Gjykata e Apelit të Posaçëm ka dënuar me 2 vite e 8 muaj burg ish-kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj.
Ish-zyrtari vendor u shpall fajtor për akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me tjetërsimin e pronave në zonën e njohur si “Rana e Hedhun”. Fillimisht, Frrokaj ishte dënuar nga Shkalla e Parë me 1 vit e 4 muaj burg. Megjithatë, pas apelimit, Gjykata e Apelit të Posaçëm vendosi të ashpërsonte dënimin, duke e dënuar me 2 vite e 8 muaj heqje lirie.
Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin kanë nisur në vitin 2017-të, kur në prokurori u denoncua tjetërsimi i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte.
Fillimisht në këtë çështje së bashku me ish-kryebashkiakun u arrestuan edhe 22 persona të tjerë, por në gjykatën e shkallës së parë Lezhë dosja u dërgua për 18 persona, nga të cilët vetëm një u shpall i pafajshëm.