të policisë së shtetit, që kërkonte të bënte spektakël në kurriz të fatit njerëzor, figurës së një personaliteti të rëndësishëm për kombin.
E gjithë kjo bie ndesh me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila në nenin 3 të saj, thekson “Askush nuk mund t’i nënështrohet torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese”. Pse vallë Policia e Shtetit nuk është e përgjegjshme në zbatimin e kësaj konvente? Pse gjithë institucionet ligjzbatuese, nuk reaguan përballë këtij rasti sa të turpshëm, aq edhe ekstrem e denigrues?
Arrestimi i Ilir Metës, pavarësisht nga pozita e tij si ish-president apo lider politik, duhet të trajtohet me respektimin maksimal të të drejtave kushtetuese dhe procedurave ligjore. Ligji shqiptar dhe normat ndërkombëtare kërkojnë që çdo individ në momentin e ndalimit nuk mund të ushtrohet dhunë nëse nuk paraqet rrezik publik, nuk është i armatosur. Çdo trajtim denigrues dhe degradues është rreptësisht i ndaluar. Ai duhet të informohet për arsyen e arrestimit, dhe të drejtat e tij. Nëse këto të drejta shkelen, siç tregojnë provat në këtë rast, atëherë arrestimi me gjasa mund te konsiderohet i paligjshëm. Hetimi i plotë i kësaj çështjeje dhe respektimi i të drejtave kushtetuese janë thelbësore për ruajtjen e sundimit të ligjit dhe demokracisë në Shqipëri. Precedentët e vendosur nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut na tregojnë qartë se një arrestim i paligjshëm mund të ketë pasoja serioze për integritetin e sistemit të drejtësisë dhe mund të ketë pasoja për gjithë procesin në vijim.
Kanë kaluar 5 muaj qysh nga arrestimi i Metës, dhe gjendja ekonomike, sociale e politike e vendit po vazhdon të gjendet përballë sfidave të forta. Prag zgjedhjesh elektorale, demokracia e brishtë, fenomenet e arrestimeve të figurave të tjera të politikës na bëjnë të reflektojmë rreth asaj çfarë po ndodh dhe cila është e ardhmja e demokracisë tonë.
Në retorikën e tij publike, në statuset që përcjell në rrjetet e tij sociale, Meta dallon për koherencën, aftësinë e komunikimit transparent e të drejtpërdrejtë, analizën logjike dhe të argumentuar qartë me fakte konkrete. Janë këto disa cilësi dhe elemente që e bëjnë të ketë tiparet e një burri shteti. Shqipëria e 30 viteve të fundit, po përjeton një mungesë etike, komunikimi ku shpifjet, denigrimet e shpërfytyrimi i realitetit nuk kursen asnjë nga kundërshtarët politikë. Përballë këtij fenomeni, të shpifjes dhe shtrembërimit me qëllim të imazhit të tij, qëndron frika që kundërshtarët politikë kanë –përballë të vërtetave, fakteve, koherencës së tij, duke parë si rrugëzgjidhjen e vetme, ekstremin e mbylljes në qeli, edhe pse nuk ka asnjë prove, apo fakt të vërtetuar nga organet e drejtësisë për akuzat e pretenduara ndaj tij. Por sado të mundet të vazhdojë njësoj, e pashqetësuar, kjo politikë e mbrapshtë, e tejashpër, keqpërdoruese e çdo mjeti e forme të paligjshme? Përgjigjia më e mirë gjendet në frikën e madhe ndaj humbjes në 11 Maj, në pushtetin arbitrar e të fortë që po përdoren haptazi dhe tërthorazi ndaj njeriut të thjeshtë, punëtorit, personave të administratës dhe çdokujt që sot ndjen presionin e vazhdueshëm të pushtetit që nuk di të ndalet.
Prej muajsh, kanë dalë në skenë disa detaje të programit politik, dhe nismave që Partia e Lirisë, synon të vendosë në zbatim për të nxitur ndryshimin e gjithanshëm politik, ekonomik, arsimor, kulturor, social të shoqërisë shqiptare duke vendosur t’i bashkohet koalicionit “Për Shqipërinë Madhështore”, së bashku me Partinë Demokratike dhe një sërë partish të tjera politike me të cilat ndan qëllime, objektiva të përbashkëta.
Nga shtyllat kryesore ku qëndron ky program premtues, është edhe “Pesë prioritetet, plus 4 milionë shqiptarë”, ku përmes punës për kapërcimin e sfidave të shumëfishta, synohet që Shqipëria të bëhet një vend që thith popullsinë e larguar në diasporë, por edhe që nxit hapjen e vendeve të reja të punës, arsimin më cilësor, zhvillimin e sektorit privat të ekonomisë, tregtisë dhe shërbimeve. Gjithashtu vëmendja ndaj fermerëve, subvencioneve, taksave e bën këtë program më të plotë edhe gjithëpërfshirës. Por një tjetër synim i këtij programi është edhe përkrahja e gjithanshme shëndetësore, në legjislacion, në caktimin e trajtimit financiar më të lartë, më dinjitoz ndaj personave me aftësi ndryshe në Shqipëri. Është viti i disatë, që Shoqata Shqiptare e Personave me Aftësi Ndryshe dhe grupe të tjera të interesit, si edhe pensionistët janë ftuar rregullisht në ç,do tryezë të rrumbullakët për të parashtruar nevojat, kërkesat, sfidat dhe sygjerimet për zgjidhjen e tyre duke e mbështetur në një kuadër ligjor, që tashmë të gjitha këto janë të përfshira në programin e konventës të PL-së.
Personat me aftësi të kufizuara, pensionistët, të papunët, të rinjtë që nuk e gjejnë veten në Shqipërinë tonë, njerëzit e lodhur nga qeverisja 12-vjecare përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë, e cila sot ndodhet përballë shpresës për ndryshim dhe padurimit që kjo e fundit të ndodhë. Largimet jashtë vendit të shqiptarëve, të cilët ndihen të detyruar të ikin sepse nuk mbijetojnë dot në kushtet ku ndodhen, janë bërë një fenomen i zakontë. Në vitet e fundit, është përhapur një tjetër gangrenë në shoqërinë tonë, ku njerëz të zhytur në borxhe nëpër institucionet e mikrokredive, detyrohen të bëhen skllevër të tyre , ose t’i shlyejnë shumëfish, e të shumtë janë ata që kanë përfunduar në viktima të këtyre rasteve.
Në kohën kur Meta, shërbeu si President i Republikës së Shqipërisë, nuk lejoi të përdorej politikisht prej asnjërës forcë politike, duke ditur sesi të pozicionohej mbi palët për të çuar me nder deri në fund mbrojtjen e kushtetueshmërisë, shtetit ligjor dhe të drejtave themelore të njeriut. Për këtë ai në dhjetëra raste i ktheu për rishikim ligjet e reja duke mos i dekretuar kur ato binin ndesh me Kushtetutën e vendit, e cila u trajtua nga ai po aq e shenjtë sa Bibla e Kurani.
Në mbajtjen e shumë prej posteve të rëndësishme, ai tregoi maturi, koherencë, vendosmëri që të mos merrte vendime, të cilat binin ndesh me interesin e shumicës, por tregonte kujdes të shtuar në rrjedhojat që këto vendime do të kishin për publikun e gjerë.
“Thembra e Akilit”, për një shoqëri në tkurrje, është kategoria e personave me aftësi ndryshe, sepse ata i kanë mundësitë më të pakta për t’u larguar dhe për ta braktisur vendin. Për këtë arsye, ata do të jenë vendimtarë në zgjedhjet qëndrore të 11 Majit. Kjo shtresë, e cila përbën edhe kategorinë më të diskriminuar të shoqërisë, është e vetëdijshme, qartësisht e palëkundur në vendimin e saj përballë kutisë së votimit, sepse e di se çfarë do të thotë: Luftë për mbijetesën. E di sesi është të të mohohet e drejta për jetën, për bukën e përditshme të fëmijëve, e di se çfarë është vuajtja dhe mos sigurimi i barnave për trajtimin e tyre mjekësor. Për zgjidhjen e këtyre problematikave të mprehta jetësore kësaj shtrese nuk i nevojitet pasaporta europiane. Nuk është meritë të futesh në BE, pasi të është mbyllur dera për të qënë kandidate për vite me rradhë duke e ditur se nuk do të arrijmë kurrë standardet e BE-së, me pensione, paga qesharake, e trajtime jodinjitoze, që nuk arrijnë kurrë në nivelin e pagës minimale.
Vota e kësaj kategorie dhe e familjeve të tyre do të jetë vendimtare në këto zgjedhje. E ardhmja do të kalojë nga vendimi i shumicës, dhe pensionistët e personat me aftësi ndryshe e dinë fuqinë vendimarrëse, dhe janë të ndërgjegjshëm se ka ardhur koha për ndryshimin e shumëpritur. Janë pikërisht këto shtresa të margjinalizuara, ku Partia e Lirisë, e veçanërisht Ilir Meta i ka në fokusin e tij, për të sjellë tek ta një dritë jeshile, një shpresë se e ardhmja do të flasë me gjuhën e tyre, dhe se zëri i kësaj shtrese, do të kumbojë në vendimmarrjen më të drejtë dhe më të dobishme të së nesërmes, që po afron./InfoPressAlbania