Sot, 22 nëntor shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë.
Kjo është hera e parë që 22 Nëntori kremtohet si festë kombëtare pas miratimit të vendimit në janar të këtij viti.
22 Nëntori ka simbolikë të veçantë dhe specifikon momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, në përkujtim të Kongresit të Manastirit, i zhvilluar mes datave 14 deri në 22 Nëntor të vitit 1908.
Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh, pa llogaritur nënvariantet. Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë.
Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. U thirrën 50 delegatë, përfaqësues të njëzet e tre qyteteve të banuara nga shqiptarët, shoqërive kulturore e patriotike, tridhjetë e dy nga të cilët kishin të drejtë vote dhe tetëmbëdhjetë vëzhgues.
Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani. Delegat tjetër nga familja Zavalani ishte Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës. I zoti i shtëpisë, Fehim Zavalani, mbajti fjalën hyrëse.
Edhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kjo ditë është festë kombëtare. Në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.